Gjirokastra është një ndër ato qytete që nuk të mërzitet asnjëherë kur shkon si turist.

Nëse jeni në kërkim të një kështjelle madhështore, për ta eksploruar atë gjatë një fundjave, atëherë jeni në vendin e duhur. Por nëse dëshironi që guida juaj të vazhdojë edhe përtej saj, atëherë nisuni në Gjirokastër, qytetin ku gjysma e qytetit është e ndërtuar në mal, me gur, e gjysma tjetër, ajo e reja ndodhet poshtë këmbëve të tij.

Gjirokastra- foto nga Wikimedia

Gjirokastra- foto nga Wikimedia

Si të shkoni në Gjirokastër

Mund të shkoni me autobuzët e linjës, që nisen nga Tirana, përtej Lushnjës, për në Tepelenë dhe të mbërrini në Gjirokastër. Nisja bëhet nga Terminali i Jugut në kryeqytet. Për më shumë komoditet mund të shkoni me makinën tuaj, ku mund të bëni të gjitha ndalesat që dëshironi. Gjatë rrugës, ndalesa tek Uji i Ftohtë, për pilaf dhe kos “që pritet me thikë” është një traditë e çdo mjeti, që udhëton në atë drejtim. As ju mos e humbisni këtë eksperiencë!

Nga Tirana në Gjirokastër janë rreth 225 km, të cilat, duke mos llogaritur trafikun dalës nga Tirana, mund t’i bëni për rreth 3.5 orë.

Qafa e Pazarit - Foto nga Exit.al

Qafa e Pazarit - Foto nga Exit.al

Çfarë të bëni në Gjirokastër?

Sapo të mbërrini, duhet të parkoni diku makinën e të nisni vizitën tuaj me këmbë. Duhet ta dini se pjesa e vjetër e qytetit, që përbën edhe joshjen turistike, nuk është e përshtatshme për makina apo karroca fëmijësh. Rrugët janë të pjerrëta dhe me gurë, prandaj zgjidhni këpucë të përshtatshme. Një nga gjërat më interesante për të bërë në Gjirokastër është të humbisni në rrugët e brendshme me kalldrëm. Në vend që të vazhdoni rrugën që të çon në kala, fillimisht kthehuni djathtas dhe zbuloni Gjirokastrën autentike, me shtëpitë tradicionale, fiqtë, maanaferrat e egra, që flenë mbi muret e gurta. Këtu mund të takoni edhe disa nga banorët e zonës, të cilët janë shumë të dashur.

Në këmbë mund të shkoni kudo që dëshironi, duke përfshirë edhe kalanë, që tashmë erdhi koha që ta vizitoni.

Sahati ne kalane e Gjirokastres - Fotot nga Visitgjirokatra

Sahati ne kalane e Gjirokastres - Fotot nga Visitgjirokatra

Kalaja e Gjirokastrës

Vizita në kalanë e Gjirokastrës përbën edhe motivin e vizitës sonë. Historia e një vendi, bëhet më e prekshme, kur ndalesh në vlera shekullore të kësaj natyre. Për shkak të historisë së saj, kalaja është një nga atraksionet kryesore në Shqipëri.

Kjo kala njihet ndryshe si Kalaja e Agjirosë dhe ka një legjendë të sajën. Emri i kalasë vjen nga një princeshë shqiptare. Besohet se Argjiro ka qenë një princeshë gjatë shekullit të 14-të. Sipas legjendës, ajo nuk donte të kapej nga osmanët, prandaj, u hodh së bashku me djalin e saj të mitur nga majat e kalasë. Për fat të keq, princesha Argjiro ra në një gur dhe vdiq menjëherë, por djali i saj jetoi. Si rrjedhim edhe qyteti mori emrin Argjiro. Sidoqoftë, kjo është thjesht një legjendë që vendasve u pëlqen ta tregojnë.

Kalaja e Gjirokastrës, ndodhet në një lartësi prej 336 metrash dhe ka pamje nga qyteti dhe lugina e lumit. E hapur për vizitorët, kalaja përmban gjithashtu një muze ushtarak që shfaq një përzgjedhje armësh, topash dhe relikesh nga rezistenca ndaj pushtuesve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Po këtu do të shihni edhe mbetjet e një avioni të Forcave Ajrore të aleatëve, të cilin mund ta shikoni, të bëni foto pranë tij, por jo ta prekni. Të njëjtin avion do ta gjeni të përshkruar shumë bukur nga shkrimtari gjirokastrit, Ismail Kadare, si pjesë e kujtimeve të fëmijërisë, në librin “Kronikë në gur”. Të bëni bashkë përjetimin e një libri me objektin që e frymëzoi, është një nga gjërat frymëzuese në këtë qytet.

Kalaja është ruajtur mjaft mirë, duke pasur parasysh se daton nga shekulli i 12-të. Teksa ecni nëpër korridoret e saj madhështore, mund t'i imagjinoni shumë lehtë ato që kanë ecur përpara jush, duke përfshirë bizantinë, despotët e Epirit, osmanët, Ali Pashë Tepelenën, qeverinë e Mbretit Zog dhe sigurisht partizanët.

Kalaja përfshin pesë kulla, një kullë sahati, një kishë, një çisternë, një skenë të madhe që përdoret për festivale muzikore dhe një burg. Burgu është një vend i errët dhe është përdorur për të strehuar mijëra qytetarë gjatë kohës së mbretit Zog dhe të burgosur të tjerë. Hyrja në kala kushton 200 lekë.

Muzeu Etnografik Gjirokaster-Foto Faacebook Visit Gjiokastra

Muzeu Etnografik Gjirokaster-Foto Faacebook Visit Gjiokastra

Muzeu etnografik

Mos e lini pa vizituar Muzeun Etnografik të Gjirokastrës, që ndodhet në zemër të qytetit të vjetër. Por duhet ta dini, se nuk është thjesht një muze. Muzeu Etnografik është së pari shtëpia e lindjes së udhëheqësit me jetëgjatësinë më të madhe në pushtet, Enver Hoxha, i cili drejtoi vendin për 50 vjet. Ishte gjirokastrit, ndonëse jetoi pak në këtë qytet, për të shkuar në Korçë, për të ndjekur një trajektore tjetër jete atje.

Ai kaloi tetë vitet e para të jetës së tij në këtë shtëpi para se ajo të digjej deri në themel. Shtëpia u rindërtua dhe u shndërrua në muze antifashist për disa vite derisa u kthye në muze etnografik, ku gjejmë të ekspozuara veshje të bukura të traditës, tekstilet dhe orenditë e shtëpisë.

Me mure dhe tavane të bardha, dysheme guri e druri, me dritare të gjera me pamje nga qyteti, me hapësira të bollshme dhe plot dritë, ajo është një shtëpi tipike gjirokastrite, që të befason me traditën që përfaqëson në arkitekturë dhe etnografi. Fasada me dru të gdhendur, velenxa të kuqe sipër minderëve, koltrina të punuara me grep apo të qendisura me dorë, qilima të mëdhenj e shilte leshi, prezantojnë një traditë të çmuar të shtëpive qytetare dhe ofrojnë një atraksion që nuk duhet humbur.

Shtepia e Kadarese - Foto nga Wikimedia

Shtepia e Kadarese - Foto nga Wikimedia

Shtëpia e Kadaresë

Kushdo që vendos të shkojë në Gjirokastër nuk mund të mos vizitojë shtëpinë e lindjes të shndërruar në muze, të shkrimtarit më të shquar shqiptar, Ismail Kadare. Shtëpia e bukur e stilit otoman ofron pamje të mrekullueshme mbi shtëpitë tipike të Gjirokastrës. E shndërruar në muze, aty mund të gjeni krahas objekteve muzeale që lidhen me jetën e hershme të shkrimtarit, edhe ekspozita të ndryshme që pasurojnë jetën artistike të qytetit. Hyrja kushton 200 lekë.

Gjirokastra - Foto ATSH

Gjirokastra - Foto ATSH

Mes kalldrëmeve të gurta

Kur je në Gjirokastër, vendi më i pëlqyer për të bërë shopping dhe për të marrë një suvenir është Pazari. Mos prisni rroba dhe marka të shtrenjta, sepse këtu do të gjeni kryesisht sende artizanale, të punuara me dorë, duke përfshirë gdhendje druri, gdhendje në gur, tekstile, antike, argjend, qeramikë dhe kafene apo restorante tradicionale. Çmimet janë të arsyeshme dhe njerëzit që zotërojnë dyqanet janë miqësorë, interesantë dhe të gjithë kanë një histori për të treguar!

Receta Gjirokastrite - Qifqi - Foto nga laberianews.com

Receta Gjirokastrite - Qifqi - Foto nga laberianews.com

Ku të hani dhe të flini

Gjirokastra ka një traditë të pasur kulinarie dhe finese. Ushqimet përgatiten me shumë dashuri nga gjirokastritet të ciilat kanë ditur të ruajnë mjaft mirë traditat e të parëve. Menuja që ofrohet përbëhet kryesisht nga pjata lokale, duke përfshirë qofte të shijshme të bëra me mish të grirë dhe oriz, plot erëza aromatike, që njihen si qifqi. Po kështu në bujtinat e shumta do të gjeni byreqe të llojeve të ndryshme, me kunguj dhe arra, me spinaq e djathë, lakrorë me miell misri të njohur si pispili, karkanaqe- një lloj gurabie por jo e ëmbël, bobollaqe - qofte të rreme, mish në furrë, raki shtëpie, turshi dhe bukë të ngrohtë të bërë në shtëpi, apo hoshaf, një ëmblësirë e bërë me qumësht dhe fiq të thatë. Mund të hani ku t’ju pëlqejë, por ne po rekomandojmë bujtinën Odaja, ku mund të hani me 7 euro personi dhe Kodra me 10 euro personi.

Receta tradicionale - Qahi - foto nga agroweb

Receta tradicionale - Qahi - foto nga agroweb

Ndërkohë për të pirë një kafe të përkryer turke në një ambient të freskët dhe relaksues, mund të ndaloni Tek Rrapi. Ndërsa tek Kafene Çajupi mund të porositni hoshaf.

Për të fjetur rekomandojmë Hotel Kalemi 1 dhe 2, që janë në fakt dy shtëpi tradicionale të shndërruara në hotele. Gjithashtu edhe Hotel Kodra, që ndodhet afër Pazarit dhe ofron një pamje të shkëlqyer të Kalasë.

Neritana Kraja