Tipik shkodran e me një humor plot finesë, Paulin Preka ishte dhe do të jetë ikonë e skenës teatrore.

Tanimë ai nuk është më në jetë, por padyshim, mbetet nga ata aktorë që është futur thellë tek çdo familje shqiptare. Dhe trupa e humorit të qytetit nga ai buron pa hile, as do të kishte kuptim nëse në çdo pjesë të ngjitur në skenë nuk do të kishte një episod për të.

Paulin Preka

Paulin Preka

Emblematik në role të papërsëritshme, Paulini e filloi jetën artistike, fillimisht si aktor drame, por më pas kaloi si aktor estrade, duke shpalosur një profil artistik origjinal prej më se katër dekadash karrierë.

Sipas kritikut Josif Papajorgji, “aktrimi i tij spikati posaçërisht në mishërimin e personazheve pozitivë, ku ai ishte i hijshëm, i natyrshëm dhe fin në skenë”.

Kishte një zë paksa të ngjyruar, por të mëvetësishëm. Krijoi një galeri figurash, kryesisht njerëz të mençur, ironik, thumbues, që dinë të tallen dhe të shpotisin plot lezet të tjerët, me një “seriozitet” të madh në dukje, çka krijon pikërisht kontrapunktin komik.

Në aktrimin e Paulin Prekës bie në sy pozita aktive e personazhit, si dhe një sjellje sa më pranë të vërtetës jetësore, duke shfrytëzuar me zgjuarsi situatën komike të krijuar.

Si gjithmonë kur bëhet portreti i një artisti flitet për ardhjen e tij në jetë, punën, karrierën dhe ikjen. Paulin Preka u lind në Shkodër më 2 shkurt 1935 dhe u largua nga jeta në Itali, ku prej disa vitesh jetonte me familjen.

Në role

Në role

Ai spikati shpejt. Në moshën 8-vjeçare u regjistrua në shoqërinë e Kishës Katedrale. Me hapjen e Shtëpisë së Pionerit dhe krijimit të Rrethit të Teatrit, ai u bë pjesë e tij. Në vitin 1953, u aktivizua pranë Shtëpisë së Kulturës dhe më tej me Teatrin Migjeni dhe Estradën e Shkodrës.

Paulini, në rrugën e tij artistike , u dha pas dy zhanreve skenike: teatrit të dramës e të komedisë dhe atij të humorit. Respektivisht rreth 8 vite në shfaqjet dramatike (edhe në komedi me një a disa akte) dhe 37 vite në premierat e estradës (skeçe, monologë, dialogë, parodi, kuplete, pantomima, grimca humoristike, vodevile, etj.

Pauin Preka me trupen e Estrades, ne kembe, djathtas

Pauin Preka me trupen e Estrades, ne kembe, djathtas

Duke gjurmuar nëpër vite për fillesat e Paulinit, gjejmë se, ai interpretoi përkrah aktorëve me emër, si: Tinka Kurti, Roza Xhuxha (Anagnosti), Preng Lëkunda, etj.

Gjithashtu, duke gjurmuar nëpër vite kujtojmë se Paulini personazhet e tij i ka arkivuar në skeçet: “Daja i burrit”, “Dhëndrri nga Amerika”, “Fotografi”, “Toka jonë”, “Kunati i shokut Xhemal”, “Truall i zënë”, “Kola i dritave, “Familja A, Familja B”, “Dasma e Refikut”, “Mini e Minusha”, etj.

Veçanërisht, pas viteve ’90 janë një sërë premierash, që libretet e tyre kanë firmën e Paulin Prekës. Mund të përmendim: “Të shtunat gazmore” në (RTSH, viti 1994), ku spikasin materialet: “Ndihma humane”, “Licensa”, “Krapi”, “Kena harru babën”, “Urgjenca”, “Pikniku 1977 e 1997”, “Eksodi, “Udhëtimi me autobus”, etj.

Paulin Preka në role

Paulin Preka në role

Të gjitha tipat e karakteret që krijoi më pas, gjatë viteve të jetës artistike, tashmë, pranë Estradës profesioniste të qytetit, aktori Preka i mbushi dhe i qëndisi me humorin e tij natyral e pa sforcime, gjithëherë i përligjur.

E qeshura e tij përjashtonte ngërdheshjen e shtrembërimin jo estetik. Në të gjitha rolet që burojnë nga të gjitha gjinitë e zhanret e humorit që i preku në brendësinë e tyre, janë fillesat e një mikrodrame. Ky është çelësi i Paulini, i të qeshurës së tij, të cilën na e dha pa kursim.

Figurat që na dhuroi te pjesët “Jepi, Mami!”, “Fotografi”, “Gjergj Mullaga në gjyq”, “Pezhishkat”, etj., do të mbahen mend gjatë. Janë këto figura që krijoi me talentin e tij dhe që flasin për shumë rrafshe artistike.

Së bashku me Tano Banushin dhe Zyliha Milotin ata sollën një frymë të re në skenën e teatrit të humorit në qytetin e Shkodrës.

Gjithsesi, Paulin Preka nuk ishte vetëm një interpretues, por ka furnizuar estradën e Shkodrës me qindra skeçe, parodi, dialogje e monologje. Paulini nëpërmjet punës së tij intensive, arriti të marrë nga publiku simpatinë dhe duartrokitje pa fund, ndërsa nga institucionet shtetërore vlerësime të larta.

Në vitin 1974 laurohet me urdhrin “Naim Frashëri i Klasit të III”, në vitin 1980 me urdhërin “Naim Frashëri të Klasit të II”, në vitin 1988 me titullin e Lartë “Artist i Merituar”.

Paulin Preka foto

Paulin Preka foto

Në vitin 1996 pak muaj përpara se të mbyllte marrëdhëniet e punës me teatrin “Migjeni”, në takimin e trupave Profesioniste në Tiranë, u vlerësua si “Aktori më i Mirë i Karrierës” dhe “Krenaria e qytetit” në vitin 2009.

Në qershor të vitit 2018 u dekorua nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

Batuta e pasforcuar, inteligjente dhe krejt e papritur ishte pjesë e karakterit dhe talentit të tij. Paulin Preka kishte lindur artist dhe ka dhuruar pa fund humor për publikun e Shkodrës, qytetit të tij të dashur, por ka gëzuar simpatinë dhe duatrokitje në të gjithë Shqipërinë.

Kohët e arta të Estradës së Shkodrës, mbështeten tek emrat e Paulin Prekës, Tano Banushit, Mark Lëkundës, Gjosho Vasisë, Katerina Bigës, Gëzim Krujës e Zyliha Milotit, e më vonë edhe të Drande Xhait, Zef Dedës e Besnik Çinarit.

Një trupë solide, që u mbështet tek geni i humorit shkodran, i patjetërsuar, nga talente që duket se nuk shterrojnë asnjëherë. Mes tyre, qëndron, me kontributin e mësuesit dhe të artistit, Paulin Preka, i cili tashmë nuk është më mes nesh. Ai u nda nga jeta tokësore në moshën 84 vjeçare.

Nga ceremonia e percjelljes per ne banesen e fundit

Nga ceremonia e percjelljes për në banesën e fundit

“Rrugës shumë vetë më thërrasin: – Gjosho, Gëzim, Zef… duke më ngatërruar me kolegët e mi të Estradës, kujtonte shpesh herë Paulini, në të gjallë të tij, duke iu kthyer me nostalgji kujtimeve të jetës me Estradën e Shkodrës. Kjo gjë e lumturonte se “po të më ikë Estrada, ku do të shkoj unë? Eshtë një lidhje e pazgjidhshme”, do të definonte vetë ai.

Kjo lidhje do të vazhdojë të jetë e fortë, edhe pas largimit të aktorit Paulin Preka nga jeta, pasi batutat e tij jetojnë në memorien kolektive të qytetit dhe krenarisë së qytetarëve për aktorin brilant.

Neritana Kraja