Kultura, tradita, zakonet janë ato që ruajnë identitetin e një populli. Kostumet popullore janë një nga simbolet më origjinale të kulturës tradicionale. Duke qenë trashëguese e transmetuese të shumë elementëve që vijnë nga lashtësia janë jo të paktë njerëzit që drejtohen drejt një veshjeje popullore. Për ta ruajtur këtë identitet duhet shumë punë dhe kujdes, të cilën më mirë se kushdo e ka bërë kostumografja Edlira Sulaj, e cila riprodhon dhe krijon veshje popullore shqiptare, duke ekspozuar brenda dhe jashtë vendit. Këtë verë Edlira ka nisur dhe projektin e muzeut lëvizës, që e ka quajtur “Shërbejmë ndryshe në turizëm”, ku prezanton veshjet tradicionale në qytetet e Shqipërisë.

Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) znj.Sulaj tregon për ruajtjen dhe prezantimin e veshjeve tradicionle tek shqiptarët dhe të huajt si dhe idenë e veçantë për muzeun shëtitës.

CMG: Znj.Sulaj përshëndetje dhe faleminderit për këtë intervistë

Edlira Sulaj: Faleminderit dhe dua që t’ua kthej vërtetë përshëndetjen me një nuancë shumë të bukur, për faktin se nëpërmjet rrjeteve sociale dhe mediave, ne shpërndajmë tek të gjithë shqiptarët kudo që janë dëshirën e madhe për të njohur veshjen dhe mundësinë për t’ju dhënë atyre informacion mbi veshjet tradicionale shqiptare.

CMG: Si lindi shtëpia e artizanatit dhe tradita familjare për veshjet tradicionale origjinale?

Edlira Sulaj: Unë e kam thënë shumë herë që të merresh me riprodhimin e veshjeve duhet të jesh shumë e informuar mbi ndërtimin e tyre, duhet t’i studiosh ato teknikisht, duke shikuar çdo detaj të tyre për të rindërtuar një veshje. Për të rindërtuar një veshje ka 36 teknika të ndërtimit të tyre, duke filluar tek këpuca dhe duke mbaruar tek bizhutë, kapelet, etj. Unë kam vite që merrem me studimin teknik të veshjeve tradicionale dhe rindërtimin e tyre mbi 20 vjet. Kjo besoj është edhe dëshira e madhe që më ka shoqëruar gjithmonë për të njohur nga afër veshjet, për t’i ruajtur ato me këtë vlerë të jashtëzakonshme që ne kemi si popull, ta ruajmë dhe ta mbajmë fort ashtu siç është dhe t’ja trashëgojmë brazave.

Në fakt studimi i tyre më ka bërë që të bashkëpunoj me shumë artizanë dhe mjeshtra për të bërë rrethin e mbyllur të ndërtimit të veshjeve. Jemi munduar që brenda ateliesë tonë të krijojmë dhe disa grupe pune, të cilët bëjnë të mundur cilësinë e ndërtimit të veshjes dhe ruajtjen e të gjithë teknikave artizanale mbi punimin e tyre. Mbas njëfarë kohe që ne kishim punuar dhe njiheshim në treg dhe nga njerëzit, menduam të ndërtojmë një mini muze deri në 600 metra katrorë, ku ne prezantuam veshje tradicionale të vjetra dhe të rindërtuara për të ndërgjegjësuar edhe njerëzit që kjo është e vjetra dhe kështu duhet të kemi dhe të renë.

Kjo pastaj me një ide ku mblodhëm shumë artizanë, e quajtëm shtëpia e artizanatit. Kjo shtëpi është vërtetë një vend në të cilin ne kemi grumbulluar shumë mjeshtra që merren me rindërtimin e veshjeve. Gjithashtu kemi mundësuar që në këto ambiente të prezantojmë dhe produkte artizanale nga e gjithë Shqipëria, dhe nga trevat shqipfolëse. Gjithmonë kemi punuar me një përkushtim të jashtëzakonshëm për të ruajtur dhe pasur një koleksion të veshjeve nga të gjitha trevat shqiptare. Ne kemi punuar shumë veshje, duke filluar nga Tirana sepse jam dhe vetë tiranase dhe të gjithë qytetet e Shqipërisë, por dhe qyteteve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

CMG: Ka qenë e vëshirë për ju ky rrugëtim në gjithë këto vite, për të sensibilizuar njerëzit se kush është veshje origjinale dhe çfarë ata duhet të zgjedhin?

Edlira Sulaj: Në fakt po të filloj me vështirësitë nuk dua një emision, por duhen shumë emisione. Me punën kaq të bukur që bëj dua që gjithmonë të flas për të mirën. Vështirësitë janë padiskutim pjesë e një pune sepse për një individ që merret me ruajtjen e trashëgimisë kulturore në pjesën teknike të ndërtimit është shumë e vështirë. Kjo punë që unë bëj kërkon patjetër dhe bashkëpunime të vazhdueshme, madje të pandërprera me institucionet publike dhe jo publike, të cilët do ndihmonin shumë në këtë vazhdimësi të rrugëtimit tim.

Mirëpo unë dua të flas për pjesën e mirë të tyre dhe atë pjesën në të cilën unë bëj përpjekjet e mia për ta ruajtur atë. Vlera më e madhe e vendit tonë është se ne në çdo 5 kilometra lëvizje kemi një element ndryshe në veshje dhe dallojnë mbi veshjen. Kruja dhe Fushë Kruja kanë veshje ndryshe, Tirana me Krujën kanë veshje ndryshe, pjesa e Lezhës me Mirditën kanë elementë të cilët dallojnë nga njëra tjetra. Gjithashtu malësia e Tiranës e ka ndryshe me Tiranën qytet. Unë e kam thënë se veshja tradicionale ka në vetvete status social dhe krahinor, dhe të gjitha këto bëjnë veçantinë e saj që ne nëse do ta ruajmë dhe do të mundohemi ta prezantojmë tek të rinjtë, tek turizmi që ta përdorim në një efiçiencë ekonomike për vendin, do jepte shumë vlera.

Gjëja më e vështirë është dhe kjo pjesa tjetër e ndërgjegjësimit të masave për ta ndarë dhe për të njohur të gjitha krahinat në të cilat këto bëjnë dallime, për të ndarë elementet dhe për t’u prezantuar atyre se pse dallon kjo veshje nga tjetra.

CMG: Sa të interesuar janë të rinjtë për të marrë veshje tradicionale dhe për t’i veshur në festa apo gëzime familjare?

Edlira Sulaj: Unë habitem shumë herë në momentin që komunikoj me të rinjtë. Para pak kohësh po komunikoja me një djalë në rrjetet sociale, dhe me pyetjet që më bënte dhe njohuritë që kishte mbi veshjet tradicionale, e mendova të moshës mbi 50 vjeç, dhe po prisja që të më vinte një person rreth kësaj moshe. Kur vjen këtu në atelie më thotë se unë jam Hilli që kemi folur në rrjetet sociale dhe unë i thashë se nuk ka mundësi. Ai kishte një informacion të jashtëzakonshëm mbi veshjet, duke filluar tek materialet që kanë, tek krahinat që i përkasin dhe mbi të gjitha ishte gjenerata e dytë që kishte lindur në Amerikë, dhe hera e parë që vinte në Shqipëri. Pavarësisht se ka lindur dhe jetuar jashtë, ai gjithmonë ka gërmuar mbi veshjen tradicionale shqiptare dhe kishte informacion. Për këtë mu bë qejfi se ishte djalë i ri, dhe unë e mora si shembull në fillim, por ka shumë të tjerë që veshjet tradicionale duan t’i përdorin në eventet më të veçanta të tyret, në ditën e dasmës, fejesës apo dhe dhuratat më të mira që mund t’ju bëhen të rinjve në ditët e veçanta janë këto veshje.

Madje edhe për fëmijët mundohen që veshjet tradicionale të jetë dhurata më e bukur dhe dhurata që do jetojë më gjatë në memorie, por edhe në garderobën e tyre. Ne duhet të punojmë vazhdimisht, dhe për mua puna e parë duhet të jetë dhe në kurrikulat mësimore, të informohen nxënësit shumë mirë për krahinën përkatëse nga ato janë, për çdo veshje të asaj krahine, për elementet dhe teknikat. Duhet futur në kurrikulat mësimore dhe kjo pjesa artizanale, njohja teknike e ndërtimit të veshjeve, të krijohen qendra artizanale nëpër shkolla mund të jetë gjëja më e mirë, pavarësisht edhe ne vetë kemi bërë një punë shumë të madhe për të informuar të rinjtë nëpër emisione të ndryshme. Kjo ka qenë një mundësi e mirë që të informojmë të gjithë të rinjtë mbi veshjen tradicionale shqiptare.

CMG: Jeni vlerësuar dhe me shumë tituj e mirënjohje për punën tuaj disavjeçare në promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Si jeni ndjerë me këto vlerësime?

Edlira Sulaj: Kur ma quajnë punën sikur unë bëj biznes, më vjen shumë keq dhe gjithmonë nuk e quaj biznes për faktin se më vjen keq për veten. Nga ana financiare asnjëherë nuk kam arritur ta plotësoj e jo më të përfitoj, por më duket vetja më e pasur se të gjithë biznesmenët në Shqipëri për faktin se kam shumë miq dhe njerëz që më rrethojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Unë kudo ku shkoj në botë, mundësisht askush të mos më lejë të shkoj në hotel, por të më marrë në shtëpi, për faktin sepse veshja tradicionale është diçka që atyre ju kujton Shqipërinë në momentin që ne e prezantojmë atë pastër dhe bukur.

Gjithashtu nëpërmjet rrjeteve sociale dhe mundësive që kemi, marrim përshtypjet e gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë. Të gjithë ata që vijnë në Shqipëri mundohen ta vizitojnë atelienë tone dhe shumica e tyre më thonë se më ndjekin çdo ditë kur unë nxjerr veshjet. Mua më njohin shumë më tepër njerëz sesa unë i njoh, dhe këtë e quaj vërtetë një pasuri. Nuk është pasuri biznesi, por është një pasuri shpirtërore që njerëzit e vlerësojnë në maksimum atë punë që ne bëjmë. Kjo është mundësia më e mirë e jona për të qenë të pasur dhe është mundësia më e mirë e jona për ta ruajtur. Kjo na ka mbajtur dhe na jep atë fuqinë e madhe për ta çuar më përpara.

CMG: Flasim për muzeun lëvizës me veshjet tradicionale nëpër Shqipëri. Si lindi kjo ide?

Edlira Sulaj: Kjo është një ide e imja që ka vite që e mendoj, një muze lëvizës që të ishim sa më afër të të gjithë turistëve kudo që janë, t’ja prezantojmë shqiptarëve dhe të huajve veshjen tradicionale origjinale. Kjo edhe për t’ju dhënë mundësinë atyre për të kuptuar çfarë është veshja, t’ju japim mundësinë që të shikojnë vërtetë një diçka të veçantë që ne kemi. Kjo gjithashtu për t’i dhënë mundësi edhe turizmit që të rritet në prezantimin kulturor apo të bëjë dallimin në rajon për diçka të veçantë.

Projekti me një muze lëvizës ne e quajtëm “Shërbejmë ndryshe në turizëm”. Duke parë vështirësitë mbi të cilat unë kam kaluar, djali im më thoshte se nuk merret me këtë punë, dhe ky muze ka bërë jo vetëm që mua të më gëzojë, por sinqerisht kam një jetë të tërë që merrem me veshjet dhe i gjithë grupi që merret me muzeun janë futur shumë thellë në këtë punë dhe nuk do ta lenë kurrë. Përshtypjet dhe vlerësimet që na japin turistët shqiptarë dhe të huaj kanë qenë të jashtëzakonshme. Kjo është një mundësi e madhe e vlerave të trashëgimisë kulturore që ne t’i prezantojmë në çdo qytet të Shqipërisë, është një mundësi e veçantë për t’i dhënë një shërbim ndryshe nga gjithë rajoni turistëve që vizitojnë Shqipërinë. Por me fotografitë që bëjnë, me prezantimin e veshjeve që e kanë shpërndarë në rrjetet sociale duke bërë dhe komente duke vlerësuar veshjet. Ne kemi gati një muaj që e kemi nxjerrë këtë muzeun lëvizës me një autobus 30 metra katrorë, dhe sinqerisht unë besoj se kjo është ideja më e bukur e këtij viti.

CMG: Ju falenderoj për këtë intervistë dhe ju uroj suksese në punë tuaj.

Edlira Sulaj: Unë ju falenderoj juve që bëheni pjesë e punës sonë. Falenderoj të gjithë ato që dëgjojnë Radio Ejani dhe marrin këtë informacion mbi veshjet tradicionale. Mesazhi im është që të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë mund të kenë një pjesë të trashëgimisë së tyre atje ku ato jetojnë nëpërmjet veshjes tradicionale.

Intervistoi: Gazmend Agaj