Foto nga llogaria e Dromokyi-së në "Weibo"

Foto nga llogaria e Dromokyi-së në "Weibo"

Tongri Dromokyi, një mësuese e gjuhës tibetiane në Pekin, është marrë me këtë punë për afro dy dekada, dhe dëshiron të ndihmojë ata që kanë interes për kulturën tibetiane, ta njohim më thellë atë.

2020-a ishte një vit i veçantë për Tongri Dromokyi-n, që ka dhënë mësimin e gjuhës tibetiane në Pekin për 18 vjet me radhë.

“Jap mësimin e gjuhës tibetiane në Pekin, por tani mund ta mësosh këtë gjuhë kudo që të ndodhesh. Për shkak të epidemisë, të gjitha kurset nisëm t’i japim në internet. Por tani japim mësim edhe në internet, edhe drejtpërdrejt në klasë.”

Ky ishte transmetimi i parë i drejtpërdrejtë i kësaj mësueseje në “Zhihu”, një uebsajt kinez me pyetje-përgjigje. Si pasojë e pandemisë, Dromokyi filloi mësimin në internet dhe studentë nga vendet e ndryshme të botës mund të mësojnë gjuhën nga ajo. Numri i studentëve në internet u dyfishua në krahasim me mësimdhënien ballë për ballë.

Foto nga llogaria e Dromokyi-së në "Weibo"

Foto nga llogaria e Dromokyi-së në "Weibo"

Dromokyi, që ka lindur në prefekturën autonome të kombësisë tibetiane dhe të kombësisë qiang Aba në provincën Sichuan, erdhi në kryeqytetin kinez në vitin 2003, pas diplomimit në Universitetin Veriperëndimor Minzu në Kinën Veriperëndimore. Në fillim ajo punoi në një restorant dhe shumë njerëz shkonin tek ajo për të mësuar gjuhën tibetiane. Dhjetë vjet më vonë, ajo krijoi studion e vet për dhënien e mësimit të gjuhës.

“Dua që më shumë njerëz ta njohin kulturën tibetiane. Gjuha është një pjesë përbërëse e kulturës dhe gjithashtu bartëse e saj. Nuk mund të kuptosh thelbin e një kulture pa ditur gjuhën e saj. Një kulturë me jetë mishërohet nëpërmjet shkronjave, fjalëve, fjalive dhe tingujve. Nëse nuk e di gjuhën, mendon se disa tinguj janë të çuditshëm. Vetëm kur kupton shkronjat, ndien domethënien e tyre,” shprehet ajo.

Dromokyi u rrit me veprat klasike tibetiane, si “Sakya Lekshe”, dhe veprat e Gedun Chopel-it, një nga mendimtarët më origjinalë në historinë tibetiane. Ajo shprehet se kultura tibetiane është pjesë përbërëse e kulturës së shkëlqyer kineze dhe thelbi i saj është dashuria.

“Një fjalë: ‘Dashuri’. Ajo e dashuron njerëzimin, e dashuron çdo gjë në natyrë, duke përfshirë malet, ujërat dhe tokën.”

Duke folur për studentët e saj, Dromokyi thotë se afro 2 mijë veta kanë mësuar prej saj. Ata kanë arsye të ndryshme për studimin e gjuhës tibetiane, si për udhëtim, punë akademike e besim.

Foto nga llogaria e Dromokyi-së në "Weibo"

Foto nga llogaria e Dromokyi-së në "Weibo"

Yabin-i filloi ta mësonte gjuhën tibetiane në vitin 2015 nga dashuria për kulturën tibetiane.

Ajo shprehet: “Kur vizitova Tibetin në vitin 2013, u preka nga bukuritë e tij natyrore dhe dashamirësia e vendësve, të cilët të trajtonin si anëtar i familjes, edhe pse je një i panjohur. Përvoja e vizitës në Tibet më la aq shumë mbresa, sa që nuk mund të qetësohesha për disa muaj. Kështu fillova të kërkoja të gjitha informacionet rreth kësaj kombësie. Në vitin 2015 fillova ta mësoja gjuhën për ta kuptuar më thellësisht”.

Krahas mësimdhënies së gjuhës, Dromokyi organizon çdo vit studentët e saj të udhëtojnë në rajonet tibetiane për të përjetuar kulturën:

“Gjuha është pjesë e kulturës. Për ta kuptuar më mirë kulturën, gëzohem që i çoj studentët e mi në rajonet tibetiane, ku ata mund të shijojnë harmoninë dhe bekimin e kulturës. Gjatë udhëtimit në këto rajone mund ta shijosh kulturën me zemrën, sytë dhe veshët e tu dhe mund të kuptosh se çfarë na ka sjellë kultura tibetiane.”

Yabin-i ka marrë pjesë në udhëtimet e organizuara nga Dromokyi për pesë vjet. Ajo thotë se ndihet e freskët pas çdo vizite:

“Është si një proces pagëzimi. Mund të provosh thelbin e kulturës, të jesh optimist e i vëmendshëm ndaj të tjerëve, duke përfshirë dhembshurinë për të gjitha llojet e krijesave, qoftë edhe për një milingonë.”

Studentët mund të shijojnë kulturën tibetiane edhe në mënyra të ndryshme, si vallëzimi dhe këndimi në klasë.

“Vallëzimi ynë në klasë ka të bëjë me kulturën popullore, si vallja ‘Guozhuang’ dhe ‘Mbreti Gesar’.”

Vallja “Guozhuang” është një valle kolektive rreth zjarrit, që për tibetianët paraqit respektin dhe nderimin për natyrën.

“Mbreti Gesar”, epika më e gjatë në botë, është një simbol i kulturës tibetiane dhe përfshihet në listën kombëtare të trashëgimive kulturore jomateriale të Kinës.

Dromokyi pëlqehet nga studentët.

Foto nga llogaria e Dromokyi-së në "Weibo"

Foto nga llogaria e Dromokyi-së në "Weibo"

Jami Zhou studion gjuhën tibetiane prej gjashtë vjetësh.

“Kam aq shumë për të thënë për zonjushën Dromokyi. Ajo është një mësuese tërheqëse. Mund të marrësh gjithmonë energji pozitive nga ajo. Kur hasim ndonjë vështirësi në jetë, inkurajohemi nga mendja e saj e gjerë. Të mësuarit nga ajo është një kënaqësi. Kur kremtojmë ndonjë festë, si Vitin e Ri Tibetian, zonjusha Dromokyi na sjell gjithmonë çaj me gjalpë tradicional nga vendlindja e saj, i cili gjendet rrallë në Pekin.”

Duke folur për të ardhmen e studios së saj, Dromokyi shpreh shpresën që sa më shumë njerëz ta mësojnë gjuhën tibetiane:

“Pandemia më detyron të jep mësim në internet, por kjo i ka afruar edhe më shumë njerëz pranë kësaj gjuhe. Kemi studentë nga Tianjin-i, Shangai dhe Chengdu, të cilët s’kanë nevojë të vijnë në Pekin për të mësuar gjuhën tibetiane. Kam edhe studentë nga ShBA-ja, Japonia dhe Zelanda e Re, që s’kanë nevojë të vijnë në Kinë. Ndonëse mësimin në internet, ata duhet ta ndjekin në mëngjes, pasdite ose në mbrëmje, ata kanë rast të kenë lidhje me gjuhën, e cila do t’i ushqejë ata, veçanërisht gjatë pandemisë.”

Foto nga llogaria e Dromokyi-së në "Weibo"

Foto nga llogaria e Dromokyi-së në "Weibo"

200 kurse në internet u realizuan vitin e kaluar prej saj.

Dromokyi thotë se do të përpiqet me të gjitha forcat për mësimdhënien e gjuhës.

“Si një kineze e kombësisë tibetiane, shpresoj se do të vazhdoj të jap mësimin e gjuhës tibetiane dhe të punoj me zell deri në fund të jetës,” thekson ajo. (Wang Lei/Artan)