Zija Çela është nga shkrimtarët e paktë te ne që ka arritur të krijojë autorësi. Me 75 vite mbi supe dhe me pasurinë e romaneve, tregimeve e novelave që ka shkruar gjatë një jete të pasur krijuese, ai është ndër të rrallët autorë shqiptar, që ia ka dalë të jetë vetja e tij dhe të mos i ngjajë askujt.

Zija Çela u lind më 25 mars 1946 në qytetin e Shkodrës. Megjithëse kaloi një fëmijëri dhe rini të vështirë, arriti të diplomohej në Universitetin e Tiranës për Letërsi, pasion i lindur që në fëmijëri, të cilin, me shumë nostalgji, e përcjell në media.

“Unë kam lindur në Shkodër në një shtëpi me 7 fëmijë, kam qenë fëmija i shtatë. Ishte koha kur kishim pak bukë dhe nuk kishim hiq libra. Ta mendosh se si mund të bëhesh shkrimtar prej një shtëpie që nuk ka libra, është pak paradoksale. Aty nga mosha, 9-10 vjec, isha sëmurë dhe nuk shkova në shkollë, ndieja një si lloj mërzie, melankolie, trishtimi…I thashë nanës: o nanë, më jep ndonjë libër! Nana shkoi e mori çantën e shkollës dhe po ma afronte. Po, jo, o nanë, -i thashë, nuk dua libra të shkollës, por dua libra të tjerë, kam dëgjuar se ka libra të tjerë…. Po dal, njëherë në kojshi, tha nana. Ajo doli dhe u kthye me libra. Lexova njërin…S’e di, pësova një lloj ndryshimi, më ndërroi gjendja, sikur u bëra tjetër njeri. Ajo dëshira për të qenë pak më lart. Pak ditë pasi isha shëruar, më çoi nana të blej djathë. Mua më bëri përshtypje letra me të cilën ishte mbështjellur djathi, sepse kishte fjalë të shkruara. Por jo me fjali të gjata si librat e shkollës. Diku fjala “zall”, diku fjala “mall”… Ishin fjaë që duheshin, fjalë që putheshin. Mora ca libra shkolle të vëllezërve e motrave që e kishin lënë shkollën, shkova tek shitësi dhe i thashë: të lutem ma ndërro këtë libër. Unë i dhashë tre, ai më dha atë. Që rrugës fillova ta lexoja. Ishte “Vallja e yjeve” e Lasgush Poradecit…. Ndoshta atëherë, unë e ndjeva atë shkëndijën e veçantë që ta fal zoti, por sigurisht nuk kisha karburant. Kështu që u desh të kalonin vite, të fitoja një përvojë. Dhe kështu, në moshën 22-23 vjeç, kam qenë duke shkruar librin e parë në jetë”.

Pas studimeve të larta, Zija Cela u emërua mësues në fshatrat malore të Kukësit. Në këtë qytet të vogël verior punoi për shumë vite dhe, kur u bë i njohur me librat e tij, e transferuan në kryeqytet. Në Tiranë punoi redaktor në revistën letrare "Nëntori”, ndërsa nga 1984-1990 punoi si kryeredaktor i gazetës letrare “Drita”. Më pas u bë drejtor i shtëpisë botuese “Letrat”, ku e filloi veprimtarinë me botimin e romanit “Përbindëshi” të Kadaresë, një vepër që deri atëherë ishte e ndaluar. Nga viti 2000 Çela bën jetën e shkrimtarit në profesion të lirë.

Kanë kaluar shumë vite nga libri i tij i parë me prozë. Një libër pasionant, i zhdërvjelltë, me frazë të gdhendur dhe i frymëzuar. Prej atëherë, deri më sot, Zija Çela identifikohet si shkrimtar përfaqësues i letërsisë shqipe në kohën kur, në letërsinë shqipe, ndodhin ristrukturime dhe përmbysje të mëdha.

“Nëpërmjet shënjave që kanë gishtat, identifikohet një person. Unë besoj se shkrimtarët kanë edhe disa shënja plus, sipas të cilave identifikohet cdo autor i mirë. Mirëpo, për fat të keq, shumë shkrimtarë e humbin këtë vecanti. Sepse që në fillim nuk dinë t’i lexojnë dhe ta zhvillojnë vetveten në atë rrugë, ose sepse nuk janë rezistent ndaj rrymave stinore që fryjnë në art, dhe eksperimentojnë si qëllim në vetvete, por pa rrezultat, ose bëhen rob të shkrimtarëve të mëdhenj dhe e humbasin individualitetin”, thotë shkrimtari.

Gjatë gjithë karrierës së tij, shkrimtari Zija Çela është vlerësuar dhe etiketuar me epitete mjaft stimuluese. Në vitin ‘88, kur shkroi “Malii tejdukshëm”, studiuesi Shaban Sinani, në një shkrim kritik mbi librin, e quante Çelën “zharminal shqiptar”. Por ky Zharminal, të kujton Emil Zolanë. Në vitin 1990 -1991, kur u botua “Gjaku i dallëndyshes” dhe “Gjysma e Xhokondës”, shkrimtari Eqerem Basha në Prishtinë shkruante në një revistë duke u bërë thirrje shqiptarëve “lexojeni Çelën, se ne kemi Garsia Markezin shqiptar. Më tek e kanë krahasuar me Kamynë, Kafkën, Letërsinë e absurdit.

Megjithë këto krahasime, një gjë mund të thuhet me siguri: Zija Çelës, nuk mund t’i veshësh vetëm një kostum letrar, sepse i rri ngusht. Ai shkruan pa rregulla, bën një letërsi të lirë, jashtë korrnizave. Në studion e tij të punës paraprin artisti, pasi ka asimiluar të gjithë estetikën e letërsisë. Gjatë procesit të krijimit, ai harron gjithë ç’ka lexuar, gjithë çfarë kanë shkruar të tjerët. Është vetëm ai dhe libri që po shkruhet. Sigurisht që në të gjithë prozën e tij, ndihet fryma e identitetit të tij, por nga ana tjetër çdo libër i tij, është i ndryshëm nga tjetri. Kjo është arsyeja që lexuesi suprizohet prej çdo libri të ri që sjell shkrimtari.

Si autor u bë i njohur nga librat me tregime, që u pasuan nga romanet e tij, duke spikatur veçanërisht me triptikun e romaneve “Gjaku i dallëndyshes”, “Gjysma e Xhokondës” dhe “Banketi i hijeve”. Më parë kishte botuar romanet “Një verë pa lamtumirë” dhe “Malii tejdukshëm”. Por jeta nuk u tregua e dashur me shkrimtarin zemërartë.

“Mesa duket Zoti u shkakton vuajtje atyre që i do më së shumti. Zija Çela humb djalin, Dritanin, në moshën e tij më të mirë, një përkthyes i shkëlqyer, një inkarnim i jashtëzakonshëm i fisnikërisë dhe i virtyteve më të larta njerëzore. Kjo rrethanë mund të bënte që Zija Çela të jepte shenja luhatjeje, të zhgënjehej, të shfrynte mllef ndaj fatit, ndaj njeriut, ndaj botës, ndaj proveniencës, ndaj çdo gjëje. Por ai, pikërisht siç ndodh në librat e shenjtë, gjithë këtë vuajtje dhe pësim e kthen në dashuri”, shkruan kritiku dhe shkrimtari Mehme Kraja, në një biografi të shkruar për shkimtarin Zija Cela.

Libri autobiografik “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes” e dëshmon pikërisht këtë, ndërkohë që romani “SOS, një buzëqeshje” është përgjigja më e jashtëzakonshme, e pashembullt, e pangjashme që një shkrimtar mund t’u japë sfidave dhe pësimeve të jetës. “SOS” është ndër arritjet letrare më të realizuara të Zija Çelës dhe njëra ndër majat më të larta të prozës sonë.

Autori është fitues i disa çmimeve letrare dhe ndër më të vlerësuarit për prozën e tij. Një aktiviteti vlerësimi dhe nderimi për punën e tij, me rastin e 75 vjeorit të lidnjes, u zhvillua nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.

Ndërkohë që presidenti Ilir Meta me këtë rast, e vlerësoi lart punën e shkrimtarit duke nënvizuar se Zija Cela është “Një shkrimtar misionar, që ndërgjegjen e tij krijuese e mbajti gjithmonë të lidhur fort me ndërgjegjen qytetare dhe kombëtare, duke i qëndruar besnik normave të themelit të letërsisë, vlerave dhe moralit njerëzor. Zija Çela është një model frymëzimi për brezat e krijuesve të rinj dhe burim krenarie për shoqërinë tonë”.

Neritana Kraja