Gazeta “Washington Post” botoi më 20 korrik artikullin me titull "Kriza që tronditi botën: reagimi i ShBA-së ndaj koronavirusit". Në këtë artikull vihet në dukje se, në luftën disamujore kundër epidemisë, kur shumë vende e kanë vënë nën kontroll përhapjen e virusit, në ShBA situata është krejt e kundërt: shtetet e ndryshme janë të ndara dhe ka plot urrejtje politike e përçarje. Sipas artikullit, problemi i mungesës së testimeve, që u shfaq në marsin e sivjetshëm, po bëhet më i dukshëm pas katër muajsh. Qytetarët duhet të presin një javë për të marrë rezultatet, gjë që ka minimizuar vlerat dhe efektin e testimeve masive. Me një fjalë, sipas gazetës, qeveria amerikane ka pasur një dështim tronditës në luftën antiepidemike.

Në artikull thuhet se trajtimi i ngathët i epidemisë nga ShBA-ja nuk është i rastësishëm. Dështimi i plotë i qeverisë zbulon mungesën e udhëheqjes konsekuente të këtij vendi, polarizimin politik vetëvrasës, mungesën e investimeve për shëndetin publik dhe pabarazinë ekonomiko-shoqërore e raciale. Të gjitha këto kanë shkaktuar miliona infeksione dhe qindra mijë vdekje.


Ekspertët e shëndetit publik u shprehën se një ndër gabimet më të mëdha të qeverisë amerikane është rinisja me nxitim e ekonomisë gjatë rritjes së ndjeshme të infektimeve. Që në prill epidemiologët paralajmëruan se mënyra e vetme që mund të siguronte rivënien në funksionim të ekonomisë është “shtypja deri në sheshim e lakores së infektimit”. Mirëpo situata e tanishme vërteton se kjo lakore po e “shtyp” ShBA-në.

Në artikullin e “Washington Post”-it theksohet se, para shpërthimit të koronavirusit, institucionet e shëndetit publik në disa pjesë të ShBA-së kishin probleme për shkak të mungesës së stafit dhe të pakësimit të buxhetit.

Shoqata Kombëtare e Zyrtarëve të Shëndetësisë të ShBA-së thotë se, që nga viti 2008, ka humbur 60 mijë anëtarë, rreth 1/4 e stafit. Ndërsa buxheti i Qendrës së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve (CDC) të ShBA-së është ulur 30 % që nga viti 2003.

Ditët e fundit, mediat amerikane vunë në dukje se edhe një sërë vendimesh të Shtëpisë së Bardhë kanë shkaktuar shqetësimin e zyrtarëve shëndetësorë dhe legjislativë, si për shembull, sulmi në media kundër ekspertit Anthony Fauci dhe mospranimi i pjesëmarrjes së drejtorit të CDC-së Robert Redfield në seancën dëgjimore të Kongresit dhe i sqarimeve të tij për mënyrën e rihapjes së shkollave.

Sipas njoftimeve të gazetës amerikane “The Hill”, qeveria amerikane ka kërkuar që, duke filluar nga 15 korriku, spitalet t’ia dorëzojnë drejtpërdrejt informacionet Departamentit të Shëndetësisë dhe të Shërbimeve Njerëzore, jo nëpërmjet CDC-së.

“CDC-ja edhe një herë u shpërfill”, komentoi më 15 korrik ish-drejtori i CDC-së, Richard Besser, sipas të cilit, ky është një tjetër hap prapavajtës i qeverisë.

Në të njëjtën kohë, presidenti amerikan Donald Trump ka nënvlerësuar herë pas here kërcënimet nga virusi, duke deklaruar se 99 % e rasteve të infektimit “janë krejt të padëmshme”. Më 11 korrik, ai vuri maskë për herë të parë në publik. Trump-i gjithashtu vlerësoi në mediat sociale protestat e qytetarëve kundër guvenatorëve demokratë të shteteve, për mbylljen e fabrikave për shkak të virusit.

Në artikullin e “Washington Post”-it vihet në dukje se, nën udhëheqjen e administratës së Trump-it, shumë amerikanë janë të mendimit se shkencëtarët dhe mediat kryesore e kanë zmadhuar seriozitetin e epidemisë, madje e kanë trilluar situatën. Tani, në ShBA kundërvënia ndaj shkencëtarëve është bërë një teori konspirative dhe pjesë e agjendës politike.