“O e bukura More” mendohet të jetë kënga më e vjetër në shqip që është kënduar vazhdimisht për mbi 500 vjet prej arbëreshëve dhe që ka një famë që rritet me vitet. Kjo këngë, kaq e bukur dhe e vjetër, ka kapërcyer brigjet e Adriatikut dhe është bërë shumë e dashur për ne, pasi këndohet kudo ku ka shqiptarë, duke u kthyer në një simbol të identitetit tonë kombëtar.

Vajza arbereshe- foto ilustruese - Credit diaspora shqiptare

Vajza arbereshe- foto ilustruese - Credit diaspora shqiptare

E gjejmë në ceremoni zyrtare, në festa për të rritur e për fëmijë, brenda dhe jashtë vendit, nga veriu në jug. Ritmi i rrëmbyer i refrenit e bën këngën shpërthyese, energjike dhe të fton në një vallëzim marramendës. Fjalët e tekstit, na bëjnë edhe më atdhedashës, pasi shqiptojmë fjalë që na fusin në përjetime të forta emotive, duke treguar se sa i brazët është shpirti kur braktis atdheun.

Po cila është historia e kësaj kënge që megjithëse shumë e vjetër, arrin të jetë bashkëkohore e të trajtohet deri në diskot verore të të rinjve buzë detit, duke u miksuar edhe nga DJ të famshëm? Kjo këngë vërtet është shumë e vjetër, por dokumenti i parë i tekstit të shkruar të këngës arbëreshe “Moj e bukura more” gjendet në dorëshkrimin e Kieutit, botim i vitit 1708. Më pas këtë material do ta ribotonte në librin e tij filologu arbëresh Dhimitër Kamarda, në vitin 1866. Në këtë dokument është publikuar teksti i kësaj kënge shkruar në shqip, por me alfabet grek.

partitura e kenges- credit Lapsi.al

partitura e kenges- credit Lapsi.al

Botim i këtij libri u realizua në Itali në vitin 1866 “Appendice al Saggio di Grammatologia Comprata Sulla Lingua Albanese” (Shtojcë e esesë së gramatikës e blerë në gjuhën shqipe). Për të kuptuar natyrën e këngës na shërben edhe dëshmia e Papa Piut të II-të, i cili i shkruante Dukës së Burgonjës, Filipit: “Nuk mund t’i shohë njeriu pa derdhur lot këta refugjatë nëpër limanet e Italisë të uritur e të zhveshur, të shpërngulur nga vatrat e tyre që rrinë anës detit e ngrenë në qiell duart. Qajnë e vajtojnë në një gjuhë që s’ua marrim dot vesh.”

Sipas shkrimtarit arbëresh Zef Skiroi, “O e Bukura More, përpara se t’i nënshtrohej ripunimit ideologjik të romantizmit të vonë, ishte pjesë e këngëve të festave të lashta të atdheut” dhe u interpretua, veçanërisht nga Arbereshët e Siçilisë, me rastin e disa festimeve rituale. Pra, kënga nuk kishte një domethënie patriotike, por kishte të bënte me këngët e vajit që këndoheshin në ceremonitë mortore, kur vdiste dikush i afërt në familje.

Pastaj kënga filloi të këndohej në Palazzo Adriano, një provincë e vogël kjo ku jetonin arbëreshët në Sicili, pranë Malit të Trëndafilave, çdo vit në qershor. Në të njëjtën periudhë në Mezzojuso, një tjetër provincë siciliane ku jetonin arbëreshët, kjo këngë nisi të këndohej në majë të një prej maleve me pamje nga qyteti, po kështu edhe në Contessa Entellina u interpretua në majë të malit me pamje nga Santa Maria del Bosco. Kënga u këndua gjithashtu edhe në Horën e Arbëreshëve, në ditët e Rrëshajëve, (festë fetare) në rrëzë të malit Pizzuta. Për faktin se kënga interpretohej nga majat e maleve, përballë Lindjes, në një periudhë e cila shkon që para Pashkëve dhe përtej fundit të pranverës, si dhe për faktin se teksti i dedikohet të afërmve më të ngushtë të varrosur në vendlindjen e braktisur, kënga nisi të konsideroj si këngë që i dedikohet trojeve të braktisur në Arbëri, mallit për njerëzit atje, të vdekur dhe të gjallë, fatit të emigrantit, mallit të mëmës dhe atit.

Arbereshet - Credit Koha

Arbereshet - Credit Koha

Kënga në Shqipëri filloi të shfaqej fuqishëm gjatë viteve 70 duke ruajtur konatacionin e saj lidhur me arbëreshët e larguar në Mesjetë nga atdheu drejt brigjeve të Italisë së jugut. Por është interesant fakti se si kënga në Shqipëri, sidomos pas viteve ’90, ka rimarrë motivin arbëresh të atdheut të lënë pas dhe mallit për të, dhe e ka vendosur atë në sfondin e emigracionit të ri shqiptar të pas 1990-ës. Nisur nga ky fakt, diaspora e re, nuk e përdor më këngën si t’i takonte së vjetrës, por sikur të ish krijuar për atë vetë. Është interesante të shihet si bartet pa kontradikta, vlera simbolike e këngës, prej elementeve vajtuese lidhur me funebritetin origjinal të përmbajtjes, për atin, mëmën dhe vëllain e vdekur, tek malli për atdheun arbëror në variantin e dytë të saj, përcjellë tani në mallin e emigrantëve të pas-90-ës për Shqipërinë e sotme.

Kënga në Shqipëri sot njeh disa variante, ku në variantet më të mira, ruhet shqiptimi fonetik arbëresh, të cilat e rrisin emocionin e këngës dhe janë të kuptueshme dhe të këndueshme për publikun shqiptar. Në variantet që këndohen më shpesh është variant ku hiqet krejtësisht pjesa me “tatën, mëmën dhe vëllain, gjithë mbuluar nën dhe”, me synim që, Injorimi i pjesës funebre (origjinali kuptimor) tia lëshojë vendin kuptimit patriotik të këngës si dhe refrenit të gëzuar që i bashkon. Gjithashtu përmendet edhe fjalia “se zemra ime, Shqipëria”, një shtesë e këtyre viteve. Në variantet e Shqipërisë kënga është përpunuar edhe në versionet e adaptuara për muzikë lirike që kanë hyrje të gjata orkestrale.

Ndërkohë që vetë arbëreshët e këndojnë sot e kësaj dite këngën “O e bukura More” kryesisht me një kitarë të vetme, që ndjek melodinë tipike të Jugut italian.

Neritana Kraja