Gramshi, një qytet i vogël në juglindje të Shqipërisë shënon pandërprerë veprimtari kulturore, artistike dhe sportive, që gjallërojnë jetën e banorëve të tij. Një rol të veçantë luan dhe Qendra Kulturore e Fëmijëve “Adem Hoxha”, e cila prej vitesh ka krijuar një traditë të bukur të zbulimit të talenteve në radhët e fëmijëve dhe të rinjve. Pavarësisht pandemisë Covid 19 dhe kufizimeve të saj, fëmijët dhe të rinjtë gramshiotë duke respektuar rregullat kanë sjellë një repertor të gjerë veprimtarish në atmosferën e qytetit, në çdo stinë.

Drejtorja e Qendrës Kulturore të Fëmijëve Gramsh Leidi Shqiponja (Facebook)

Drejtorja e Qendrës Kulturore të Fëmijëve Gramsh Leidi Shqiponja (Facebook)

Drejtoresha e kësaj qendre, poetja Leidi Shqiponja, nëpërmjet linjës telefonike sjell një panoramë të gjerë të veprimtarisë së Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Adem Hoxha” të Gramshit.

CMG: Qendra Kulturore e Fëmijëve “Adem Hoxha” ka veprimtari të shumta kulturore, që bëhen të njohura dhe në rrjetet sociale nga ju në mënyrë të veçantë, por dhe nga Bashkia e qytetit. Njihemi më gjerë me këtë qendrën, emrin dhe rrugëtimin e saj.

Leidi Shqiponja: Po, është e vërtetë. Ne përpiqemi të bëjmë më të mirën e mundshme me fëmijët, por jam e mendimit se sado shumë të punosh me fëmijët, përsëri është pak. Jo më kot një shprehje popullore thotë “Të gjitha lulet e së ardhmes, janë farat e së tashmes”. Nëse ne nuk punojmë shumë për fëmijët që ata të jenë të lumtur, të argëtohen, të organizojnë sa më shumë veprimtari, atëhere kemi bërë pak për të ardhmen.

Leidi Shqiponja dhe artistet e vogla të qendrës (Facebook)

Leidi Shqiponja dhe artistet e vogla të qendrës (Facebook)

Qendra Kulturore e Fëmijëve në Gramsh është krijuar në vitin 1972 dhe atëhere quheshin “shtëpi pionieri”, ndërsa pas vitit 1990 quhen qendra kulturore të fëmijëve. Që me krijimin e saj Qendra ka patur një jetë të pasur artistike, kjo falë dhe specialistëve të ardhur nga Tirana, Elbasani, Korça etj.

Qysh në vitin 1972 është organizuar Festivali i Parë i Fëmijëve në shkallë rrethi dhe është vazhduar vit pas viti me disa ndalesa pas vitit 1990 për arësye financiare, ndërsa 2020 ne organizuam Festivalin e 31-të. Shpresojmë shumë që në maj të këtij viti të organizojmë Festivalin e 32-të të Fëmijëve. Vitin që shkoi nuk mundëm ta organizonim për shkak të pandemisë.

Festivali i Këngës për fëmijë (Facebook)

Festivali i Këngës për fëmijë (Facebook)

CMG: Si funksionon Qendra juaj?

Leidi Shqiponja: Qendra jonë ka një godinë modeste me një sallë prej 110 vendesh, me katër zyra që organizojmë provat me fëmijët, por më shumë veprimtaritë i organizojmë në Pallatin e Kulturës dhe në natyrë. Është ngritur si ndërtesë në vitin 2003 dhe i është vënë emri Adem Hoxha në nderim të piktorit të mirënjohur të Gramshit, i cili ka marrë pjesë në veprimtari kombëtare dhe ka marrë çmime kombëtare. Ai ka qenë një piktor shumë i dashur edhe për fëmijët sepse punonte shumë me ta, me talentet e reja dhe nga Gramshi ka plot piktorë të rinj që kanë dalë gjatë këtyre viteve.

Maratona e nxënësve në Gramsg (Facebook)

Maratona e nxënësve në Gramsg (Facebook)

CMG: Si keni mundur të mbani larg pandeminë nga veprimtaritë e Qendrës?

Leidi Shqiponja: Fatmirësisht në Gramsh nuk ka patur numër të madh të infektuarish. Megjithatë ne jemi përpjekur të respektojmë rregullat. Fëmijët hyjnë në Qendër me maska dhe provat i bëjmë me maska, ndërsa shumë veprimtari i kemi organizuar në natyrë.

CMG: Natyra e qytetit tuaj është e bukur dhe kam përshtypjen se Gramshi tani është bërë një qytet më i vizitueshëm dhe për shkak të infrastrukturës.

Leidi Shqiponja: Gramshi nga Tirana është vetëm 90 km larg. Rruga që u bë buzë liqenit, i cili u ngrit në sajë të veprës hidroenergjetike të Banjës e ka bërë pamjen më piktoreske dhe ka tërhequr shumë vizitorë . Ne kemi shumë atraksione turistike në territorin e bashkisë sonë siç është Shpella e Kabashit, Kanioni i Holtës, Liqeni i Zambakëve.

Nxënës artistë të Qendrës (Facebook)

Nxënës artistë të Qendrës (Facebook)

CMG: Të çfarë natyre janë veprimtaritë që organizohen në Qendrën tuaj?

Leidi Shqiponja: Në Qendër funksionojnë tre sektorë; sektori i artit, që organizon veprimtari kulturore dhe artistike; sektori i sportit që organizon veprimtaritë sportive dhe sektori tekniko-shkencor. Në fakt kemi mungesa, por kemi organizuar veprimtari kulturore-artistike dhe sportive. Veç spektakleve sepse përfshijnë të gjitha elementet e një spektakli që nga vallja, aktrimi, recitimi, instrumentat, kënga etj, përveç koncerteve që kemi dhënë për festat kombëtare dhe lokale, kemi organzuar dhe koncertin e vitit të ri. Dua të theksoj se spektakli i vitit të ri në Gramsh nuk është ndërprer asnjëherë, që kur është krijuar Qendra. Përpiqemi ta organizojmë sa më bukur me të gjithë elementet e spektaklit, me masivim fëmijësh ndërsa Bashkia çdo vit ndan dhurata për të gjithë nxënësit e dalluar të territorit të saj. Sivjet ndau dhurata për 100 nxënësit më të mirë ku iu ndanë libra dhe ne organizuam një spektakël shumë të bukur.

Veprimtari artistike të Qendrës në natyrë (Facebook)

Veprimtari artistike të Qendrës në natyrë (Facebook)

CMG: Ju jeni drejtuese e Qendrës Kulturore të Fëmijëve, por njiheni si poete, tekstshkruese e disa këngëve të muzikës së lehtë. Cilat janë planet tuaja krijuese për këtë vit?

Leidi Shqiponja: Sigurisht veç teksteve të këngëve që i kam të domosdoshme t’i bëj sepse punoj me fëmijët, unë kam marrë pjesë me 22 tekste këngësh në Festivalin Kombëtar të Fëmijëve në Shkodër, jo gjithmonë me fëmijë të Gramshit, por me kompozitorë të njohur si Edmond Rrapi, Edmond Zhulali, Shpëtim Saraçi. Ne do të bëjmë festivalin e këngës për fëmijë dhe patjetër duhet të bëj tekste. Gjithashtu shkruaj poezi, skenarë, pjesë teatrale për fëmijët. Meqënëse sivjet është 50 vjetori i krijimit të Qendrës Kulturore të Fëmijëve kam nisur një libër që dua ta botoj për historikun e saj.

Intervistoi Eda Merepeza