Çdo fillim viti, për njerëzit që i duan leximet dhe librat, shtron edhe pyetjen e librave të rinj që mund të lexojnë në vazhdim. Për 2022, platforma e librave bukinist. al, ka ndërtuar një listë me 11 libra, të cilët përkasin autorëve të rinj shqiptarë. Me autorë të rinj, kuptojmë shkrimtarë që kanë botuar më pak se tre libra të natyrës fiction, prandaj nga ky term, askush nuk duhet të ndihet i paragjykuar. Na ndiqni më tej për të mësuar se për cilët autorë dhe cilët tituj bëhet fjalë, në mënyrë që edhe ju t’i keni parasysh gjatë vitit të ri 2022.

“Të lirë” nga Lea Ypi

Lea Ypi, profesoresha e Teorisë Politike në London School of Economics, sjell perceptimin e saj prej fëmije, mbi Shqipërinë e pas viteve ‘90. Ky roman ka qenë një befasi e madhe pasi po botohet në 15 gjuhë të ndryshme të botës dhe së fundi erdhi në gjuhën shqipe. Libri është një gjysmë roman autobiografik, gjysmë ese filozofike, për lirinë dhe çfarë do të thotë të jesh i lirë dhe të kesh përgjegjësi si individ në periudhën e ndryshimit të sistemeve. Libri flet për një fëmijë që rritet në fund të viteve ’80, është një lloj roman formimi, romani i rritjes, ku personazhi kryesor rritet, kapërcen fëmijërinë dhe përjeton hyrjen në adoleshencë, ndërkohë që edhe shteti ku ajo jeton pëson të njëjtin transformim.

Foto donad.it

Foto donad.it

“Dielli më perëndon në lindje” nga Eralda Baze

Ky roman është befasi qoftë për lëndën e përzgjedhur, por edhe për kulturën në narracion. Pa frikë mund të konsiderohet edhe një roman feminist. Me një kulturë të madhe për mënyrën e rrëfimit, me guxim në trajtimin e lëndës narrative dhe me një pasuri të madhe gjuhësore, – ky libër të mban lidhur në mënyrë të ethshme deri në faqen e fundit, – njëherësh edhe të befason.

Personazhi kryesor, – një vajzë, e cila është në kërkim të dashurisë së vërtetë, – e ka të shenjtë lirinë e saj. Lidhja me një djalë egjiptian përfundon fatalisht për shkak të një mjedisi tej mase paragjykues, dhunues dhe absurd, ku jeta dhe liria e invidit nuk janë të përfillshme, sidomos nga njerëzit me pushtet. Ky libër rrok në shprehi, gjuhë dhe kuptim mëse miri mendësinë e epokës tonë, të sunduar nga shoqëria e spektaklit, nga veset e jetës së konsumit, nga boshësia dhe njëherësh nga mungesa e dimensionit të lirisë.

“Të vdesësh nën diell” nga Ervin Nezha

“Të vdesësh nën diell” është përmbledhja e parë me tregime nga autori premtues, Ervin Nezha, i cili u shpall edhe një nga tre fituesit e çmimit “Libri i karantinës”, dhënë nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Këto tregime dallojnë për stilin befasues dhe mjeshtërinë e ndërtimit të karaktereve. Tematika e tyre i mëshon fort fatit të përcaktuar të njeriut. Ato vijnë me stil të drejtpërdrejtë të të rrëfyerit, pa metafora e figuracion të tepruar, me gjuhë të çiltër, fraza të shkurtra e imazhe të gjalla, që u japin tregimeve zhdërvjelltësinë dhe befasinë.

“Trafikanti” nga Mirela Kanini

Ky libër sa tronditës, aq edhe tërheqës na bën të gjendemi përballë paragjykimit apo mirëkuptimit. Duket si një lojë psikologjike që të lë në udhëkryq dhe nuk di çfarë rruge të marrësh dhe kë anë të mbash. Po dashuria, a fal ajo, a i kalon dot sprovat e fatit?

Librat e rinj te 2022 foto faxnews.al

Librat e rinj te 2022 foto faxnews.al

“Bar Sahara” nga Dionis Prifti

Në këtë përmbledhje me tregime të shkurtra, subjekti ndërtohet sipas impresionit të ndjesisë, jo duke i qëndruar besnik narrativës. Detajet jepen jo në funksion të skalitjes së personazhit, por si veçori të fenomenit. Bashkëvendosja e këtyre detajeve, me ngjarje herë absurde e herë krejt banale, krijon një ngërç emocional, duke ngacmuar një këndvështrim ndryshe.

“Kolonë zanore” nga Rezarta Reçi

Autorja Rezarta Reçi vjen para lexuesit me një roman, i konsideruar si befasi në raport me tematikën që sjell, sepse thyen tabu ende të paprekura në letrat shqipe bashkëkohore, por dëshmon edhe mjeshtrinë e përdorimit të teknikave rrëfimtare, depërtimet psikologjike dhe gjuhën e gjallë që lëvron gjatë rrëfimit. Libri sjell një temë të re interesante në letërsinë tonë moderne dhe një këndvështrim të ri dhe origjinal në raportin e përjetshëm, githmonë në lëvizje dhe ende i pazbërthyer, të dashurisë.

“Tjetri/shqiptar” nga Ballsor Hoxha

Romani “tjetri/shqiptar” është rrëfim, dhe aq më shumë e folur pa ndalesa, pa kalkulim! Sinqeriteti infantil prej nga vëzhgohet bota në këtë roman, prej nga shfaqet një botë ndryshe, është i pakontrollueshëm. Dhe kjo e bën romanin të jetë çdo mënyrë rrëfimi, ese, tregim, roman etj. E, në fund të fundit, është vetë jeta, e jetuar, por kurrë e treguar me këtë sinqeritet!

“Sfidat e një humani” nga Clyde (Klajdi Thaci)

Në frymën e romaneve të famshme distopike, shumë të pëlqyera sidomos nga të rinjtë, vjen një roman që ka në qendër Truentin me 11 sfidat e tij, nga një vend me emër të trilluar, Trembaldi, “futur në ujë prej grykësisë së më të fortëve dhe djallëzoreve”!

“Memento Mori” nga Tobias Xhaxhiu

Tobias Xhaxhiu me veprën “Memento Mori” ishte fitues i Fondit për Letërsinë e të rinjve nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. “Mos harro se je i vdekshëm”. Ky është mesazhi në thelb të veprës “Memento Mori” nga Tobias Xhaxhiu. Frymëzuar nga legjenda sa nokturne, po aq edhe romantike e “Besës së Konstandinit”, romani sjell për lexuesin një ritregim të freskët dhe epik të ngjarjeve të baladës, të vendosur kësaj radhe në Arbërinë para-osmane. “Memento Mori” është një rrëfenjë e jashtëzakonshme mbi atë çka dikush është i aftë të kryejë për të vënë drejtësi dhe mbi të gjitha, për të mbajtur premtimet që nuk i zhbën dot as vdekja.

Librat e rinj foto nga Portalb.mk

Librat e rinj foto nga Portalb.mk

“Rruga e qumështit” nga Iva Musaraj

Iva Musaraj pas sprovave për fëmijë vjen për lexuesit me një roman, ku imagjinata ngjizet me realitetin e vitit të pandemisë, – një periudhë me paradokse thelbësore për ekzistencën e individit, – e cila ndryshoi raportet ndërnjerëzore dhe dimensionet e lirisë për jetën tonë.

“Purple” nga Ermal Lala

Një roman i përshkuar nga skena rrëmbimesh, plane djallëzore vrastare që mbajnë pezull fatin e personazheve dhe intriga të stisura prej letrash, të cilat priten të zbulohen, “Purple” ngrihet mbi binomin e krimit dhe vrullit të pasionit që prodhojnë dramaticitet dhe dinamizëm në strukturën e tij tekstore.

Neritana Kraja