Tepelena është një qytet që përmendet gjithmonë në librat e historisë, por jo në guidat turistike. Dhe ky është një mëkat. Mjafton të shkoni në Tepelenë për të parë kalanë e saj, për të parë nayrën e mrekullueshme mes burimeve të bukura me ujë, të hani sipas traditës së tepelenasve, të dëgjoni polifoninë e tyre dhe të keni dëshirë të ktheheni përsëri. Mendojeni si mundësi të bukur, të shkoni një ditë në Tepelenë, se në mos me atraksione të rralla të natyrës, takimi me historinë është vërtet mahnitës.

Tepelene qytet (foto Argjirolajm)

Tepelene qytet (foto Argjirolajm)

Si të shkoni në Tepelenë

Për të shkuar në Tepelenë duhet t'i drejtoheni jugut të vendit. Ndodhet në të majtë të lumit Vjosa, rreth 3 km larg nga vendi ku Vjosa bashkohet me Drinon. Mjafton të ndiqni rrugën nacionale Sh4 nga Fieri në Gjirokastrë. Mund të shkoni me makinën tuaj, apo me autobuzët e linjës që shkojnë për autostradën e jugut dhe në më pak se tre orë do të jeni aty.

Rrugës, para se të hyni në Tepelenë do të shihni me dhjetëra shitës ambulantë që shesin mjaltë dhe produkte të tjera vendase, në afërsi të ujëvarave të vogla dhe burimeve që burojnë drejtpërsëdrejti nga shkëmbinjtë përmes tubave pastike.

Tepelena (foto invest Albania)

Tepelena (foto invest Albania)

Çfarë të bëni

Qyteti do ju mirëpresë me statujën e Ali Pashës, i njohur si Luani i Janinës, politikani dhe udhëheqësi që lindi këtu në 1741 dhe që prej këtu qeveriste shumicën e territoreve të Perandorisë Osmane, derisa u rebeluar nën pushtetin e Sulltanit, ndaj përfundoi duke ia prerë kokën në Janinë. Duma ka folur për të edhe në librin “Konti i Monte Kristo”, ndërsa e gjejmë si personazh në disa këngë popullore, por ka frymëzuar gjithashtu edhe shumë shkrimtarë shqiptarë.

Shumë e qetë, pothuajse e përgjumur, qyteti sapo mbërrin, të ofron pak mbetje të kalasë së lashtë të Ali Pashës: në muret e rëndë ka mbirë bari dhe nga aty mund të shijoni një pamje të bukur panoramike të shtëpive dhe kopshteve të harlisur. Mbi gurët e lashtë, shfaqet një pllakë për nder të Lord Bajronit, mysafirit të Ali Pashës, të cilin pashai e priti, sipas fjalëve të poetit "si bir". Zoti i frikshëm i Epirit ka lënë pak gjurmë këtu përveç kalasë së tij të madhe prej 4 ha që dominon qytetin në veri, në një lartësi prej 300 m. Por mjafton kjo kala dhe historia e Ali Pashait, që ju të ndiheni të motivuar për të njohur këtë qytet të vogël të jugut të Shqipërisë.

Më tej, mund të shihni një urë. Kjo urë që lidh Tepelenën me bregun tjetër të lumit Vjosa, është spektakolare dhe kalohet çdo ditë nga burra, gra e fëmijë që e kalojnë atë në këmbë, me biçikletë me gomarë e deri me motoçikleta!

Ura origjinale është ndërtuar nga Ali Pasha si dhuratë për qytetin. Duke kaluar urën, mund të arrini në fshatin Beçisht, ku lindi në të vërtetë Ali Pashai dhe ku ndodhen edhe rrënojat e shtëpisë së tij.

Por, gaboheni, nëse mendoni se Tepelena nuk ofron gjë tjetër, përveç çfarë përmendëm më sipër. Në Tepelenë gjithashtu mund të vizitoni edhe Muzeun Historik, Urën e Dragotit, Kanionet e Nivices, Ujëvarën e Progonatit dhe shumë fshatra të bukur, sespe Tepelena është e rrethuar kudo nga uji dhe kjo e bën Tepelenën me burimet e saj, tejet interesante.

Lumi Vjosa pergjate Tepelenes (foto exit.al)

Lumi Vjosa pergjate Tepelenes (foto exit.al)

Uji i Ftohtë

Përveç peizazheve të saj të bukura që ju kap syri, do të ishte një ndalesë e shkëlqyer për të bërë një pushim në rrugën që lidh Tepelenën me Gjirokastrën. Duke u nisur nga fakti sipas të cilit duket sikur qyteti nuk ofron shumë turizëm, ju mund ta ndani fundjavën në dy pjesë, ku njëra do të ishte zbulim i natyrës, historisë dhe agriturizmit të zonës, dërsa pjesa tjetër, një ndalesë në Gjirokastër. Por, rrugës për në Gjirokastër, vetëm 8 km larg Tepelenës, pra në jug të saj, një ndër gjërat që nuk duhet humbr është të ndaleni tek Uji i Ftohtë dhe të pini nga burimi aty. Një ujë që vjen drejtpërsëdrejti nga burimi, i mbushur me minerale. Pikërisht në këtë vend mbushen me ujë shishet e ujit të markës Tepelenë, që janë të disponueshme në të gjithë vendin.

Pikërisht përballë fabrikës, ndodhet Parku i vogël Natyror i Ujit të Ftohtë (Monumentet e Natyrës Ujë të Ftohtë) ku rrjedh një ujëvarë e bukur. Ideale për një ndalesë pikniku. Këtu mund të pini kafe, të pini dhe të mbushni ujë, por të shijoni edhe një kos deleje të mrekulleshëm, që pritet si me thikë. Eshtë një lloj tradite që shoferët e linjave të autobuzëve që sillnin udhëtarë nga Tirana për në Sarandë, në rrugën që kalonte nga Tepelena, për shkak të udhës së gjatë, bënin një pushim në këtë pikë bashkë me pasagjerët, duke ngrënë edhe pilaf me kos e tasqebap. Një traditë që vazhdon edhe sot e kësaj dite, pavarësisht se ju mund të gjeni në këtë vend edhe plot ushqime të tjera, duke filluar nga qoftet e duke përfunduar tek mishi në hell. Mos hezitoni të bashkoheni edhe ju me udhëtarët e rastit që vazhdojnë të bëjnë një ndalesë aty. Eshtë një eksperiencë impresionuese që nuk duhet humbur.

Ura e Becishtit Tepelene (foto visit Gjirokastra)

Ura e Becishtit Tepelene (foto visit Gjirokastra)

Çfarë të hani

Soi kudo në jug të vendit, mishi i pjekur në hell, mban rolin e mbretit nëpër tryeza. Por në mënyrë të vecantë Tepelena shquhet për karakterin me të cilin e trajton mishin e pjekur në hell. Shoqëruar me raki, ky kombinim është kryefjala e cdo ceremoniali apo tavoline që meriton respekt. Mishin e pjekur mund ta gjeni në cdo restorant të zonës, por ju mundohuni të shkoni për të shijuar në ndonjërin nga destinacionet e Agriturizmit që janë hapur në këtë zonë. Ne rekomandojmë dy prej tyre, Lord Byron dhe Bujtina Xhebro.

Bujtina Lord Byron ofron restorant dhe akomodim për miqtë e saj. Njëkohësisht ofron edhe guida në natyrë me kuaj, guida të aventurës, pishina dhe plazh në lumë. Ushqime organike të cdo lloji të rritura në natyrë, një qind për qind bio.

Ndërsa, te Bujtina Xhebro e cila ndodhet në shpatin e malit të Këndrevicës, keni të garantuar një aventurë të vërtetë. Rruga për të shkuar aty është gjithë kthesa dhe disi e vështirë, pasi ndodhet në fund të fshatit Nivicë, por ia vlen të shkoni. Bujtina vë në dispozicion nga qendra e Tepelenes makinën e saj 4 x 4. Pasi të mbërrini ju pret një akomodim shumë i këndshëm dhe ushqime fshati të paharrueshme. Në këtë Bujtinë ofrohet përvec fjetjes dhe ushqimit, edhe ecje në natyrë si dhe tur në punishten e djathit. Mund të merrni me vete djathë të freskët gjithashtu.

Neritana Kraja