Turistët provojnë gjellë të ndryshme në fshatin Yubang të kontesë Shaxian/ Xinhua

Turistët provojnë gjellë të ndryshme në fshatin Yubang të kontesë Shaxian/ Xinhua

Gatimet e zgjedhura janë pritur mjaft mirë në dhjetëra vende

Mbi 200 lloje gatimesh nga konteja Shaxian e provincës Fujian në Kinën Juglindore po provojnë suksesin, jo vetëm në të gjithë vendin, por edhe në mbarë botën. Teknikat e gatimeve të kontesë Shaxian u përfshinë në listën e Trashëgimisë Kombëtare Kulturore Jomateriale të Kinës më 24 maj 2021. Dy nga prej gjellëve më të përhapura të kontesë Shaxian janë makaronat e ziera në supë kockash, të përziera me salcë kikiriku si dhe uontonët (një lloj ravioli kinez) me mish dhe lëng, në një supë shumë të nxehtë.

Njëzet vite më parë Luo Guangcan nga qyteza Xiamao e kontesë Shaxian, e siguronte jetesën duke punuar në një fabrikë lokale këpucësh. Por tani fati i 59-vjeçarit ka ndryshuar. Ai fiton shumë herë më shumë të ardhura pas hapjes së pesë restoranteve që shërbejnë gatime “Shaxian” në qytete të mëdha, si Pekini, por edhe Tianjin apo Tangshan e Baoding të provincës Hebei. Ai nisi t’i menaxhonte këto restorante qysh prej 2007-ës, ndërsa katër vite më parë hapi në Singapor të parin restorant të tij jashtë vendit. Luo tregon se përfitimet vjetore nga biznesi i tij, i kalojnë 1 milionë juanë (rreth 153 mijë dollarë amerikanë). “Planifikoj të zgjeroj biznesin tim në Singapor si dhe të futem edhe në tregun e Malajzisë, ku ka shumë banorë me prejardhje kineze.” shton ai.

Mbi 60 mijë banorë, kryesisht ish-fermerë nga konteja Shaxian, kanë drejtuar restorante me ushqime “Shaxian” në mbarë Kinën qysh prej viteve ‘80-të të shekullit të kaluar. Këto lokale fillimisht funksiononin si një biznes I vogël ku punonin të gjithë familjarët. Por ndërsa numri i studentëve, punëtorëve migrantë dhe tregtarëve që vinin nga fshati në qytet shtohej çdo ditë pas Reformës dhe Hapjes së Kinës, gatimet Shaxian nisën të mirëpriteshim gjithnjë e më shumë. Ato zunë vend në qytet jo vetëm për shijet e tyre të këndshme, por edhe çmimin e përballueshëm. Ndërkohë, pronarët e restoranteve, të cilët mbështeten në marzhe të vogla fitimi, kanë nisur t’i shtojnë të ardhurat duke zgjatur orarin. Sipas Shoqatës së Tregtisë së Gatimeve “Shaxian”, në mbarë Kinën aktualisht ka mbi 88 mijë restorante të tilla, me një xhiro vjetore prej 50 miliardë juan-ësh.

Një pronare restoranti u shërben konsumatorëve gatime “Shaxian” në qytetin Sanming të provincës Fujian, 18 nëntor 2020./ Xinhua

Një pronare restoranti u shërben konsumatorëve gatime “Shaxian” në qytetin Sanming të provincës Fujian, 18 nëntor 2020./ Xinhua

Biznesi i gatimeve “Shaxian” është bërë shtylla e ekonomisë lokale, përmes ofrimit të ushqimeve cilësore dhe çmimeve konkuruese. Luo tregon se fillimisht kishte hezituar për hapjen e një restoranti, duke menduar se do ishte tejet e vështirë t’i arrinte të tjerët që merrnin shumë fitime nga një biznes i tillë. Luo kujton shumë mirë 8 gushtin e vitit 2000, kur presidenti Xi Jinping, asokohe zv/sekretar i Komitetit provincial të Partisë Komuniste të Kinës në Fujian dhe guvernatori i saj, bëri një inspektim në kontenë Shaxian. “Ndodhi rastësisht që ai të vizitonte edhe shtëpinë time, bisedoi me mua për punën dhe më inkurajoi të zhvilloja biznesin e gatimeve ‘Shaxian’ për të rritur të ardhurat.” tregon Luo. “Ai tha se gatimet ‘Shaxian’ mund të bëhen shtylla e ekonomisë së kontesë dhe nëse zhvillohet siç duhet, ne do të kishim një të ardhme të ndritshme.” shton Luo.

Në vitin 2007 Luo shpenzoi 500 mijë juanë për krijimin e restorantit të tij të parë me gatime “Shaxian” në Pekin, duke ndryshuar rrjedhën e jetës. Pas shumë vitesh në këtë biznes sot Luo po shijon suksesin e inisiativës së tij. “Gatimet “Shaxian” kanë pasuruar mjaft njerëz nga vendlindja ime, por më e rëndësishmja është se ata kanë shërbyer edhe si “ambasadorë të ushqimit”, duke i bërë të famshme këto gatime për të huajt.” thotë Luo me krenari.

Një restorant e "Mezetë Shaxian" me logon "Pac-Man" në qytetin Changzhou të provincës Jiangsu të Kinës Lindore/ foto nga VCG

Zgjerimi i markës

Që nga mesi i vitit 2018, restorantet e “Mezeve Shaxian”, me logot e tyre ikonike të ngjashme me “Pac-Man”, janë hapur në plot 62 vende e rajone të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Japoninë, Australinë, Francën dhe Portugalinë. Një zgjerim i tillë jashtë vendit për një numër të madh markash të ushqimeve të shpejta, vjen pas suksesit të provuar fillimisht në Kinë.

Luo mendon se ky hov zhvillimi për gatimet “Shaxian” gjatë dekadave të fundit është i pandalshëm, ndërsa vazhdon të përkrahet fort nga qeveria lokale. Yang Xingzhong, sekretari i Komitetit të PKK-së në kontenë Shaxian, thotë se qysh nga fundi i viteve ‘90-të të shekullit të kaluar, qeveria lokale është përpjekur të krijojë më shumë vende pune dhe të rrisë të ardhurat për punëtorët nga fshati, duke zhvilluar industrinë e katering-ut. Në vitet 1985 - 2002, kur presidenti Xi Jinping punoi në provincën Fujian, ai bëri mjaft inspektime në kontenë Shaxian. Sipas Yang, presidenti Xi Jinping u kish kërkuar që atëherë zyrtarëve lokalë “të përcaktonin si prioritet, sidomos gatimet “Shaxian”, për rritjen e ekonomisë vendase dhe forcimin e sektorit të shërbimeve”.

Për t’iu ofruar konsumatorëve ushqime origjinale, Shoqata e Tregtisë së Gatimeve “Shaxian”, e krijuar në vitin 1997 dhe përkrahur nga qeveria lokale, regjistroi markën tregtare “Mezetë Shaxian” në vitin 2014. Me manaxhimin unik, shoqata synon ofrimin e gatimeve me koncesion, në mënyrë që “Mezetë Shaxian” të bëhen një markë ndërkombëtare si “KFC” dhe “McDonald’s”.

Gatimet tipike “Shaxian”; kek taro-je, dampling, uonton dhe byrek i mbushur me mish dhe kërcell bambuje. / China Daily

Gatimet tipike “Shaxian”; kek taro-je, dampling, uonton dhe byrek i mbushur me mish dhe kërcell bambuje. / China Daily

Gatimet tipike “Shaxian” përfshijnë shtatë kategori, si makarona, uonton, dampling, supë, ushqime të ziera ngadalë, rizoto dhe vakte të kombinuara. Çdo kategori ka mundësi të përfshijë 10 deri 20 pjata të ndryshme, çka do të thotë se një restorant i thjeshtë mund të ofrojë mbi 100 produkte. Për të siguruar shije origjinale qeveria lokale krijoi një qendër trajnimi në kontenë Shaxian, duke ofruar kurse për kinezët që dëshirojnë të nisin këtë biznes, brenda dhe jashtë vendit. Një kuzhinë qendrore është ndërtuar gjithashtu për të shpërndarë produkte gjysmë të gatshme në restorantet me koncesion në mbarë vendin. Yang, sekretari i Komitetit lokal të Partisë, thotë se zhvillimi i industrisë së katering-ut u vërtetua si një rrugë e drejtë për nxitjen e rritjes ekonomike në konte. Sipas tij, të ardhurat e disponueshme për frymë të fermerëve vendas u shtuan nga 2.805 juanë në vitin 1997, në 20.528 juanë vitin e kaluar, duke nxjerrë përfundimisht nga varfëria të gjithë ata që jetojnë në zonat rurale. “Jemi të sigurt se bizneset e vogla do të kthethen në një industri të madhe, ndërsa njerëzit do të përfitojnë nga zinxhirët industrialë, sidomos ajo e katering-ut”, përfundon Yang.

(Wang Lei / Edmond Laçi)

Një profesionist u mëson studentëve të gatuajnë në një qendër përgatijeje në kontenë Shaxian./ Xinhua

Një profesionist u mëson studentëve të gatuajnë në një qendër përgatijeje në kontenë Shaxian./ Xinhua