Shëngjini është një qytezë turistike në qarkun e Lezhës, në Shqipërinë ver-perëndimore. Qyteti dallohet për portin e tij dhe plazhin e gjerë, i cili përbën një nga resurset më të veçanta turistike detare të Shqipërisë, sidomos duke patur parasysh parkun ekologjik të rrethinës.

Historia

Sipas traditës, Jul Çezari do të kishte zbritur në portin e Shëngjinit gjatë luftës kundër Pompeut. Në veprën e tij “Lufta Civile” ai e përmend emrin e këtij limani si Nymfeum, në vitin 48 para erës sonë. Ky emër lidhet me çetën e nymfave apo të zanave. Në mesjetë ky liman njihet me emra të tjerë si limani Medua. Në vitin 1313 u vërtetua për herë të parë me emrin San Giovanni di Medua.

Termi Medua lidhet me emrin antik të qytetit Medeo, Meduni i sotëm, në bregun dalmat. Sipas disa dijetarëve të tjerë emri Medea është një jehonë e mitit të argonautëve dhe të princeshës Medea të Kolkitës, gjatë shtegtimit në Adriatik nga Ulqini deri në ishullin e Korfuzit.

Emri i Medeas është i lidhur me emrin e fshatit Mjedë. Ndërkohë Shëngjini është një kalkulim i emrit të shenjtorit Shën Gjin, ose i shenjtorit Shën Gjon Pagëzuesi, që shkurtimisht ka dhënë fjalën Shëngjin. Limani i Shëngjinit ka qenë në të gjitha kohërat i rëndësishëm. Coronelli, kartograf i njohur venecian i shek XVII në hartën e vet të Drinit dhe Bunës, e cilëson Shëngjinin si liman të aftë për anije të mëdha.

Në periudhën Osmane, pasi qendra tregtare u zhvendos në Shkodër dhe Ulqin, qyteti humbi gjithnjë e më shumë rëndësinë.

Ky liman natyror përmendet në burimet e dokumentuara të shekujve me emrin “Saca” që ruhet edhe sot si trashëgimi historike nga lagjja Saka, në jug të qytetit të Shëngjinit. Rëndësia e Limanit të Shëngjinit u shtua vetëm pas vitit 1880, kur Ulqini, një qytet shqiptar iu dorëzua padrejtësisht Malit të Zi, në zbatim të vendimeve të Kongresit të Berlinit.

Qeveria e Fan Nolit e pas revolucionit të qershorit 1924 i vuri emrin “Qyteti Uillson”, qytetit të Shëngjinit në nder të presidentit të SHBA-ve, Woodrow Wilson. Emërtimi u mbajt deri në kohën e komunizmit.

Ndërkohë që nga vitet nëntëdhjetë të shekullit XX, porti ka përjetuar një ringjallje të tregtisë dhe plazhet e qytetit kanë parë një fluks në rritje të turistëve.

Kulturë dhe Traditë

Ashtu si në Lezhë edhe në Shëngjin ruhen shumë tradita, si në veshje, instrumenta, këngë e artizanat. Ky qytet ruan traditën në prodhimin e produkteve të artizanatit dhe dekorimit për perdorim vetjak. Punimet prej balte jane të trashëguara në breza, madje edhe sot vazhdon prodhimi i enëve prej balte, poçeve e sendeve për zbukurim etj.

Ndërkohë veshjet popullore janë një nga manifestimet me të fuqishme të kulturës tradicionale dhe janë të njëjta me ato që trashëgohen në të gjithë zonën e Lezhës. Ato janë mjaft të larmishme dhe të identifikueshme, pasi janë plotësuar me lule, si dhe janë bërë më të lehta për t’ju përshtatur klimës së ngrohtë.

Qyteti i Shëngjin njihet edhe për traditën e mikpritjes. Tradicionalisht, qytetarët shkojnë në familjet e njeri-tjetrit dhe bisedojnë për hallet dhe problemet e tyre. Janë bujarë dhe të lidhur me njerëzit e tyre.

Shëngjini për kushtet e veçanta që ka njihet edhe për traditën në gjuetisë në rezerva të posaçme, si dhe peshkimin me natyrë sportive, kryesisht në det si dhe në ujrat e lagunave të Kenallës, Kunës, Merxhanit e Vainit.

Kjo traditë është e trashëguar në breza dhe sot, Shoqata e Gjuetarëve të Lezhës, së bashku me Shoqata të Gjuetarëve të huaja, organizojnë në Shëngjin aktivitetet sportive. Ndërkohë që lagunat trashëgojnë vlera të papërsëritshme natyrore duke krijuar një peisazh piktoresk të rrallë. Këto laguna popullohen nga një numër i madh speciesh të florës dhe faunës ujore, duke dhënë një kontribut të veçantë në biodiversitetin, burimet ushqimore dhe vlerat estetike të kësaj zone.

Turizëm

Në Shëngjin vihet për diellin, për rërën, për bukuritë e rralla që natyra u ka dhuruar banorëve mikpritës e të shoqërueshëm.

Por ajo që të bie në sy, sapo mbërrin në qendër të qytetit është busti i presidentit të 28-të të SHBA-së Woodrou Wilson, ndërsa pak më tutje gjendet shtatorja e At Zef Pllumbit, martirit të fesë.

Ndërkohë gjiret e vegjël e me rërë të pastër, uji i kthjellët si kristal, kurora malore me pisha që u qëndrojnë mbi krye, lagunat si dhe plazhet e shumta e bëjnë Shëngjinin një nga qytetet me të veçanta dhe më atraktiv gjatë muajve të verës, sidomos për shqiptarët e Kosovës.

Shëngjini është një prej plazheve më të përmendur të Veriut të Shqipërisë, i njohur veçanërisht për kualitetin e rërës. Ai përbën njërin nga resurset më të veçanta turistike detare për gjithë Shqipërinë sidomos për parkun ekologjik të rrethinës. Pastërtia e detit, ajri i pastër si dhe qetësia që ofron ky plazh, bën që çdo vit të shtohet numri i turistëve të huaj dhe vendas.

Rripi i gjërë i rërës së pastër, e cila nga njëra anë kufizohet nga deti dhe nga ana tjetër me pyllin e rrallë me pisha e drurë të tjerë, i japin kësaj zone një pamje të mrekullueshme.

Në morinë e plazheve që gjenden përgjatë vijës bregdetare të Shëngjinit vlen të përmendet dhe plazhi i “Ranës së Hedhur”, i cili është një nga zonat më të bukura, i cili nga vendasit cilësohet si oaz i Adriatikut. Udhëtimi me skaf drejt këtij plazhi është një eksperiencë shumë e bukur për këdo që e provon.

Ndërkohë në Shëngjin festat lokale, gjithmonë e më shumë po vihen në funksion të nxitjes së turizmit. Të tilla si ato që kanë në qendër shijet dhe traditat në gatimet e zonës. Prodhimet e freskëta të detit serviren kudo. Ka një nderthurje të kuzhinës tradicionale shqiptare me atë italiane. Por byreku me pulë është një ushqim tradicional i zonës, që preferohet shumë nga turistët .

Elida Lazi