Javën e kaluar sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo mbajti një fjalim antikinez, duke deklaruar se politika e ShBA-së e angazhimit me Kinën kishte dështuar dhe duke u përpjekur për t’i futur marrëdhëniet kino-amerikane në një "Luftë të Ftohtë të re". Mediat dhe ekspertët e studiuesit perëndimorë e dënuan fjalimin e Pompeo-s dhe opinioni kryesor ndërkombëtar i hodhi poshtë zërat për "Luftën e Ftohtë të re".

CNBC-ja theksoi në një raport se Pompeo mbajti një fjalim publik kundër Kinës dhe se politika e administratës së Trump-it po bëhet gjithnjë e më radikale. Është e vështirë të mos i vendosësh situatës së tanishme etiketën "Luftë e Ftohtë e re". Provokimi nga Shtetet e Bashkuara e ka bërë konfrontimin midis dy ekonomive më të mëdha të botë shumë të rrezikshëm dhe e ka çuar gjendjen ndërkombëtare në një territor të panjohur.

Gazeta "Washington Post" vuri në dukje se politikat amerikane po i çojnë miqtë e ShBA-së në Kinë drejt nacionalizmit antiamerikan. Në artikullin e saj thuhet se ShBA-ja ka bërë sulme pa bazë ndaj Kinës, siç është ai që koronavirusi i ri e ka burimin nga laboratori në Wuhan, gjë që i bëri disa atdhetarë kinezë që dëshironin të ruanin miqësinë me ShBA-në të kuptonin se ShBA-ja nuk shqetësohet për parimet, por vetëm për kontrollin e vet ndërkombëtar.

Gazeta britanike "Financial Times" komentoi se fjalimi i Pompeo-s se është më shumë si një fjalime fushate, duke u shprehur "oreksi po rritet dhe arsyeja po pakësohet."

Nga ana e tyre, edhe ekspertët ndërkombëtarë u kanë bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që të braktisin mendësinë e Luftës së Ftohtë.

Më 25 korrik, ekspertë nga 48 vende, përfshirë ata nga Shtetet e Bashkuara, Kina, Mbretëria e Bashkuar, Rusia, India dhe Kanadaja mbajtën një videokonferencë me temë "Kundër Luftës së Ftohtë të re ". Në këtë mbledhje u publikua një deklaratë, ku u bëhet thirrje Shteteve të Bashkuara që të braktisin mendësinë e Luftës së Ftohtë dhe praktikat e tjera të dëmshme për paqen botërore, dhe të mbështesin dialogun me Kinën.

John Ross, një nga drejtuesit e nismës "Kundër Luftës së Ftohtë të re" dhe ish-drejtori i Zyrës së Politikave Ekonomike dhe Tregtare të Mbretërisë së Bashkuar, renditi kërcënimet që ShBA-ja paraqet për paqen botërore dhe rendin ndërkombëtar, përfshirë nisjen e luftërave në Irak dhe Libi, tërheqjen nga “Traktati i raketave me rreze të mesme” dhe sanksionet e njëanshme ndaj Iranit dhe Venezuelës jashtë kornizës së OKB-së. Ai beson se në dekadat e fundit, ShBA-ja ka qenë i vetmi vend që ka nisur publikisht një luftë agresioni në shkallë të gjerë dhe ka sjellë fatkeqësi në botë. ShBA-ja vendos sanksione të njëanshme jashtë kornizës së marrëveshjeve të OKB-së dhe prish rendin ndërkombëtar. Në të njëjtën kohë, ai theksoi se "Lufta e Ftohtë e re" është një kërcënim për njerëzimin dhe e gjithë bota duhet ta kundërshtojë atë. Sipas tij, të gjithë duhet të bashkëpunojnë kundër epidemisë e kundër luftërave, të trajtojnë ndryshimet klimatike e të kundërshtojnë çdo formë racizmi, duke promovuar së bashku paqen dhe zhvillimin.(Zhan Dian/Artan Goga)