Leximet e vjeshtës për një pjesë të njerëzve mbeten ndër më të preferuarat. Pas pushimeve të verës, ditëve me diell dhe netëve të gjata me argëtim, çfarë më mirë se librat mund të na bëjnë shoqëri. Për të gjithë lexuesit që dëshirjnë të kalojnë koohën e lirë mes librave, për vjeshtën ne propozojmë leximin e disa librave biografik vërtet interesant.

Biografia është zhanri që sjell historinë rreth një personi real. Sigurisht, ky zhanër shkon përtej një historie të një individi. Përmes biografisë ne mësojmë për jetën e një individi, projektimin e jetës së tij në kohë, kontributet që ka dhënë për shoqërinë tonë, momentet kritike që ka kaluar dhe shumë elemente të tjera të cilat na ndihmojnë për të kuptuar shtegtimin në jetë të secilit prej nesh.

Përmes biografive ne presim që të marrim ndjesinë se po shohim jetën e personit real në kohë dhe vend tjetër. Qenia njerëzore zakonisht është tejet kurioze për të mësuar sa më shumë rreth qenieve të tjera njerëzore, sidomos për ata personalitete të cilët ndikojnë në fatet e jetëve tona.

Në konsultë me faqen bukinist.al, kemi menduar të përzgjedhim disa biografi të personazheve, pjesa më e madhe e tyre ende gjallë dhe protagonistë në ditët tona, por edhe të personaliteteve të spikatura të historisë, – me synimin që secili prej nesh të mësojë sa më shumë për këto personazhe, – dhe përmes tyre edhe për kohën tonë. Në fokus ne kemi personalitete të aktualitetit, të cilët kanë ende peshë në fatet dhe zhvillimin e historisë bashkëkohore.

Personazhe të tilla si Jeff Bezos, Steve Jobs dhe Princeshë Diana vazhdojnë të kenë ndikim të fortë përmes shembullit të tyre, prandaj këto biografi përmbajnë një dimension të fortë aktualizimi rreth ngjarjeve të ditëve tona.

Biografët përballen me pyetjet e shumta të lexuesit, si: Pse e ka bërë këtë biografi? Çfarë dëshiron të provojë autori? Kë dëshiron të bindë? Çfarë njohurish të veçanta përfshin ai në këtë biografi? Sa thellë botës së personazhit që ka në qendër të librit ka shkuar? A është një biografi e autorizuar apo jo? A kemi të bëjmë me përzgjedhje që ka ndikuar në jetën e biografit apo me modelin që e duan njerëzit dhe që përfaqëson diçka në fushën në të cilën ai ka dhënë kontribute?

Këto dhe shumë pyetje të tjera sigurisht ngrihen kur do të lexoni këto biografi, të cilat ne i kemi rekomanduar për ju në mënyrë që të kuptoni diçka më tepër nga realiteti që na rrethon. Por këtu vlen një këshillë: Librat që shkruhen për ngjarjet aktuale apo personazhe realë, ne duhet t’i shohim me filtrin e mendjes tonë, dhe jo me atë të autorit.

“Diana Historia e saj e vërtetë” nga Andreë Morton

Në këtë vëllim krejtësisht të riparë e të zgjeruar, Andreë Morton, paraqet materiale të reja, që e kanë burimin te regjistrimet e jashtëzakonshme, dhe që kanë çuar në rivlerësimin e trashëgimisë dhe rëndësisë së saj për Familjen Mbretërore. Ndonëse nuk është më mes nesh, nuk ka dyshim se Princesha nuk është harruar. Diana: Historia e saj e vërtetë – rrëfim në vetën e parë, është biografia më e arrirë që mund të ndeshim ndonjëherë.

Botimi i parë, në qershor 1992, i librit Diana: Historia e saj e vërtetë, ndryshoi një herë e përgjithmonë mënyrën e perceptimit të publikut për Dianën, Princeshën e Uellsit dhe Monarkinë Britanike. E pritur fillimisht me mosbesim dhe përçmim, kjo biografi bestselling, është kthyer tashmë në një letërsi klasike unike, jo thjesht për shkak të përmbajtjes të bujshme, por edhe për arsye të përfshirjes personale të Dianës në procesin e publikimit.

Tani, njëzet e pesë vjet më vonë, përparimet në teknologji kanë nxjerrë në dritë pjesë që më parë vlerësoheshin të padeshifrueshme, nga intervistat e regjistruara në fshehtësi me Princeshën, duke ofruar informacione të reja drithëruese për mendjen e Dianës, dhe një kronikë vërtet mahnitëse të jetës së saj brenda Familjes Uindsor.

“Të shesësh gjithçka: Jeff Bezos dhe epoka e Amazon” nga Brad Stone

Ky libër sjell historinë e thelluar të Amazon-it, një prej kompanive më të suksesshme globale, e drejtuar nga themeluesi briliant, Jeff Bezos. “Të shesësh gjithçka” do të jetë biografia zbuluese dhe vendimtare e kompanisë që vendosi njërin nga bastet e parë të mëdhenj për internetin, e që ndryshoi përgjithmonë mënyrën se si blejmë dhe lexojmë.

Amazon.com filloi duke shpërndarë libra përmes postës. Por themeluesi i saj vizionar, Jeff Bezos, nuk donte të mbetej një librashitës. Ai synonte që Amazon të bëhej dyqani ku shitej gjithçka, përmes ofrimit të zgjedhjeve të panumërta dhe lehtësive tërheqëse, me çmime shumë të ulëta.

Për ta bërë këtë, ai krijoi një kulturë ambicieje dhe fshehtësie të pamëshirshme që nuk është zbuluar kurrë, deri në momentin e tanishëm. Brad Stone pati mun- dësinë të takonte punonjës e ish-punonjës të Amazon dhe familjarë të Bezos-it, duke u dhënë kështu lexuesve rrëfimin e parë të thelluar nga sytë e një vëzhguesi, të jetesës brenda kompanisë.

Krahasuar me novatorët e tjerë elitarë në teknologji si Jobs-i, Gates-i dhe Zucker- berg-u, Bezos-i është i rezervuar. Megjithatë, ai dallohet për ndjekjen e palodhshme të tregjeve të reja, duke e çuar kompaninë Amazon drejt sipërmarrjeve me risk si Kindle dhe cloud, dhe duke e transformuar shitjen me pakicë ashtu siç Henry Ford revolucionarizoi prodhimin industrial.

“Steve Jobs” nga Walter Isaacson

“Steve Jobs” është biografia e autorizuar e Steve Jobsit, themeluesit të kompanisë Apple. Ky libër pati një sukses të jashtëzakonshëm nëpër botë. Me më shumë se dyzet intervista të bëra në një periudhë dyvjeçare me Steve Jobsin, si dhe mbi njëqind intervista me shokë, familjarë, kundërshtarë, konkurrentë dhe kolegë, Isaacsonit iu dha një qasje “ekskluzive dhe e papërsëritshme” në jetën e tij. Rezultati qe ky libër i jashtëzakonshëm

Ky libër rrëfen jetën e themeluesit të kompanisë Apple nga lindja e deri në vdekjen e tij të bujshme. Aty zbulojmë, jo me pak habi, se si ky njeri aq krijues e i vullnetshëm, ishte edhe një maniak i përsosmërisë, një individ i egër, pa shumë skrupuj, me një karakter shumë të vështirë. Jobsi arrinte t’i egërsonte dhe t’i dëshpëronte njerëzit rreth tij. Por personaliteti dhe produktet qenë të ndërlidhura, ashtu siç janë të ndërlidhura hardueri dhe softueri në produktet Apple.

Neritana Kraja