“Alba Festival” është një festival i veçantë në llojin e tij, organizuar në qiell të hapur, që përfindoi me sukses edicionin e tij të dytë në Zvicër. “Alba Festival” ka si qëllim të bashkojë popujt me njëri-tjetrin. Organizimit të këtij festivali i është kushtuar një hapësirë e madhe në mediat zvicerane, të cilat e vlerësuan atë si një event unik sa i përket kulturës dhe argëtimit të komuniteteve të huaja në Zvicër.

Alba Fest (Foto nga instagrami)

Alba Fest (Foto nga instagrami)

Edicioni i parë u mbajt në qershor të vitit 2019, ndërsa edicioni i dytë për shkak të pandemisë u mbajt në datat 2-3 korrik 2022. Synimi i këtij festivali, është që të mbushet një boshllëk në terrenin e festivaleve “OpenAir” dhe kjo është një risi.

Ora 14 pasdite e datës 2 korrik 2022 shënoi fillimin e festës, e cila zgjati deri në orët e vona të natës, në të gjithë hapësirën e vendit me flamujt kuq e zi në dorë.

Kanë qenë të shumtët artistët pjesëmarrës në këtë festival si, Sabri dhe Ermal Fejzullahu, Elita 5, Ylli Limani, Elvana Gjata, Dhurata Dora, Kida, Dafina Zeqiri, Butrint Imeri, Getoar Selimi, Mozzik, Ledri Vula, etj, të cilët i kanë patur të programuara performancat e tyre me orare përkatëse.

Disa nga artistët e njohur kanë dhënë opinoinin e tyre në lidhje me këtë festival, për ATV dhe përshtypjet për “Alba Festival” si dhe planet për projektet e reja.

Elvana Gjata (Foto nga instagrami)

Elvana Gjata (Foto nga instagrami)

Reperi Ledri Vula është shprehur:

“Në “Alba Festival” kam kaluar super edhe në ditën e dytë. Sa i takon projekteve të reja, kam edhe 3-4 këngë të reja, të cilat nuk do i sjell tani, por mendoj se do vijnë pas sezonit të verës. Ndërsa bashkëpunime kam pasur dhe duket se ne si kolegë e duam shumë njëri- tjetrin, sa s’po arrijmë dot të bëjmë një këngë vetëm. Mezi e gjejmë kohën për të bërë një këngë vetëm, sepse edhe shoqëria dhe energjia e mirë që kemi në studio, ka ndodhur që shumë suksese kanë ardhur shpesh me bashkëpunime”.

Ledri Vula (Foto nga instagrami)

Ledri Vula (Foto nga instagrami)

Ndërsa solisti i grupi “Elita 5”, Arif Ziberi është shprehur për “Alba Festival”: “Më vjen mirë që po performoj në “Alba Festival”, pasi kemi dëgjuar fjalë shumë të bukura për këtë festival, të cilat i vërtetuam, që është një organizim shumë i mirë. Sot jemi të disponuar që të krijojmë një atmosferë shumë të bukur, kemi përgatitur hitet më të mira të grupit Elita 5 dhe besoj se publiku do të kënaqet me këngët tona”

Arif Ziberi (Foto nga instagrami)

Arif Ziberi (Foto nga instagrami)

“Alba Festival” kishte një super organizim deri në detaje. Një miks koncertesh me artistë të njohur ndërkombëtarë dhe artistë të rinj nga vendi e jashtë tij. Përveç kësaj ka patur edhe larmishmëri gatimesh shqiptare dhe ndërkombëtare, ku të gjithë personat që ndoqën këto koncerte për dy ditë e netë me rradhë, mund të konsumonin aty pije dhe ushqime tradicionale shqiptare. Duke filluar me “fli” Kosove, prerë në trekëndësha, qebape, qofte të mëdha, pizza, por edhe shumë ushqime të tjera të veçanta pa munguar në fund dhe ëmbëlsira. Gjithashtu ndryshe nga festivalet e tjera këtë herë ishin vendosur “shisha-bare” të ndryshme për publikun, që ndoqi festivalin përgjatë dy netëve. Stafi i këtij festivali u kujdes që të kishte në çdo ambjent, persona për sigurimin e rendit, për të patur një siguri maksimale.

Alba Fest (Foto nga instagrami)

Alba Fest (Foto nga instagrami)

“Alba Festival”, i cili ka mbledhur shqiptarë nga e gjithë Europa, pritet që vitin e ardhshëm të ketë edhe më shumë njerëz edhe përtej Europës. “Festivali më i madh shqiptar në Europë” kanë shkruar mediat zvicerane, si edhe mediat lokale.

Kështu u mbyll edhe ky edicion i dytë i “Alba Festival” me shumë sukses pranë stadiumit “Hardturm” të Zyrihut, për të pritur deri vitin e ardhshëm për një edicion të tretë, përherë edhe më madhështor.

Në fund të mbrëmjes, një ndër organizatorët e “Alba Festival” Mimoza Lekaj është shprehur: “Kemi kaluar shumë mirë, gjithashtu moti na mbajti mirë, dhe jam shumë e kënaqur. S’kam mundur ta besoj se do dilte kaq bukur, por jam mjaft e gëzuar që përfundoi me sukses. Ka qenë një energji shumë pozitive në këtë festival, dhe kur i shoh njerëzit që kënaqen, është një ndjenjë që nuk mund ta harroj kurrë”.


Përgatiti: Sava Lena