Liqeni i Jugut (Nanhu) gjendet në qytetin Jiaxing të provincës Zhejiang në Kinën Juglindore dhe është një nga liqenet e famshme historike e kulturore në Kinë.

Liqeni i Jugut u formua në dinastinë Han para mbi 2000 vjetëve dhe në dinastinë Tang (618-907) mori emrin “Liqeni i Jugut”. Në vitin 1548, kryetari i bashkisë së qytetit Jiaxing, Zhao Ying, pastroi lumenjtë e qytetit, dhe balta e gërmuar u grumbullua në qendrën e Liqenit të Jugut, duke formuar një ishull të vogël në liqen. Në vitin 1549, në ishullin e liqenit u ndërtua kulla “Yanyu” dhe Liqeni i Jugut u bë gradualisht një peizazh piktoresk i Jiaxing-ut.

Jiaxing-u gjendet në zonën “Jiangnan” (jugu i lumit Jance) të Kinës dhe me peizazhet e bukura ka tërhequr vizitorë të krahinave të ndryshme që nga lashtësia. Sipas shënimeve, perandori Qianlong (1711-1799) i dinastisë Qing e vizitoi gjashtë herë Liqenin e Jugut dhe çdo herë ai u ngjit në kullën “Yanyu” duke shkruar me radhë mbi 20 vjersha. Në tetor të vitit 1912, pionieri i demokracisë kineze Sun Yat-sen vizitoi Liqenin e Jugut dhe bëri fotografi së bashku me personalitete të qarqeve të ndryshme para kullës “Yanyu”.

Në historinë moderne të Kinës, Liqeni i Jugut është i famshëm për shkak që këtu është vendlindja e Partisë Komuniste të Kinës. Në korrik të vitit 1921, u zhvillua fshehurazi në një ndërtesë në zonën e dhënë me koncesion Francës në qytetin e Shangait Kongresi i 1-rë Kombëtar i PKK-së. Më 30 korrik në mbrëmje, policia bëri befasisht kontroll në atë ndërtesë dhe Kongresi u detyrua të ndërpritej. Më pas, pjesëmarrësit e Kongresit vendosën të zhvendoseshin në qytetin Jiaxing afër Shangait për të vazhduar punimet. Më 2 gusht, 10 pjesëmarrës të Kongresit, duke përfshirë Mao Ce Dunin etj., arritën me tren në Jiaxing. Ata shkuan në Liqenin e Jugut dhe hipën në një anije turistike të marrë me qira për të vazhduar Kongresin. Në fund të Kongresit u shpall themelimi i PKK-së. Sot para kullës “Yanyu” të Liqenit të Jugut gjendet imitimi i anijes ku u zhvillua Kongresi i 1-rë Kombëtar i PKK-së, që tërheq çdo ditë vizitorë të shumtë.

Liqeni i Jugut është gjithashtu një liqen me bollëk, ku gjen shumë lloje peshqish e bimësh ujore, shumë prej të cilave janë përbërës të mirë ushqimorë. Kur vizitoni Liqenin e Jugut, vlen t’i provoni ushqimet e shijshme nga liqeni. (Foto nga VCG)