
Në një ceremoni solemne në Pallatin e Madh të Popullit, Presidenti Xi Jinping iu akordoi personalisht medaljet e Republikës dhe Titujt e Nderit disa prej pesonaliteteve më të shquar dhe me kontribute të veçanta në luftën kundër epidemisë së koronavirusit, duke shpallur kështu edhe fitoren ndaj Covid-19 dhe kthimin gradual të normalitetit në jetën sociale dhe veprimtarinë prodhuese. Në luftën kundër Covid-19, theksoi Xi Jinping, janë arritur rezultate të rëndësishme strategjike, duke dëshmuar shpirtin, forcën dhe përgjegjëshmërinë e Kinës. Falë masave të jashtëzakonshme të qeverisë dhe mobilizimit gjithë popullor, Kina arriti që brenda një muaj të ndalojë përhapjen e virusit në rajonet e tjera të vendit, brenda dy muajsh arriti të vërë nën kontroll rritjen e rasteve të reja në nivelet e rritjes njëshifrore dhe brenda 3 muajsh fitoi betejën në Wuhan dhe Provincën Hubei. Duke qenë vendi i parë që u godit nga vala e epidemisë së një virusi të panjohur dhe mjaft “tinzar”, Kinës ju desh të marrë vendime të prera dhe me kosto të lartë ekonomike. Për të eleminuar hallkat burokratike dhe rritur efiçencën në marrjen dhe zbatimin e vendimeve, presidenti Xi Jinping mori vetë në dorë drejtimin e betejës kundër këtij “armiku” të rrezikshëm. Nën parrullën “njeriu mbi gjithçka”, u mobilizuan kapacitetet spitalore e mjeksore në gjithë vendin, u vendos karantina për më shumë se 60 milion banorë dhe mbyllja e pothujse gjithë vendit për një periudhë gati një mujore, pavarësisht kostos së pallagoritshme financiare, filloi një proces i gjatë dhe kujdeshëm i ndërgjegjësimit të popullsisë për rreziqet e virusit. Duhet theksuar se si një vend i madh dhe i përgjegjshëm ndaj botës, Kina qysh në momentet e para të shfaqjes së virusit, informoi Organizatën Botërore të Shëndetsisë dhe në kordinim të ngushtë me të edhe partnerët në vende të ndryshme të botës, duke paralajmëruar për rrezikun që ky virus paraqiste për globin mbarë. Po kështu institucionet kërkimore e shkecëtarët kinezë në fushën e mjeksisë, në bashkëpunim me OBSH-n dhe homologët e tyre në vendet e tjera u angazhuan fuqimisht në studimin e origjinës, përhapjes, simptomave, trajtimin e kurimin e Covid-19.

Kur epidemia shpërtheu në mbarë botën dhe u kthye në një pandemi globale, Kina sërish u gjend përkrah vendeve të goditura më rëndë, duke ofruar materiale anti-epidemi, si maska e paisje mjeksore, për shumë se 200 vende, përfshirë edhe Shqipërinë, duke dërguar ekipe ndihme mjeksore në rreth 34 vende, si dhe duke ndihmuar me informacione lidhur me përhapjen dhe trajtimin e virusit. Bota edhe njëherë përballet me një rrezik global, i cili kërkon një reagim dhe mobilizim global. Situata e rënduar epidemiologjike tregoi edhe njëherë se pavarësisht nga raca, kultura apo niveli i zhvillimit ekonomik, fatet e popujve janë të lidhura e të ndërvarura. Përkundër dyshimeve e kundërshtive në rritje ndaj globalizimit në vendet perëndimore, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti Xi Jinping edhe njëherë theksoi se, “ siguria e shëndetit publik është një sfidë e përbashkët e njerëzimit, e cila kërkon përpjekje të përbashkëta të të gjitha vendeve”. Probleme të tilla globale si, siguria ushqimore, ndryshimet klimaterike, ndotja ambjentit, krimi ndërkombëtar, sulmet kibernetike, etj janë sfida që rrezikojnë seriozisht rendin botëror dhe ekzistencën e njerëzimit, ndërsa Pandemia Covid-19, që vazhdon të rrezikojë jetë njerëzish dhe shkatërrojë ekonominë botërore, dëshmoi edhe njëherë rëndësinë dhe vlerën aktuale të vizionit të shpallur nga Kina për ndërtimin e Komunitetit të fateve të përbashkëta të njerëzimit. Bota sot ngjan me nje familje të madhe, antarët e së cilës mund të zhvillohen e të përparojnë vetëm duke bashkëpunuar e respektuar njëri tjetrin. Kriza globale e shëndetit me përmasa të papara me të cilën po përballet bota, është një goditje e fortë për gjithë bashkësinë njerëzore, prandaj edhe mposhtja e virusit dhe rimëkëmbja ekonomike kërkojnë solidaritet, përpjekje të pëbashkëta dhe multilaterizëm. Me sjelljen e saj dhe me veprime praktike, Kina demostroi sërish dëshirën e saj të sinqertë për krijimin e Komunitetit të fateve të përbashkëta.

Pas disa muaj sakrificash e përpjekjesh, Kina po kthehet në jetën normale e bindur edhe më shumë në domosdoshmërinë e solidaritetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Në Konferencën solemne për të nderuar luftën kundër Covid-19, duke shpallur mposhtjen e virusit, qeveria kineze nuk shfaqi shenja vetëkënaqësie apo mburrje, por përgjegjshmëri dhe gatishmëri për të kontribuar fuqimisht në fitoren ndaj pandemisë në rang global. E dëshmon këtë edhe fakti që qeveria kineze ka shpallur se do ta bëjë vaksinën e saj të Covid-19 një të mirë publike globale, kur ajo të jetë e disponueshme. Ndërsa mesazhi që presidenti Xi Jinping i përcolli botës ishte se emergjenca globale e shendetit publik kërkon krijimin e një komuniteti të shëndetit për të gjithë njerëzit dhe se vetëm duke punuar së bashku, bota mund të kapërcejë pandeminë dhe rimëkëmbë ekonominë.








