Në 1 korrik të këtij viti u shënua 25-vjetori i kthimit në atdhe të Hong-Kongut. Më 22 qershor ishte zhvilluar ceremonia e hapjes së Muzeut të Pallatit të Hong-Kongut, ndërsa më 3 korrik ai do të presë vizitorët e parë.

Muzeu i Pallatit i Hong-Kongut që gjendet në distriktin kulturor “West Kowloon”, përballë portit “Victoria”, zë një sipërfaqe prej 13 mijë metrash katrorë, ndërsa ajo e sallave të ekspozitës arrin në 7.800 metra katrorë. Në muze gjenden 9 salla ekspozite, 5 prej tyre të cilave do të ofrojnë koleksione nga Pallati Perandorak, duke përfshirë piktura, relikte, libra të lashtë etj. Në dy salla të tjera do të ekspozohet koleksioni artistik i Hong-Kongut. Krahas këtyre, ka edhe dy salla të posaçme ku do të zhvillohen ekspozita të vendeve të huaja, në kuadër të shkëmbimeve artistike e kulturore mes Kinës dhe botës. Në muzeun shtatëkatësh, të rrethuar nga tre anë me det, ka një hapësirë të gjerë pushimi, dyqane, restorante etj., për t’iu ofruar vizitorëve shërbime të përsosura. Muzeu i Pallatit i Hong-Kongut është projekti i parë i bashkëpunimit i Pallatit Perandorak të Pekinit jashtë pjesës së brendshme të Kinës. Muzeu do të luajë një rol për përhapjen e kulturës e arteve kineze dhe për nxitjen e shkëmbimeve kulturore me vendet e ndryshme.

Më 23 dhjetor të vitit 2016, ish-drejtori i Muzeut të Pallatit Perandorak të Pekinit Shan Jixiang dhe ish-kryesekretarja për Administrimin e Rajonit të Posaçëm të Hong-Kongut Carrie Lam nënshkruan në Pekin “memorandumin e bashkëpunimit për ndërtimin e Muzeut të Pallatit të Hong-Kongut”. Më 29 qershor të vitit 2017, gjatë vizitës së presidentit kinez Xi Jinping në Hong-Kong, u nënshkrua “marrëveshja për ndërtimin e Muzeut të Pallatit të Hong-Kongut”.

Pas hapjes në korrik, Muzeu i Pallatit i Hong-Kongut do të organizojë ekspozitën e parë me koleksione nga Muzeu i Pallatit Perandorak të Pekinit, ku 914 relikte të çmuara do të shfaqen për vizitorët e Hong-Kongut. (Foto nga VCG)