Lumi Vjosa është një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës. Ajo rrjedh e pandikuar, në mënyrë të natyrshme, e karakterizuar nga kanione të bukur, rrjedha të rrëmbyeshme, ishuj dhe kthesa që krijojnë gjarpërime të mrekullueshme.

Në rubrikën tonë sot do të rëndisim fakte interesante për Vjosën, që do ju bëjnë ta doni akoma më shumë këtë zonë të Shqipërisë e ta zgjidhni si destinacionin tuaj turistik të radhës. Sepse ka shumë arsye për ta soditur Vjosën e mrekullueshme, por ne do ndalojmë në tre prej tyre.

Fshtara karakteristikë dhe natyrë madhështore

Një ndër arsyet është se Vjosa përshkon me qindra km, që nga kufiri me Greqinë, deri sa derdhet në Adriatik dhe në të gjithë rrugëtimin e saj, ajo arrin të magjepsë udhëtarët e guxmishëm apo turistët e qetë. Rrjedha e smeraldtë e Vjosës dhe vargmalet më të bukura shqiptare, fshatrat karakteristikë, natyra e mrekullueshme, kulinaria mjaft e pasur, e bëjnë këtë zonë ndër më të preferuarat, për turistët e çdo lloji.

Më të qetët, mund të marrin makinën e bëjnë ndalesat e tyre, në fshatrat mes malesh, të ndalojnë në lokale fshati, ku fillimisht ndalen sa për të pushuar e një gotë ujë të freskët, por më pas e gjejnë veten duke provuar mishin e shijshëm të qengjit dhe rakinë e zonës.

Më të guximshmit, provojnë sportet e aventurës dhe jetën e kampingut, zgarën me peshkun e sapo zënë dhe natën poshtë ujeve.

Tej në horizont, majat e Nëmërçkës deri në fund të pranverës, mbajnë të veshur duvakun e dëborës, ndërsa poshtë tyre lulëzimi i stinës i lë vend haresë së gjelbërimit. Ndaloni në fshatrat përreth, bisedoni me fshatarët që do ju tregojnë legjenda mahnitëse me kuçedra, të cilat jeni të lirë të mos i besoni, por mund të jetoni më parafytyrimin e tyre si të ishin të vërteta.

Hidhni sytë lart. Do mahniteni nga Cirqet e Nëmërçkës, që ndodhen në një lartësi 800 m mbi nivelin e detit. Quhen kështu sepse përbëjnë një cirk të madh akullnajor, të formuar prej mijëra vjetësh nga gëlqerorët dhe kanë formën e një kolltuku gjigand me disa forma më të vogla karstike.

Nga Cirqet e Nëmërçkës mund të vazhdoni udhëtimin në Banjat e Bënjës, të cilat, kur koha është e bukur, me pamjen piktoreske përreth, mbledhin me dhjetra turistë të huaj dhe vendas të cilët zgjedhin të bëjnë banjë në natyrë. Shumë specialistë të shëndetit i kanë çmuar këto banja si burimet më të mirat që gjenden në Evropë për shërimin e disa sëmundjeve, etj, çfarë i kanë kthyer këto burime në një turizëm të vërtetë shendetësor. Ju sugjerojmë, të zgjidhni një nga banjat sulfurike në natyrë, ku mund të bëni jo vetëm banjë, por edhe të sodisni natyrën e mrekullueshme, ku nga harku i lartë i një ure prej guri mund të kundroni përtej, malin e Nëmërçkës.

Duke ndjekur luginën e Vjosës, ekskursionet dhe pikniqet janë të panumërta në stinën e pranverës dhe të verës. Megjithatë, gjatë dimrit, kur bora mbulon majat e malit, një udhëtim i vogël, shëtitje apo çfarëdo qoftë, është vërtet një përvojë që nuk duhet lënë pa u jetuar.

Një ndalesë tjetër, është Gryka e Kylcyrës. Madhështore dhe hijerëndë Gryka e Këlcyrës çan mes honesh të thepisura.

Në çdo stinë, panorama që ju dhuron kjo zonë është e mrekullueshme. Ujvara të vogla që zbresin nga mali, e që krijojnë pellgje të errët para se të derdhen në Vjosë, ujë i pastër kristal, ajër i pastër dhe i freskët, e bëjnë këtë vend një parajsë mbi tokë.

Sportet e aventurës

Burimi kryesor i lumit Vjosa ndodhet në territorin grek në afërsi të fshatit Vouvoussa (nga i cili ka marrë dhe emrin). Në 80 km e para të rrjedhës së tij, përmes Greqisë lumi quhet Aoόs, ndërsa me hyrjen në territorin shqiptar ai ndryshon emër dhe quhet Vjosë.

Emri Vjosa, përveç lumit, është shumë i përdorur në Shqipëri si emër vajze, gjë që tregon për dashurinë ndaj këtij lumi dhe lidhjen shpirtërore me të.

Shqiptarët dhe të huajt që vijnë në këtë zonë, sidomos të rinjtë, janë të prirur që të aplikojnë turizmin e aventurës. Ata vijnë këtu për hiking në mal, rafting apo kanoe në Vjosë dhe mrekullohen duke shijuar këtë kompleks të rrallë të natyrës.

Lugina e Vjosës është destinacioni ideal për pushime dhe aventura pasi kombinon ecjen në kanion, lundimin e lumit me gomone apo kajak, të gjitha këto aktivitete të përshtatshme për grupe të rinjsh, apo të një familjeje aktive.

Rafting në lumin Vjosë ofrohet për të gjithë të apasionuarit pas natyrës së egër, aventurës, adrenalinës dhe sporteve në natyre.

Të gjitha paketat turistike që ofrojnë rafting në lumë, përfshijë transportin deri në vendin e përzgjedhur për nisje për të të bërë rafting, gomonen, veshjet e përshtatshme, tarjnimin dhe guidë profesionale, të cilat e përqëndrojnë punën e tyre në rregullat bazë të lundrimit me gomone. Zakonisht rafting bëhet për rreth 18-20 km, por për më të guximshmit dhe aveturiert, shkalla e vështirësisë rritet dhe distanca zgjatet gjithashtu.

Rafting në kanionet e Vjosës është një formë turistike që po frekuentohet shumë edhe nga diplomacia. Një tjetër fakt që mbase nuk e dinit, është se trupat e akredituara në vend nuk ngurrojnë të kalojnë dy ditë në kanionet shqiptare, si për të harruar gjithë telashet dhe andrallat që iu sjell më së shumti politika shqiptare. Gjithashtu shumë biznese, institucione shqiptare dhe të huaja ofrojnë për punonjësit e tyre paketa turistike për të bërë rafting. Ajo që ofron Vjosa për turistët është diçka krejt tjetër, atyre iu duket si me më shumë adrenalinë, pasi iu duket sikur po bëjnë një “luftë” të jashtëzakonshme për mbijetesë. Por, çdo gjë varet nga përvoja.

Periudha më e mirë për të bërë rafting në luginën e Vjosës është periudha qershor –nëntor. Ky është një terren i favorshëm edhe për fëmijët duke filluar nga mosha 5 vjeç. Prandaj të gjithë ata prindër që dëshirojnë t’u tregojnë fëmijëve të tyre rëndësinë e shpirtit të skuadrës dhe të aventurës, ky do të ishte një fillim i mbarë.

Leonardo di Capro

Me natyrën e saj të egër dhe peisazhet që të lënë pa frymë, nuk është e vështirë të shikosh pse Shqipëria po bëhet një nga destinacionet më të njohura në Gadishullin Ballkanik. Por kësaj bukurie natyrore, jo rrallë i duhet të përballet me planet për zhvillim, të cilat ndeshin me reagimin e natyralistëve dhe aktivistëve, ku bën pjesë edhe aktori i njohur në botë, Leonadrdo Di Capri. I impresionuar nga pamjet që vijnë nga Vjosa, aktori hollivudian, Leonardo Di Caprio, ka dhënë një mesazh për mbrojtjen e Lumit Vjosë, në Shqipëri. Aktori me famë botërore shkruan në “Instagram” se Vjosa është një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës.

Në mesazhin e tij, Di Caprio ngre shqetësimin e dëmtimit të kësaj perle natyrore të Shqipërisë, teksa thekson se është një pasuri botërore që duhet mbrojtur.

Banorët e fshtatrave të zonës, shpesh kanë ngritur shqetësimin e tyre, lidhur me ngritjen e hidrocentravele, që sipas tyre, do ia heqin Vjosës, tiparin e saj turistik dhe do lëndojnë turizmin e natyrës dhe të aventurës, me të cilin ato jetojnë.

Lumi është pjesë e të ashtuquajturës "Zemra Blu e Evropës", një grup lumenjsh ballkanikë të konsideruar nga shkencëtarët dhe ekologët si pjesë unike të trashëgimisë sonë natyrore. Ajo që e bën Vjosën kaq të mrekullueshme është fakti që ai është i vetmi lumë i madh me rrjedhje të lirë në Evropë: fillon në Greqi dhe ujërat e saj të kristaltë pastrojnë një rrugë 270 kilometra (168 milje) përmes Shqipërisë, përpara se të zbrazen Deti Adriatik.