Jerida: Gëvei tingxhun nimen hao! Në emisionet tonë ju kemi sjellë herë pas here shprehje idiomatike nga gjuha kineze si dhe shprehje nga mendimi filozofik kinez, me anë të të cilave jo vetëm rrisim njohuritë për kinezishten, por njëkohësisht nëpërmjet tyre njihemi edhe me kulturën e filozofinë kineze si dhe ndikimin që ato kanë pasur në formimin e mentalitetit, mënyrave të sjelljes së kinezëve.

Iljaz Spahiu: Kujtojmë idiomat dhe disa nga shprehjet që kemi mësuar në emisionet e kaluara.

-Heerbutong (和而不同) -Harmoni, por jo uniformitetit ose Harmoni dhe diversitet

- Yǔguò tiān qíng(雨过天晴) –që fjalë për fjalë përkthehet “Pas shiut del qielli i kthjellët”, ose Pas stuhisë shkëlqen dielli

- Huàshétiānzú (画蛇添足) - Vizaton gjarprin dhe i shton këmbë

- Duì niú tán qín (对牛弹琴) – Kuptimi fjalë për fjalë është “Luaj në harpë, për kaun”

Jerida: Edhe mua më pëlqejnë shumë këto shprehje idiomatike, të cilat në fakt tregojnë jo vetëm pasurinë e gjuhës por edhe thellësinë e mendimit dhe mençurinë e popullit kinez. Po sot, cilat janë shprehjet që do të bëjmë të njohura për ndjekësit e emisioni tonë “Mësojmë kinezisht”

Iljaz Spahiu: Shprehja e parë është një thënie e Konfucit, filozofit kinez mbi 2500 vjet më parë, të cilin unë e kam shumë për zemër.

-Konfuci, nje nga filozofet dhe mendimtarët më të shquar në gjithë historinë shumëshekullore të Kinës, themelues i doktrinës konfucianiste, e cila per më shumë se dy mijë vjet ka pasur një rol dhe ndikim të padiskutueshëm në gjithë organizimin dhe qeverisjen shtetërore të Kinës, në mënyrën e të vepruarit e në mentalitetin jo vetëm të kinezëve, por edhe të gjithë Azisë.

-Shprehja që kam zgjedhur për sot: Xué ér bùyàn, huìrénbùjuàn (学而不厌,诲人不倦)që në shqip do të thotë: Të jesh i pangopur së mësuari dhe i palodhur në mësimdhënie, ose Kurrë mos u mërzit duke mësuar vetë dhe asnjëherë mos u lodh, duke mësuar të tjerët.

-Kjo shprehje është marrë nga libri “Analet” i Konfucit, me anë të së cilës filozofi i madh iu drejtohej studentëve të tij që ta kishin si moto udhëzuese në jetën e tyre.

-Konfuci i cili ka jetuar në periudhën e Pranverë- Vjeshtës, shquhej për eksperiencën dhe metodën e tij të mësimdhënies dhe shpesh diskutonte me studentët probleme nga më të ndryshmet, i ndihmonte në zgjidhjen e çështjeve të vështira si dhe i inkurajonte të formohen si njerëz me integritet moral, me virtyte, të zellshëm e studioz. “Mësoni pa ndërprerje, përsërisni ato që keni mësuar dhe njihuni me të rejat”- ishte porosia që Konfuci iu përsëriste vazhdimisht studentëve. Studentët e mburrnin më mënyrën e tij të mësimdhënies, ndërsa Konfuci iu përgjigjej me modesti: Xué ér bùyàn, huìrénbùjuàn (学而不厌,诲人不倦) – Pra kurrë mos u ngop duke mësuar dhe mos u lodh duke mësuar të tjerët.

Jerida: Përveç këtyre shprehjeve të bukura dhe domethënëse të shkëputura nga filozofët kinezë, mjaft interesante janë edhe idiomat, disa prej të cilave vërtetë perla të gjuhës kineze.

Iljaz Spahiu: Ashtu është. Prandaj unë edhe për sot kam zgjedhur një idiomë mjaft të bukur dhe me një histori interesante.

- Zǒumǎguanghuā (走马观花) – Vështron lulet hipur në kalë. Shprehje të ngjashme në shqip: Bën gjërat shkel e shko, Hedh një sy, Shikoj kalimthi.

-Edhe kjo idiomë rrjedh nga një histori:

Jetonte dikur një djalë çalaman, i cili megjithatë ëndërronte të martohej me një vajzë të bukur. Për këtë pajtoi si lajmës një person të quajtur Hua Han, i cili gjeti një vajzë të quajtur Ye Qing, e cila e kishte hundën me defekt, me mendimin që ti martonte dy të rinjtë. Kështu që ai iu tregon atyre vetëm anët e mira të njëri tjetrit.

Ditën e takimit ai i tha djalit të kalonte hipur në kalë nga porta e vajzës, kurse vajzës i tha të qëndronte te porta kokë ulur e me një lule në dorë. Pas takimit dy të rinjtë mbetën të kënaqur dhe vetëm ditën e dasmës ata panë njëri tjetrin siç ishin në të vërtetë, megjithatë qeshën me takimin e tyre të parë dhe përfunduan të lumtur.

Nga kjo histori ka dalë shprehja: Zoumaguanhua (走马观花), që iu referohet atyre që i kalojnë gjërat shpejt e shpejt, që shohin përciptazi vetëm pamjen e jashtme, pa arritur të zbulojnë detajet.

学而不厌,诲人不倦 - Xué ér bùyàn, huìrénbùjuàn (sjye er buyen, huizhen bu xhjyen)Kurrë mos u mërzit duke mësuar vetë dhe asnjëherë mos u lodh duke mësuar të tjerët

走马观花 - zǒumǎ guān huā (xouma guan hua) Vështron lulet hipur në kalë

孔子 - kǒngzǐ (kunxë) Konfuci

论语 – lúnyǔ (lun y) Analet

和而不同- hé ér bùtóng (hë er butun) Harmoni dhe Diversitetet

画蛇添足 – huàshétiānzú (huashë tienxu) Vizaton gjarprin dhe i shton këmbë

对牛弹琴 - duìniútánqín (tuinju tançin) Luaj në harpë për kaun

成语 – chéngyǔ (çëng y) Idiomë

Përgatiti Iljaz Spahiu