Pas 5 vite mbylljeje për shkak të rikonstruksionit, TKOBAP u hap për publikun.

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor rihapi dyert në një mbrëmje Gala, me pjesëmarrjen e legjendës së operas botërore, Placido Domingo që sot është simboli i gjallë i historisë së muzikës operistike, i cili interpretoi vokalisht dhe dirigjoi njëkohësisht, si dhe pjesmarrjen e sopranos së mirënjohur shqiptare, Ermonela Jaho, një nga përfaqësueset më dinjitoze të muzikës shiptare nëpër botë.

I pranishëm ka qenë edhe kryeministri Edi Rama, ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe përfaqësues të lartë të shtetit, trupit diplomatik, miqve të TKOBAP, etj.

Mbrëmja Gala nisi me një dokumentar për historikun e TKOB dhe çfarë ka ndodhur që nga dita kur nisi rikonstruksioni. Më pas artistët u ngjitën në skenën, e cila tashmë nuk ka asnjë ndryshim me operat botërore.

Programi ishte i bazuar në shfaqjet më të bukura të historisë së teatrit, sikundër Zana Çela, drejtorja e këtij teatri, do të deklaronte për median, një ditë para premieres:

“Programi i këtij koncerti është hartuar me titujt më të bukur të vënë në skenë nga Teatri ynë i Operas dhe Baletit, tituj historik këto, përfshirë emrat e krijuesve të mëdhenj, Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Tish Daija, Panajot Kanaçi. E gjithë kjo tabllo, e cila zgjat rrerth 12 minutave do të koreografohet nga një balerin, Julin Dervishi dhe në të do të marrin pjesë e gjithë trupa jonë e Teatrit dhe Baletit”.

Inaugurimi i Teatrit me këtë Grand Gala, solli zëra të fuqishëm në skenë, të njohur botërisht, si për të treguar se kjo skenë e rikonstruktuar, i ka të gjitha kapacitetet dhe standardet për të pritur vepra dhe aktivitete të rëndësishme botërore, njëlloj si operat në Londër, Pekin, New York e Paris.

Më tej, në datat 24 dhe 25 shtator, shfaqjet do të vazhdojnë me dy premiera të Angjelin Prejlocaj, titulluar “Shfaqja”, me pjesmarrjen e Trupës së Baletit. Ndërsa datat 30 shtator dhe 12 tetor i takon Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore për programin e tyre koncertal.

Projekti i nisur në janar të 2017-s, pas gati pesë vitesh pritjeje, e cila u bë edhe më e gjatë për shkak të pandemisë botërore, tani ka përfunduar dhe artistët më në fund u kthyen në shtëpinë e tyre, në një skenë dinjitoze, ndërsa publiku ynë në salla komode dhe të ngrohta.

Që prej ndërtimit në vitin 1953 asnjë ndryshim i dukshëm nuk kishte ndodhur në ndërtesën e Teatrit Kombëtar dhe të Baletit. Derisa u gjetën fondet e nevojshme dhe nisi procesi i konstruksionit të parë dhe rrënjësor të ndërtesës së tij.

Projekti fillestar i rikonstruksionit ishte 1.2 miliardë lekë, por për arritjen e standardeve bashkëkohore është përdorur edhe buxhet shtesë. Për rikonstruksionin e ndërtesës, fondit të vënë të dispozicion nga qeveria shqiptare, iu shtuan edhe 1.5 mln euro, dhuratë nga Republika Popullore e Kinës. Ky grant është përdorur për dhurimin e pajisjeve gjatë fazës së parë, ndërsa për fazën e dytë një grant tjetër, prej 500 mijë euro, dedikuar totalisht për rikonstruksionin e TKOB.

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit është transformuar si nga akomodimi ashtu dhe garancia e parametrave teknikë e profesionalë të akustikës, cilësisë së zërit dhe me një skenë moderne në qendër.

Teatrit të Operas dhe Baletit, i janë modernizuar ambientet ekzistuese, i janë shtuar ambiente të reja, si studiot e solistëve dhe salla më të vogla, janë shtuar arkiva e biblioteka, i është rinovuar totalisht salla e shfaqjeve, janë shtuar llozha dhe janë vendosur kolltukë luksozë dhe të rehatshëm, por megjithatë investimet më të konsiderueshme janë bërë në pjesën e akustikës dhe në sallat e koncerteve, që konsiderohen pjesa kryesore e teatrit.

Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, asgjë nuk do të jetë si më parë. Transformimi është total. Asgjë nuk të lidh me të shkuarën, përveç pllakave që janë ruajtur për të lidhur historikun e ndërtesës.

Artistët e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit janë khtyer në shtëpinë e tyre 70 vjeçare. Një shtëpi e vjetër por e dashur, që i është dashur të presë shumë kohë, për t'u kthyer në shtëpinë me standarde, që duhet të përmbushë një opera bashkëkohore.

Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor është tempulli i artit skenik, muzikor dhe baletit, i vetmi institucion kombëtar i këtij lloji në Shqipëri.

Teatri përmes shifrave

  • Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka në përbërje të tij rreth 250 artistë, të cilët janë pjesë e orkestrës, korit, trupës së baletit, solistëve lirikë dhe Ansamblit Popullor.

  • Orkestra Simfonike ka në përbërjen e saj rreth 50 instrumentistë. Ajo është orkestra me nivel më të lartë ndër formacionet orkestrale.

  • Kori përbëhet nga 40 artistë. Repertori i korit të TKOB është i pasur dhe i larmishëm si me vepra skenike edhe ato koncertore, shqiptare dhe botërore.

  • Trupa e Baletit ka në përbërje të saj rreth 40 balerinë. Kjo trupë ka realizuar kryevepra të baleteve botërore dhe shqiptare si brenda dhe jashtë vendit dhe është vlerësuar me tituj nderi.

  • Trupa e solistëve lirikë është e përbërë nga 14 artistë, të cilët me repertorin e gjerë dhe nivelin artistik përballojnë me shumë sukses titujt e kalendarëve operistikë.

  • Ansambli Popullor është krijuar në vitin 1957. Ky ansambël përbëhet nga 40 artistë: solistët, grupi i valleve, kompleksi vokal dhe orkestrina. Aktiviteti i tij artistik qëndron në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë.

  • Neritana Kraja