Pak kohë më parë, Gjermania dhe Franca janë tërhequr nga konsultimet e G7-s mbi reformimin e OBSh-së. Megjithëse propozimet e ShBA-së për reformën e OBSh-së nuk janë publikuar, zyrtarët perëndimorë kanë bërë të ditur që kërkesat e ShBA-së janë shumë “të rrepta”, madje edhe “të pamenduara mirë”. Është e dukshme që në kohën e pandemisë globale, mosmarrëveshja mes ShBA-së dhe aleatëve të saj kryesorë është në thellim të mëtejshëm.

Mediat kanë njoftuar se, nën drejtimin e ShBA-së, G7-a ka bërë pothuajse 20 raunde konsultimesh mbi reformimin e OBSh-së. Tani Gjermania dhe Franca janë larguar nga bisedimet. Sipas një komenti të CMG-së, nga kjo mund të nxirret si përfundim që politikanët amerikanë kanë futur shumë çështje politike në projektin e reformës dhe kjo i ka zemëruar aleatët.

Në fakt, Gjermania dhe Franca kanë pakënaqësi të shumta ndaj ShBA-së. Pas shpërthimit të COVID-19, politikanët amerikanë shpërfillën paralajmërimet nga Kina dhe OBSH-ja, duke shkaktuar përhapjen e epidemisë në vend. Por ata kanë filluar t'ua hedhin fajin të tjerëve. Nga kërcënimet për ndërprerjen e financimit për OBSh-në deri në largimin nga kjo organizatë ndërkombëtare, veprimet e ShBA-së janë kritikuar gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë edhe aleatët e saj tradicionalë. BE-ja e ka nxitur ShBA-në ta rishqyrtojë këtë vendim.

Vendet europiane po e shohin shumë qartë qëllimin e vërtetë përse ShBA-ja nxit reformimin e OBSh-së. Kanë mbetur më pak se tre muaj nga zgjedhjet presidenciale në ShBA, por numri i të infektuarve nga koronavirusi në këtë vend i ka kaluar 5 milionët. Në kushtet e goditjes epidemike dhe krizës ekonomike dhe shoqërore, Shtëpia e Bardhë ndodhet në një gjendje të dobët dhe mbështetja nga publiku është në rënie të vazhdueshme. Në këtë sfond, ata po përpiqen të nxisin reformimin e OBSh-së për qëllime të dukshme politike. Siç ka theksuar agjencia "Reuters", Shtëpia e Bardhë ka shtuar trysninë ndaj OBSh-së me qëllim që ta zhvendosë kritikën e publikut për reagimin e dobët kundër pandemisë, si edhe duke marrë parasysh zgjedhjet presidenciale.

Po të shohim më thellësisht divergjencat mes ShBA-së dhe Europës mbi reformimin e OBSh-së, mund të vëmë re që vendet perëndimore po largohen gjithnjë e më shumë nga njëra-tjetra kur është fjala lidhur me rrugët mbi përballimin e krizës globale. Vendet europiane mendojnë që duhet të zbatohet multilaterizmi para një sfide të tillë globale. Megjithëse Gjermania dhe Franca kanë pasur mendime të ndryshme lidhur me reagimin e OBSh-së, ato janë për gjetjen e një zgjidhjeje, ndryshe nga ShBA-ja që u largua menjëherë nga kjo organizatë.

Shkaku thelbësor për qëndrimet e ndryshme mbi çështjet globale është që vitet e fundit, SHBA-ja ka pasur një sjellje arrogante ndaj Europës, pa respekt ose barazi, duke dëmtuar interesat e Europës.

Në komentin e vet CMG-ja shprehet se këto vite, politikanët në Uashington janë sjellë si "dema të egër" në arenën ndërkombëtare, duke trazuar qetësinë dhe duke shkaktuar pakënaqësi në botë, duke përfshirë edhe aleatët perëndimorë. Herë pas here ata kanë vepruar kundër moralit, dinjitetit dhe interesave të përbashkët të komunitetit ndërkombëtar, dhe po bëhen të izoluar e po kritikohen nga të gjithë. Nëse nuk ndryshojnë qëndrimin e tyre, me siguri do të shohin më shumë dyer të mbyllura.