Duke u nisur nga Tirana për 3 orë e dhjetë minuta do të jeni në Prespë, një destinacion mjaft interesant i fundjavës. Por mund të shfrytëzoni edhe një fundjavë në Korçë, për të kaluar një ditë të tërë në Prespë.

Si të shkoni dhe çfarë të bëni?

Është vetëm dyzet kilometra larg nga Korça, me rrugë të asfaltuar deri në Liqenas, apo Pustec, përgjatë të cilave do t`ju shoqërojë një natyrë e paqtë e larg kaosit të trafikut, sa do ta ndjeni veten në një botë tjetër. Plantacione të tëra me mollë e kumbulla, do t’ju shoqërojnë në të dyja anët e rrugës. Duke lënë në të majtë Zvesdën, do të ngjiteni lart për në Pustec. Nga lart do të sodisni kartolinën e Liqenasit, pikturuar me çatitë e kuqe që feksin mbi gjelbërimin e kodrinës, që zbret butë-butë dhe freskon këmbët në liqen. Dhe tutje në mes të liqenit, si një margaritar blu, ndodhet Ishulli i Maligradit.

Rruga është e bukur dhe me të shkuar në Pustec, mund të bëni ndalesën e parë tek lokali i fshatit. Aty mund të pini kafenë ose birrën e parë në fshat. Pusteci është bashkia më e vogël në Shqipëri.

Pusteci është një fshat kufitar minoritar. Sapo të mbërrini atje do të lexoni tabelat rrugore të shkruara në dy gjuhë. Banorët flasin mes tyre maqedonisht, radio transmeton muzikë maqedonase, ndërsa në lokal serviret birrë maqedonase “Skopsko” dhe produkte të tjera të konsumit.

Prespa është park ndërkufitar dhe turistët vijnë kryesisht nga ana e Maqedonisë, përmes Goricës. Të gjithë shkojnë në ishull, por edhe fshati është i bukur për t`u vizituar. Ka kisha, shtëpi karakteristike e mbi të gjitha njerëz buzgaz, që të presin me dashamirësi.

Pusteci dhe fshatrat e tij buzë liqenit të Prespës njihen si një prej zonave më të bukura turistike të Juglindjes. Natyra aty është thuajse e paprekur, bregu liqenor i lirë, pa çadra e pronarë që ta quajnë veten “zot” të tij.

Këtu do të shihni një qendër të vogël me sheshin para kishës së Shën Mëhillit. Kjo kishë daton që prej vitit 1754, por u rindërtua pas viteve ’90.

Gjithashtu pak minuta nga bashkia e fshatit, duke u ngjitur nëpër rrugica karakteristike me kalldrëm, mund të bëheni edhe vizitor i një koleksioni privat etnograf.

Eshtë një muze modest, ndërtuar si iniciativë e një ish mësuesi të historisë së zonës, i cili kuptoi nevojën e një muzeu të tillë, pasi turistët që vijnë duan të shohin më shumë për traditat dhe etnografinë. Shtëpia e tij u kthye në muze. Hyrja në muze është falas, por ju si vizitorë, mund të dhuroni diçka nëse keni dëshirë. Të ekspozuara janë veshje, objekte, mobilje dhe gjithçka tjetër, që datojnë nga fundi i shekullit XIX deri në fillimin e viteve ’90.

Nëse keni shkuar si turist përmes një agjencie turstike, atëherë guidën e kanë në dorë ata. Por nëse udhëtimin e keni ndërmarrë privatisht, me makinën tuaj private dhe keni nevojë për një guidë të specializuar, atëherë duhet të dini se persona të kualifikuar ofrojnë për udhëtarët dhe turistët guida turistike në liqen, që fokusohen kryesisht tek ishulli i Maligradit që ndodhet në mes të liqenit në pjesën shqiptare të tij.

Gjithashtu me shumë interes janë edhe vizitat në objektet e kultit që ndodhen brigjeve të liqenit dhe ku mund të arrihet vetëm me varkë. Kisha të vjetra me vlera të shumëfishta kulturore e fetare ndodhen në këtë zonë dhe tërheqin mjaft turistë e vizitorë.

Ishulli I Maligradit

“Maligrad” është fjalë në maqedonisht, që në shqip përkthehet “qytet i vogël”. Në pjesën maqedonase të liqenit ka një ishull tjetër të ngjashëm me këtë, por 4-5 herë më të madh dhe për këtë arsye quhet “Golemgrad” që në shqip do të thotë “qytet i madh”. Shpeshherë turistët i vizitojnë të dy ishujt.

Për të mbërritur në ishull, duhet të merrni një varkë. Të gjithë ata që dëshirojnë të shijojnë bukurinë dhe misteret e ishullit të Maligradit me varkë, duhet ta dinë se një udhëtim me varkë për në ishull kushton 2500 lekë. Nuk ka rëndësi se sa persona janë në varkë.

Çdo shtëpi e fshatit ka varkën e vet, por turistët duan siguri dhe kërkojnë të vozitin me peshkatarë, sepse ata ia dinë mirë hiletë varkës dhe liqenit.

Eshtë një ishull intrigues, plot histori dhe dëshmi, të cilat një turist që e pëlqen historinë dhe adhuron ikonografinë, nuk mund ta lënë indiferent.

Ishulli i Maligradit, është një ndër atraksionet më të veçanta, ku mund të shkohet për 20 minuta.

Një mol i vogël të hedh drejt e në shtegun ku ndodhet kisha e vogël ortodokse e Shën Mërisë. Thuhet se është ndërtuar në shekullin e XIV nga një fisnik i zonës, Kesar Novak (Qesar Novaku). Pranë kishës ndodhet edhe varri i një eremiti.

Në pjesën e sipërme të këtij ishullit, e arritshme nga ana veri-perëndimore, janë gjetur rrënojat e vilës verore të Car Samoilit, që i përkiste shek. X-XI. Në ballinën e kishës ndodhen afresket me piktura të portreteve të Carit që e rindërtoi kishën, bashkëshortes së tij, dhëndrit dhe vajzës së tij të cilët janë kurorëzuar në altarin e kishës së Shën Mërisë këtu në ishull. Kisha e Shën Mërisë është një objekt kulti i vjetër dhe ka shërbyer si qendër shpirtërore për prijësit shqiptarë të Muzakajve.

Në shpellën e Maligradit, ku ndodhet Kisha e Shën Mërisë, janë dy afreske të rralla, “Puthja e Judës” dhe “Shën Mëria”. Ndërsa në një libër të shkruar nga Gjon Muzakaj shkruhet se pikërisht në këtë ishull është varrosur gjyshja e tij. Histori e legjenda vërtet të çuditshme. Të intrigojnë këtu në brigjet ku kryqëzohen kufijtë shtetërorë të tre vendeve jo vetëm legjendat e përcjella gojë më gojë, por edhe realiteti i prekshëm.

Ndërsa ato që adhurojnë natyrën, në ishull kanë mundësi që të shijojnë një peizazh të mrekullueshëm dhe në kohë vere të lahen në liqen. Uji është i pastr si kristal.

Ishulli ka një sipërfaqe prej gjashtë hektarësh, mbuluar me bimësi mesdhetare por edhe shumë fiq, kumbulla e manaferra. Edhe po nuk patët marrë bukë me vete, mbushni duart me fruta dhe prisni derisa të vijë ora të shijoni një tavë krapi në Zaroshkë, se ia vlen pritja.

Tava e krapit

Zaroshka është fshati që ndodhet në anën tjetër të liqenit, kur dilni nga Pusteci dhe është stacioni i fundit ku do të ndaloni gjatë udhëtimit për në Prespë. Dhe s`keni si të mos ndaloni. Sepse udhëtimi për në Prespën e Madhe nuk mund të quhet i përfunduar, nëse nuk keni provuar Tavën e Krapit të Prespës, aq e ndryshme nga Tava e Krapit të Shkodrës. Këtë specialitet të mrekullushëm mund ta hani në secilën tavernë të fshatit, ndërsa shija mbetet po ajo, unike në Prespë!

Neritana Kraja