Glejdis Spahiu ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, duke u diplomuar në degën e arkitekturës dhe prej disa vitesh ushtron profesionin e arkitektit. Krahas këtij profesioni një tjetër pasion i tij është dhe piktura, të cilën e ka nisur që në moshë të vogël, duke hapur dhe disa ekspozita në Tiranë. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për eksperiencën e tij në të dyja këto fusha si dhe synimet që ka për të ardhmen.

Glejdis Spahiu (Foto TV Klan)

Glejdis Spahiu (Foto TV Klan)

CMG: Glejdis kur i keni kryer studimet dhe pse zgjodhët arkitekturën ?

Glejdis Spahiu: Unë kam studiuar për arkitekturë nga viti 2008 deri në vitin 2015 në Universitetin e Urbanistikës në Tiranë me kohë të plotë, dhe jam diplomuar për master shkencor në arkitekturë. Përzgjedhja që unë kam bërë në lidhje me këtë fushë ka të bëjë jo vetëm me një pasion të caktuar, i cili ka ardhur si rekomandim i miqve të mi dhe familjarëve të cilët kanë qenë pjesë e kësaj fushë, disa prej tyre dhe merren me profesionin e arkitekturës, por më shumë ka të bëjë me idenë time sesi duhet t’i bëj gjërat.

Përveç kreativitetit, i cili lind si pjesë e artit dhe e krijimtarisë të cilën unë e ushtroj në mënyrë autodidakte prej shumë vitesh, ka të bëjë me faktin që dua të shikoj të realizuara gjërat që unë arrij të kryej, ku të kenë dhe një lloj funksioni përfshirë në to. Kjo është një nga arsyet kryesore që unë kam zgjedhur këtë fushë dhe analiza ka ardhur me pjekurinë e kohës e të moshës për të dalë në këtë përfundim, por para së gjithash ka të bëjë me kreativitetin por dhe të të parit të diçkaje në sytë e tu.

Nëse ti ke arritur të nxjerrësh një produkt i cili realizohet dhe krijon një lloj konteksti të caktuar, qoftë individual apo në lidhje me zonën ku ai projektohet. Për më tepër studimi i artit dhe arkitekturës në përgjithësi të bën që ta përmirësosh shumë këtë rrugë, dhe kjo nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, por duhet të jetë një hap për një ecuri të mëtejëshme në lidhje me ushtrimin e këtij profesioni.

Pikture nga Glejdis Spahiu (Foto personale)

Pikture nga Glejdis Spahiu (Foto personale)

CMG: Keni një vizioni për të ardhmen dhe për çfarë do t’i këshillonit arkitektëve të rinj?

Glejdis Spahiu: Patjetër që vizioni është gjëja kryesore, ajo është më shumë ndjesi sesa diçka e qartë në një moment të caktuar. Ndjesia jepet nga ajo që ti do të realizohesh me veten tënde dhe ke një aftësi dhe mundësi për ta shprehur këtë gjë që do të realizosh, ka të bëjë me faktin që përshtatet në lidhje me profesionin që ne po flasim. Ajo këshillë që unë mund të jap për arkitektët e rinj edhe pse unë jam akoma në fillimet e mia në këtë profesion, është se ka diçka të lidhur me kreativitetin të ndërthurur me rregulla sesa një profesion të caktuar, ka të bëjë me faktin që asnjëherë mos të bëjnë diçka të cilën nuk i bën të ndjehen mirë. Arrin një pikë që ti ke vështirësitë e tua, por nëse ti nuk ndjehesh që të realizosh veten tënde, është thjesht një rrugë e zgjedhur në mënyrë të gabuar. Secili ka idetë e veta të të shprehurit, qoftë nga ana artistike apo teknike, por në fund të ditës do të dojë të bëjë atë që ai bën më mirë sepse është një jetë e gjatë, një përzgjedhje e cila ka dhe kërkon investimet e duhura për të arritur disa pika kryesore mbi të cilat ti do të ecësh.

Pikture, Glejdis Spahiu (Foto personale)

Pikture, Glejdis Spahiu (Foto personale)

CMG: Një tjetër pasion i juaji është dhe piktura. Kur keni nisur të pikturoni dhe ju ka ndihmuar kjo gjë në fushën e arkitekturës për të cilën ju keni studiuar?

Glejdis Spahiu: Realisht piktura është një formë më e drejtëpërdrejtë shprehie që ka të bëjë me komponentin kryesor që është kreativiteti dhe fakti që ti do të shikosh diçka të realizuar. Është thjesht një funksion estetik, i cili për mua ka vlerën më të madhe sepse nëse ti je në kontakt me diçka që ti sheh dhe interpreton, e shikon produktin tënd më shpejt, je më në kontakt me ndjesitë që ti jep sepse i shikon dhe lexon ndjesitë e tua.

Unë e kam nisur këtë në mënyrë autodidakte, në fakt një frymëzim nga prindërit e mi rreth moshës 10 vjeçare. Kam bërë disa kurse të vogla rrugës për të marrë disa teknika, dhe qëllimi im ka qenë arritja e një pjekurie stilistike që unë të arrij të krijoj më vonë një gjuhën time e cila për më tepër duke u lidhur me profesionin e arkitekturës të shprehet në një formë unifikimi, pra dhe në arkitekturë dhe në art. Në rast se kemi disa stile në shekullin e 20-të, të cilat u konkretizuan me daljen e mjeteve shprehëse të modernizmit, unë mendoj që kjo në mënyrë klasike të të menduarit dhe zhvilluarit të profesionit të vazhdojë akoma sepse duke ditur se globalizmi ka ndikuar shumë te mjetet e shprehjes, te stili, marketingu dhe gjithëçka që ka të bëjë me artin dhe teknikën, mendoj se duke ndjekur logjikën e mëparëshme, e cila të bënte që të unifikoheshe një stil dhe një gjuhë e caktuar për të dhënë karaktere të ndryshme duhet të vazhdoi.

Unë jam më shumë me rrugën tradicionale të të vazhduarit të gjërave dhe nuk jam me rrugën e globalizmit dhe shijeve. Pak a shumë kështu mund ta përcaktoj unë që shijet unifikohen dhe bëhen të ngjashme dhe bëhen diçka masive, unë jam duke e kundërshtuar këtë në formën artistike kuptohet sepse është e vetmja mënyrë që unë mund të shprehem.

Pikture e realizuar nga Glejdis Spahiu (Foto personale)

Pikture e realizuar nga Glejdis Spahiu (Foto personale)

CMG: Çfarë keni realizuar gjatë këtyre viteve në pikturë dhe ekspozitat që ju keni hapur?

Glejdis Spahiu: Kërkesat për të bërë diçka artistike kanë qenë qoftë personale, por dhe diçka të frymëzuar nga vetja ime dhe për të përmirësuar teknikën dhe stilin, por nga ana tjetër ka pasur dhe kërkesa të cilat kanë zgjuar interesin dhe kureshtjen e njerëzve që i kanë pëlqyer. Unë kam realizuar disa ekspozita te Hotel Rogner rreth viteve 2018-2019 dhe tek kalaja e Tiranës të cilat për momentin janë ndërprerë për arsye sepse unë po planifikoj që ta ndryshoj mënyrën e shprehjes dhe mos të ngelem vetëm te piktuarat tradicionale, por ta integroj me një instalacion ose me një vepër arkitektonike.

Ky është një nga qëllimet që dua të arrij, i cili është një gjuhë unike dhe nuk është bërë akoma, përveç bienaleve ose ekspozitave instalacione që bëhen pak a shumë për publikun, dhe nga të gjitha aspektet unë kam bërë nga të gjitha llojet e punëve, qoftë portrete apo peisazhe. Kjo është gjëja tipike që ti mund të shfaqesh nëpërmjet një pikture sepse do bësh pak a shumë gjërat klasike. Por nga ana tjetër ajo që unë dua të arrij është përtej kësaj.

Kjo është një rrugë e gjatë që unë tani po bëhem i ndërgjegjshëm që kjo rrugë ka një kulminim dhe një zhvillim tjetër e cila ka të bëjë me pjekurinë dhe praktikën. Përsa i përket tregut të shitjeve të pikturave, kjo është diçka që ka të bëjë me aspektin personal, i cili është dhe zgjedhje. Unë nuk kam preferuar që të dal dhe të bëhem piktori klasik dhe të shes piktura ose të bëj diçka thejsht për të jetuar me pikturën, por dua që kjo të jetë në funksion të të gjitha unifikimeve të një lloj gjuhe që unë dua ta zbuloj vetë. Ky është qëllimi im dhe për këtë arsye nuk e kam bërë veten shumë publik, pra kam mbajtur një profil të mesëm me të dhe kam dashur ta formoj nga ana intelektuale gjithë zhvillimin tim.

Pikture, Glejdis Spahiu (Foto personale)

Pikture, Glejdis Spahiu (Foto personale)

CMG: Kush të merr më shumë kohë në kreativitet, arkitektura apo piktura?

Glejdis Spahiu: Ideja është që angazhimi që mund të kem nga ana profesionale ka një kohë të caktuar që është fikse, pasi unë punoj në një vend, por në të njëjtën kohë ushtroj dhe profesionin e lirë. Piktura ka një periudhë të veten gjatë ditës e cila e tillë bëhet shumë e ngjeshur, por mendoj se kreativitetetet janë të ndryshme sepse ti duhet fillimisht të mendosh për funksionin në arkitekturë, dhe për pikturën duhet të mendosh për kënaqësi të shijeve të njerëzve dhe vetes tënde dhe të trendit të gjërave sesi shkojnë.

Arkitektuara është më e rëndësishme në aspektin e zhvillimit të punës që bën, për faktin që ti arrin të nxjerrësh një produkt konkret nga dora e cila do të përjetohet dhe nesër njërëzit do shkojnë dhe do veprojnë mbi atë objekt, dhe normalisht kërkon një lloj serioziteti në kreativitet që të jetë në përputhje me funksionalitetin. Kjo është diçka klasike që flitet për këtë gjë, por nga ana tjetër duhet trajtuar dhe si art sepse në fund të ditës një fasadë që ti bën ose një vepër arkitektonike që ti bën, kërkon një gjuhë të caktuar arkitektonike e cila po të marrim aspektin historik ka shkuar bashkë me pikturën, sikur edhe me muzikën, pra të gjitha artet kanë bashkëvepruar.

Arkitektuara ka kërkuar pjesën teknike, e cila është e nevojëshme, kështu që nuk e ndaj pjesën kreative por rëndësinë që mund ti jepet arkitekturës është tjetër nga rëndësia që i jepet pikturës. Piktura është më instante dhe më ekspresive, je ti dhe telajo, ndërsa arkitektura kërkon një lloj angazhimi më profesional dhe shkencor.

CMG: Ku dëshiron të investosh në këtë fushë, në Shqipëri apo jashtë vendit?

Glejdis Spahiu: Investimi im dua që të jetë përtej kufijve, por absolutisht jo me qëllimin e vetëm të njohjes më shumë sesa me diçka që ka të bëjë me kufijtë e sotëm të cilët mungojnë në lidhje me artin dhe shprehinë, dhe dikush mund të njihet më shumë dhe në rast se mund ti krijohet një lloj kontakti më i mirë jashtë vendit. Pasi mundësitë që jepen brenda kufijëve janë shumë herë më të vogla në krahasim që mund të jepen jashtë. Absolutisht kjo nuk do të thotë largimin nga Shqipëria përfundimisht, por është diçka që lidhet me zhvillimin e profesionit përtej kufirit.

Fakti që njerëzit largohen ka të bëjë me shumë arsye, për të gjetur veten dhe karrierën si dhe për të ndihmuar familjen. Fati ka dashur që unë mos të kem probleme emergjente që ta bëj këtë zgjedhje, por dhe nëse do ti kisha do mendohesha pak më shumë për arsye sepse kënaqësia ime e madhe nuk është vetëm të kënaq veten time, por të kënaq dhe njerëzit të cilët investohen tek unë dhe duan të ecin bashkë me mua, qoftë familja, partnerja dhe të gjithë njerëzit që unë arrij të krijoj këto lidhje të ngushta.

Glejdis Spahiu.(Foto personale)

Glejdis Spahiu.(Foto personale)

CMG: Përveç këtyre dy fushave që ju tashmë i ushtroni, keni ndonjë pasion tjetër në jetë?

Glejdis Spahiu: Pasione të tjera mund të jenë sporti, jam marrë vazhdimisht me sporte të ndryshme jo profesional, por e kam gjetur veten në një formë të ngjashme me atë që kam bërë nga ana kreative sepse të jep ndjesinë e një lloj lirie për të arritur gjëra dhe për ti dhënë vetes më shumë shtysë për ta çuar veten më përpara. Sporti është më instant sepse ka të bëjë me fizikun, me energjinë që ti shpenzon kundrejt kësaj gjëje.

CMG: Jemi në sezonin e pushimeve verore. Ju do të pushoni këtë verë dhe ku mendoni të pushoni?

Glejdis Spahiu: Unë nuk preferoj të përcaktoj axhendën time sepse jam njeri shumë spontan në lidhje me këtë gjë. Mendoj që çfarëdolloj gjëje që më bën të ndjehem mirë në një moment të caktuar. Pushimi im më i mirë ka të bëjë me faktin që unë bëj një ose dy ditë shkëputje dhe vij dhe bëj prapë punën. Mund të shkoj një pasdite diku që unë mund ta ndjej veten të pushuar, pra nuk është se jam ai tipi klasik që erdhi fundjava dhe të bëj pushime.

Kjo nuk ka lidhje vetëm me mundësinë që i jep vetes ose punës që ti bën, por edhe me konceptin se si ti do e trajtosh kohën e lirë. Unë në kohë të lirë merrem me lexim, vazhdoj pjesën e pasioneve të mira dhe më shumë funksionoj nga ana spontane sepse ka të bëjë me ndjesinë personale.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe miqtë tuaj.

Glejdis Spahiu: Përshëndes të gjithë dëgjuesit dhe shpresoj që ky mesazhi im të jetë pozitiv dhe konstruktiv në lidhje me të gjithë ata që duan të bëjnë një karrierë të caktuar. Duhet të keni idetë e qarta se çfarë doni të bëni dhe të ecni me çfarë juve ndjeni.

Intervistoi: Gazmend Agaj