Pas shumë viteve mungesë të aktiviteve artistike i rikthehet gjallëria për të dytin vit radhazi koncerteve verore në Kukësin e bukur. Artistja shqiptare Hersi Matmuja, me origjinë nga ky vend, ka ndërmarrë një nismë, sa të vështirë aq edhe të bukur, një aktivitet madhështor, i cili po kthehet tashmë në një traditë. Një ëndërr e mbartur përherë me vete, e teksa Hersi rritej profesionalisht jashtë vendit, erdhi koha, momenti i duhur për ta sjellë në jetë dhe për ta bërë realitet ëndrrën e saj, që tashmë nuk quhet me e tillë, por një event me përmasa ndërkombëtare, kuruar me kujdesin më të madh dhe me shumë profesionalizëm.

Edicioni i dytë të “The Gjallica International Festival” mbahet në datat 11,12 dhe 13 gusht 2022 në Kukës. Në intervistën ekskluzive për Grupin Mediatik të Kinës, artistja Hersi Matmuja, tregon detajet e “The Gjallica International Festival”. Tema e këtij edicioni është “Masdarksh” , pra mbas darke, e thënë në dialekt, detajet e së cilës Hersi i tregon gjatë intervistës.

CMG: Përshëndetje Hersi! Viti kaloi shumë shpejt dhe ti vjen sërish në vendlindjen tënde, këtë vit në edicionin e dytë të “Gjallica International Festival”. Sa kohë përgatitje të është dashur për të punuar për këtë projekt?

Hersi Matmuja: Përshëndetje! Është e vërtetë që ky vit kaloi shumë shpejt dhe ndodhem përsëri në Kukës për "The Gjallica International Festival" i cili zhvillohet më datë 11, 12 dhe 13 në Kukës. Përgatitjet e festivalit kanë nisur që në fillim të këtij viti dhe unë nuk e dija që do të udhëtoja drejt Shqipërisë, pasi isha në pritje të ëmbël. Tani e kam vajzën 2 muajsh e gjysmë dhe Hana na lejoi që të realizonim këtë udhëtim që të jemi prezent edhe në këtë edicion të dytë të festivalit.

CMG: Cilat janë risitë e këtij edicioni?

Hersi Matmuja: Lajtmotivi i këtij festivali është “Masdarksh” , pra mbas darke, por thënë në dialekt. Ky lajtmotiv është interesant sepse lindi nga disa kujtime fëmijërie që kam pasur. Kur shkonim nëpër dasma tek familjarët dhe në të vërtetë dasmat ishin më shumë preteksti, për të shkuar në këto “Masdarksh” kaq të dashura për të gjithë, ku takoheshin kushurinjtë, aty lindnin dashuri të reja. Ishin në të vërtetë momente shumë interesante sociale, prandaj donim që festivali të kishte këtë lajtmotiv, sepse në këto “Masdarksh” festohej, gëzohej, kërcehej, këndohej, ndaj në “The Gjallica International Festival” duam që pas tre viteve të vështira, t’i japim pak freski dhe lehtësi kësaj vere, duke risjellë këtë ritual tradicional, ku njerëzit takohen, i njohur e i pa njohur, ku kërcejnë, këndojnë, hanë së bashku, argëtohen dhe prandaj e kemi vendosur këtë lajtmotiv “Masdarksh”. Ne ju presim me kënaqësi në masdarksh-in tonë në Kukës.

CMG: Cilët do të jenë të ftuarit dhe si do të trajtohet këtë vit?

Hersi Matmuja: Festivali do të organizohet në tre netë, dhe në të treja netët do të jenë gjëra të ndryshme. Nata e parë i dedikohet të rinjve, sikurse edhe vitin e kaluar, pra kjo do të mbahet çdo vit. Është shumë e rëndësishme që të investohet tek të rinjtë, për t’ju dhënë një mundësi që të shfaqen. Në natën e dytë do jetë një koncert i imi, ku do të jetë e ftuar një mikeshë e imja shumë speciale, një këngëtare internacionale. Ndërsa dita e tretë i dedikohet destinacioneve turistike, të cilën e kemi dedikuar me titullin “Pejsazhe në tinguj” sepse dëshira ishte që të realizonim disa video koncertesh, ku të promovonim destinacionet turistike të krahinës së Kukësit, të cilat do i transmetohen më vonë dhe në pritje të edicionit të tretë , me shpresën për ta realizuar edhe më mirë, të promovohet Kuksi dhe festivali njëkohësisht nëpërmjet këtyre videove muzikore.

CMG: Çfarë ka ndryshe nga festivalet e tjerë ky festival?

Hersi Matmuja: Festivali bëhet në Kukës, në rradhë të parë është ndryshe vendodhja. Në rradhë të dytë, Kuksi ka shumë për të ofruar, për të parë dhe mendoj se kjo është një nga mënyrat më të mira për të tërhequr njerëzit, turistët me anë të artit, që të vizitojnë Kuksin, ta njohin sepse ofron shumë nga ana turistike, tradicionale, nga traditat popullore që mbart, si edhe nga ana artistike e muzikore. Të them të drejtën, muzika kuksiane nuk njihet shumë aq sa duhet, por ajo është muzikë e pastër, e bukur, e pa ndikuar nga “pushtimet” e shumta që ka patur Shqipëria. Ndaj ju ftoj të vini në Kukës, në “The Gjallica International Festival”! Si dhe vetë emri i festivalit tonë, në Kukës ndodhet një nga malet më të bukura të Shqipërisë, që është mali i Gjallicës. Dhe një mik i imi shumë i mirë më tha: “Gjallica, është një nga malet e vetme në Shqipëri, por edhe në botë që mund ta fotografosh me një shikim”. Mua më pëlqeu kjo gjë si dhe mu duk shumë interesant ky këndvështrim, prandaj ju ftoj ta vizitoni Kuksin.

CMG: Faleminderit për intervistën dhe suksese në “The Gjallica International Festival”!

Hersi Matmuja: Shumë faleminderit! Dua të falenderoj për realizimin e festivalit këtë vit të gjithë bashkëpunëtorët e mi që kanë bërë të mundur “The Gjallica International Festival” në këtë edicion të dytë si; Scout Albania, Social Development Investment, Kongresi Rinor Kombëtar, Bashkia Tiranë, Bashkia Kukës,etj. Jemi shumë të lumtur për këtë fakt dhe shpresoj që vitin e ardhshëm të bëjmë gjëra edhe më të mëdha.

Ky festival erdhi si një dëshirë e madhe e artistes shqiptare Hersi Matmuaja, për të njohur të rinjtë traditat shqiptare, për të vënë në pah talentin e tyre, për të zhvilluar jetën artistike në vendlindjen e saj duke kontribuar nëpërmjet artit, për të zhvilluar turizmin në Kukës, por mbi të gjitha dhe për mallin që e kaploi në ato 25 vite larg asaj natyre të mrekullueshme dhe malit të bukur të Gjallicës.

Kujtojmë se këngëtarja shqiptare Hersi Matmuja, ka ndërtuar jetën e saj në Itali, aty ku përfundoi studimet e larta në Konservatorin “Santa Cecilia” të Romës në vitin 2014. Ajo ka një karrierë të suksesshme artistike të Itali, por edhe jashtë saj. Gjithashtu me pjesëmarrjen e saj në Festivalin e 52 të këngë në Rtsh në vitin 2013 Hersi u vlerësua me çmimin e parë, duke përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion. Prej dy vitesh ka marrë jetë projekti i saj dashur për vendlindjen “The Gjallica International Festival”, i cili ka marrë formën e një tradite, duke ardhur përherë dhe me përmasa më të mëdha.

Intervistoi: Sava Lena