Është hapur zyrtarisht muzeu i arsimit në Korçë dhe në ftesën zyrtare të Ministres së Kulturës nuk mungon as thirrja për ta pasuruar atë me dokumente apo materiale që rrëfejnë historinë e arsimit shqiptar.

Mësonjëtorja e Parë Shqipe është rikthyer si atraksion turistik për vizitorëtvendas, por edhe ata të huaj, pasi iu nënshtrua restaurimit pas goditjes që mori nga tërmeti. Krahas restaurimit të godinës është restauruar edhe e tërë linja muzeore dhe për herë të parë muzeu ka edhe një bibliotekë.

Kryeministri Rama vizitoi Mësonjëtoren, për të parë përfundimin e punimeve, bashkë me ministren e Kulturës Elva Margariti, e cila shpjegoi se koncepti i restaurimit bazohet në tendencën e sotme që i kthen muzetë në hapësira të hapura publike që funksionojnë edhe si qendra komunitare.

Ministria e Kulturës Margariti, tha se punimet kanë përfunduar, por kanë mbetur për tu realizuar detaje të vogla, përfundimi i të cilave do ta quajë punën të mbyllur.

Pas restaurimit të plotë të godinës dhe ambienteve të brendshme me të gjithë elementët përkatës historikë dhe me sistem të dixhitalizuar, është përgatitur edhe platforma për vendosjen e shkronjave që janë simbol i kahershëm i këtij muzeu që gjenden në hyrje të muzeut.

“Mbi platformën e përgatitur do të vendosen shkronjat dhe pena ashtu siç kanë qenë që në krye të herës, ndërsa për momentin janë pozicionuar në hapësirën e gjelbër të pjesës së jashtme të muzeut, sa të përfundonte restaurimi i plotë i objektit”, tha ministrja.

“Kemi përfunduar pothuajse, ka ngelur vetëm rivendosja e shkronjave sipas kompozimit të vitit 1987. Kemi bërë edhe sistemimin e jashtëm. Kjo është kthyer në një auditorium të hapur që do shërbejë edhe për komunitetin, si një hapësirë publike për të rilidhur idenë e muzeve që kthehen në qendra komunitare. Është hera e parë që në këtë muze do të kemi dhe një bibliotekë të mirëfilltë që frekuentohet dhe nga komuniteti. Janë mbi 750 tituj të dhuruara për bibliotekën”, – nënvizoi Znj. Margariti.

Restaurimi i godinës që filloi menjëherë pas tërmetit, pasi godina mori shumë dëme, ka sjellë edhe rikthimin e elementëve origjinalë, historikë, në muze dhe aplikimin e teknologjisë digjitale.

“Kemi një muzealizim, i cili tashmë është i gjithi i kompletuar me elementët historikë, me objekte origjinale. Këtu kemi pasur tërësisht elementë po themi fotokopje. Tani kemi dhe elementët dixhitalë. Ky është një muze që po vazhdon të kompletohet edhe me “QR Code”, siç kemi bërë dhe në Muzeun Mesjetar dhe të gjitha objektet e vendosura do të mund të skanohen e të merret informacion mbi ta. Janë objekte origjinale që kanë qenë kontribut shumë i rëndësishëm i familjeve korçare”, – u shpreh ministrja e Kulturës.

Me përfundimin e restaurimit të Mësonjëtores vjen edhe thirrja e ministres së Kulturës, për çdo familje, jo vetëm të Korçës, që të dhurojnë artefakte për Muzeun.

Margariti nënvizon se rregullimet e bëra nuk ia heqin objektit aspak vlerën muzeale.

Shkolla e parë shqipe ka 7 ambiente ekspozimi që iu nënshtrua restaurimit të plotë. Në njërën nga dhomat është vendosur një bankë shkolle, simbolikë se si është mësuar në atë kohë. Ndërsa pjesa muzeale ka objekte historike origjinale.

Ndërkohë, janë vendosur ambiente, ku nëpërmjet kufjeve mund të dëgjohen pjesë audio të materialeve letrare të asaj kohe.

Sipas ministres, ky muze për herë të parë ndërthur të gjithë tregimin dixhital të historisë, ndërsa vend të rëndësishëm zënë edhe pikturat origjinale, disa prej të cilave i përkasin vitit 1890, që janë restauruar në kohë të ndryshme.

Projekti i restaurimit të Mësonjëtores së parë Shqipe ka kapur vlerën e 30 mln lekëve të reja. Investimi përfshiu ndërhyrjen për rikonstruksionin e ndërtesës, por edhe për rikonceptimin e saj.

I gjithë restaurimi i godinës është bërë me fonde nga buxheti i shtetit.

Ky është një muze që fton të gjithë qytetarët ta vizitojnë dhe të mbajnë gjallë kujtimin historik të Mësonjëtores.

Mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë, sot Muzeu Kombëtar i Arsimit, është monument i kategorisë së Parë i shpallur në vitin 1973. Kjo ndërtesë ishte shtëpia ku banonte patrioti korcar Diamanti Terpo, i cili dhuroi banesën për shkollën shqipe, e hapur më 7 mars 2887 nga ana e mësuesit patriot Pandeli Sotiri.

Në këtë muze pasqyrohet historia e shkrimit shqip, e morisë së alfabeteve, deri tek alfabeti që kemi sot, vendosur në Kongresin e Manastirit, më 1908, si dhe historia e librit shqip prej abetares së parë shqipe (Evetari, 1844), hartuar nga Naum Panajot Bredhi.

Mësonjëtorja e parë shqipe është një arsye më shumë për të vizituar Korçën. Ajo është shndërruar në objekt emblematike të qytetit, i një rëndësie të veçantë për trashëgiminë kulturore dhe historike.

Data e hapjes së saj festohet çdo vit në shkollat e vendit, dhe njihet si “Dita e Mësuesit”.

Mësonjëtorja ndodhet në një nga zonat më popullore të Korçës të njohur si Pedonalja, përballë “Ushtarit të Panjohur”. Çdo ditë të vitit ajo vizitohet nga turistëvendasapo të huaj që shfaqin interes të madh ndaj saj. Dyert e Mësonjëtores i mbylli përkohësisht tërmeti, por pas restaurimit, godina do të jetë mikpritëse dhe e dashur, si gjithmonë.

Neritana Kraja