Rajoni Autonom i Xinjiang-Ujgurit gjendet në Kinën Veriperëndimore dhe kuzhina e tij ka karakteristikat e dukshme të kuzhinës myslimane dhe të kuzhinës së krahinave veriperëndimore të Kinës, duke u ndërthurur me shijen e kuzhinës së Azisë Qendrore. Mishi i qengjit dhe mishi i viçit janë përbërësit kryesorë të kuzhinës së Xinjiang-ut. Për adhuruesit e mishit, Xinjiang-u është parajsa e ushqimeve të shijshme. Le të shijojmë së bashku disa ushqime tipike të Xinjiang-ut.

Qebapi me mish qengji

Në Xinjiang, mishi i qengjit gatuhet në shumë mënyra, si qengji i tërë i pjekur, i zier etj. Ndër to, qebapi me mish qengji është ushqimi më i pëlqyer. Mish i qengjit ndahet në copa të vogla, të cilat futen në një hell të hollë, pastaj piqen mbi një skarë të posaçme me qymyr. Gjatë pjekjes, mbi mish hidhet pandërprerë kripë, piper e qimnon dhe pas ca minutash, qebapi me mish qengji i shijshëm është gati. Me mishin e butë dhe shijen e mirë, është e pamundur që të pushosh së ngrëni qebapët me mish qengji të Xinjiang-ut. Tani qebapët me mish qengji mund të shijohen në krahinat e ndryshme të Kinës, por qebapi i Xinjiang-ut është më autentik.

Pilafi

Pilafi ka lindur në Azinë Qendrore e Azinë Jugore. Në gjuhën ujgure, ai quhet “polo”. Pilafi gatuhet me oriz, mish qengji, qepë, karota, rrush të thatë etj. Një pjatë pilaf plot me aromë mund të stimulojë shumë oreksin e njerëzve. Në Xinjiang, pilafi është gjella kryesore në raste festash, dasmash dhe pritjeje mysafirësh. Zakonisht ai hahet me dorë. Pas larjes së duarve, mikpritësi i fton mysafirët të hanë pilaf me dorë duke bërë muhabet në atmosferën e gëzuar.

Nang

Nang-u (naan) është një lloj piteje e grunjtë. Mënyra e gatimit të nang-ut i ngjan asaj të pites me susam të kombësisë hane. Mielli i grurit bëhet brumë dhe, pasi lihet për disa minuta, vihet në furrë për t’u pjekur. Nang-u është ushqimi kryesor i kombësisë ujgure. Pas pjekjes, ai mund të ruhet për shumë kohë. Krahas nang-ut të zakonshëm, gatuhen edhe nang me dhjamë qengji, nang me mish qengji, nang me susam etj.

Krahas këtyre, Xinjiang-u është edhe “vendlindja e frutave” e Kinës. Ai gjendet në Kinën Veriperëndimore dhe ka klimë kontinentale, me diell të fortë dhe sasi të paktë reshjesh. Kushtet klimatike janë shumë të përshtatshme për rritjen e frutave. Frutat e Xinjiang-ut kanë cilësi shumë të lartë, janë shumë të mëdha dhe të ëmbla. Rrushi, shega, shalqiri, pjepri, dardha, fiku, kajsia etj. janë frutat kryesore në Xinjiang.

Kur vizitoni Xinjiang-un, mishi i qengjit i shijshëm dhe frutat e ëmbla do t’ju lënë patjetër një kujtim të paharrueshëm. (Fani)