Me zhvillimin e madh teknologjik duket se lojërat virtuale kanë fituar më tepër terren krahasuar me ato fizike. Shumë fëmijë preferojnë të harxhojnë më tepër kohë në tablet apo smartphone në kohën e tyre të lirë, ndërsa për prindërit kjo gjë shpesh herë bëhet e pa menaxhueshme për shkak edhe të kohës që ata kalojnë në punët e tyre. Për Grupin Mediatik të Kinës specialistia e sjelljes, terapistja Silvi Mihali shprehet se lojërat virtuale kanë ndikim negativ më tepër sesa pozitiv.

"Lojërat virtuale ashtu si çdo lojë kanë në rradhë të parë ndikimin e tyre për të argëtuar fëmijët. Gjatë kohës që ata luajnë janë në kontakt me fëmijët e tjerë, por edhe me të rritur. Efekti pozitiv është që mësojnë strategji të tipit si të negociojnë me lojtarë të tjerë të ekipit, efekti negativ është në kohëzgjatjen që ato zënë ditën e një fëmije dhe intestiteti që kanë. Kjo fillon dhe kushtëzon marrëdhëniet sociale të cilat ndodhen më variatin real, ky do të ishte një nga pasojat negative të lojërave virtuale", shprehet terapistja Mihali.

A ka një kohë fikse që fëmijët duhet ta shpenzojnë përpara ekraneve? Terapistia Mihali thotë se koha e qëndrimit mund të përcaktohet vetëm në sajë të moshës së fëmijës apo dhe angazhimit të tij në aktivitete të tjera.

"Në varësi të moshës vendoset edhe koha që fëmijët kalojnë përpara ekranit, sa më e vogël mosha aq më pak orë duhet të jenë para ekranit. Do të ishte ideale që fëmijët para moshës 2 vjeçare të konsumonin një kohë 20-30 min përpara ekraneve dhe kryesisht përpara atyre të mëdha dhe jo telefonit. Ndërsa moshat e mëdha mund të kalojnë pak më shumë kohë, por me larmi programesh. Koha e ekraneve gjithmonë varet edhe sesa i impenjuar është fëmija në aktivitete të tjera, por që ta kemi kohën në balancë duhet vënë re se sa kohë harxhon para ekraneve në raport me aktivitetet e tjera. Fëmijët të vendosur përballë lojërave fizike kanë një zhvillim emocional të mirë dhe fillojnë t’i njohim emocionet e tyre me më shumë sukses. Në lojën reale ti duhet të përballosh humbjet dhe ta përgëzosh atë që ka fituar, ndërsa në atë virtuale mbyll mikrofonin, nervozohesh dhe kjo sjell humbje të kontrollit emocional. Ndaj dhe lojërat fizike janë ato që përveç njohjes së emocionit të japin një maturim në mënyrën sesi reagon", thotë ajo.

Për prindërit duket i vështirë kalimi i kohës së gjatë me fëmijët në lojëra fizike, por zgjedhja e gabuar që ata bëjnë është dhënia e një tableti në mënyrë që fëmija të mos bëjë zhurmë.

"Lojërat le të jenë pa sasi kohore, për aq kohë sa janë fizike dhe kanë në thelb kreativitetin dhe jo domosdoshmërisht me ekranet në mes. Është e rekomandueshme që prindërit të përfshihen në lojëra me fëmijët sa herë të jetë e mundur, si loja e pretenduar, ajo simbolike etj. Loja e pretenduar është e rëndësishme sepse fëmija vendos veten në vendin e tjetrit dhe kjo ndikon tek empatia e fëmijës dhe rrit prespektivën. Duke u nisur edhe nga vetë intesiteti i jetës që kanë prindërit koha e pakët që ata mund të gjejnë për të luajtur me ta, duhet kontrolluar me kujdes raporti midis lojërave sidomos kur moshat janë të vogla para asaj shkollore. Por edhe kur janë më të rritur, prindërit duhet t’i vendosin fëmijëve një kohë, madje gjatë ditëve të shkollës t’i shmangim plotësisht lojërat virtuale", rekomandon terapistja.

Sipas specialistes, nuk ka një kohë të duhur për të kaluar me fëmijën dhe në rrethana të caktuara mund të ndërtosh mjaft mirë një lojë.

"Duke qenë se vera është pak e gjatë për fëmijët, vihet re se prindërit hasin vështirësi për t’u impenjuar çdo ditë me ta duke qenë se janë në punë. Megjithatë dita është më e gjatë mund të kalojnë më tepër kohë me ta, jo gjithmonë mund të presim kohën ideale mjafton një biçikletë, top dhe mund të krijojmë lojëra të ndryshme me ta. Duke bërë kështu që përveç se këto aktiviteti ndihmojnë në zhvillimin fizik dhe piskologjik i japin oreks dhe bëjnë që ata të flenë më tepër sesa kur nuk janë të angazhuar me lojëra fizike" thekson specialistja.

Qëndrimi përballë ekraneve apo dhe kalimi i kohës së lirë me lojërat fizike kanë përfitimet dhe disavantazhet e tyre, e rëndësishme është zgjedhja dhe mësimi se çfarë është e duhur dhe e gabuar për shëndetin e një fëmije.

"Teknologjia ka sjellë shumë të mira ndaj në aspektet pozitive do të rendisja informacionet e marra, shpejtësia, burime të ndryshme dhe fakti që informacioni i dëgjuar është i lidhur me një pamje, kjo e bën që të vendoset më mirë në memorien e një individi. Ndër aspektet negative janë varësia nga teknologjia, akses në informacione jo të përshtatshme për grupmoshën dhe kohëzgjatja", shprehet terapistja Silvi Mihali.