Në nderim të poetit Lefter Çipa

Më 14 shkurt, poeti Lefter Çipa, i dhuroi publikut librin e tij të ri dhe njëkohësisht të fundit, me poezi. Vetëm disa ditë më vonë, poeti u nda nga jeta. Lefter Çipa zgjodhi mënyrën më të elegante për t’u ndarë me njerëzit, familjarët, për t’u ndarë nga polifonia dhe të gjithë ato që i deshi dhe e deshën aq shumë. Erdhi ky libër i ri, në përvjetorin e tij të 79 të lindjes, në ditën e dashurisë, të cilës i këndoi aq shumë.

Lefter Çipa, me portret të sertë tipik lab e karakter të paepur bregas, por me ëmbëlsi vargu e delikatesë shpirti, buronjën e malit e ktheu në lot emocioni, dallgët e detit i ngacmoi e luajti me valët, shkrepat e thepisur të maleve, i mbylli mes strofash, aromën e trëndelinës shpërtheu mes vargjeve.

Thonë se përkatësia se prejardhjes, ndikon shumë në karakterin dhe shpirtin e njeriut, aq më shumë të artistit. Kjo tezë më së miri vertetohet tek poeti dhe princi i polifonisë shqiptare, Lefter Çipa.

Ai gjatë gjithë jetës së tij deklaronte me krenari se ishte lab, nga Piluri i këngëve brilante, i cili quhet ndryshe “Ballkoni i Rivierës”.

Atmosfera e bregut, fshati I lind jes, njerëzit e fshatit, dehja e natyrës, shpirti i patriotit, nuk u shkulën asnjëherë nga ato treva, të cilat ishin burim i madh frymëzimi.

“Unë jam Lefter Çipa, që gjithë jetën time iu përkushtova polifonisë dhe dremis syrin gjithmonë me merakun për polifoninë. Kam lindur në 14 shkurt, ditën e Shën Valentinit, në majë të Pilurit dhe vazhdoj të jetoj përballë detit e mbi supe të maleve. Pranë shtizës së flamurit të Vlorës e brenda shpirtit të këngës shqiptare”.Ky është portreti më i bukur që i ka bërë vetes së tij poeti Lefter Çipa, në median shqiptare, në të cilën ka qenë herë pas here prezent, si poet, krijues këngësh, apo studiues i polifonisë së jugut.

I përkundur e rritur me ninulla të këngës labe, ai asnjëherë nuk e ka kuptuar jetën, pa i kënduar dashurisë, trimërisë dhe heroizmit.

Për të, polifonia shqiptare, por në veçanti polifonia bregase himarjote, ishte kënga e perëndive. Ai jetoi për të. Nuk mund të flasësh për polifoninë e jugut, pa folur për Lefter Çipën. Ai i ka dhënë asaj jetë, bukuri, i ka dhënë shpirtin që lundron në valët e detit. Një ndër dimensionet për të cilat ai duhet nderuar dhe respektuar është sigurisht vlera që i dha polifonisë shqiptare, duke ruajtur, respektuar traditën e duke e zhvilluar më tej.

Po kaq I rëndësishëm është edhe roli I lefter Çipës në poezinë shqipe. Ai konsiderohet si një ndër poetët më të shquar shqiptarë në vitet 1970-2021. Autor i 18 librave të botuar me poezi dhe një kolane në proces redaktimi për botim.

Ndër librat më të qarkulluar të këtij autori me poezi janë: "Bejkë e bardhë", "Bilbilat e vendit tim", "Shqipëri moj ballëhapur", " Këngët e Ruzanës", "Dheun tim përsipër mbaj", "Për Kosovën prapë do të ngrihem", "Kënga që tret lotin", "Princi i Dashurisë", " Flet princi i polifonisë", " Engjëj të polifonisë", " Vij nga drita", "Endrra nëpër duar", "Njerëz me dritë" etj.

Konsiderohet "princi i sotëm" i polifonisë shqiptarë. Autori më kreativ i polifonisë gjatë 40 viteve të fundit. Njëri prej studiuesve dhe hulumtuesve më këmbëngulës të poezisë orale popullore në trevat jugore të vendit.

Autor i mbi 1250 këngësh të interpretuara nga grupet e famshme polifonike si ai i Pilurit (udhëheqës artistik i të cilit ka qenë për mbi 40 vjet, grupet polifonike të Himarës, Bënçës, Dhërmiut, Gjirokastrës, Vlorës, Lapardhasë, Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve si dhe dhjetëra ansambleve të tjera artistike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj.

Duke iu rikthyer këngës, për të cilën ka fituar të gjithë dashurinë dhe respektin e njerëzve të bregut dhe polifonisë, Lefter Çipa konsiderohet si autori i papërsëritshëm i këngëve të vlerës së lartë artistike dhe muzikore si "Bejkë e bardhë", "Vijnë djemtë nëpër vapë", "Nga kjo baltë e kësaj toke", "Naim Shqipëria", "Shqipëri pse të qan syri", "Zoga kaçake në male", "Këngë kurbeti", "Vito Pëllumbesha", "Hënëz e qiellit të gjerë", "Moj unaza gur jeshile", "N sokak të ngushtë", "O shokë vdekça nga kënga", "Lundroj në lundrën e këngës", "Kënga e manushaqes", " Zonjë e bukurisë", etj.

Ky autor ka qënë pjesmarrës me krijimet e veta në 6 Festivale Folklorike Kombëtare të zhvilluara në Gjirokastër, Berat dhe Lezhë duke qënë i lauruar në çdo Festival Kombëtar.

Poeti, nuk e pati asnjëherë frikë vdekjen, madje ai shpreh përmes vargjesh një raport sfidues ndaj saj.

"Vdeksha dhe prap u ngrefsha

Shokët në këngë i gjetsha...", shkruan poeti, vargje të cilat u përcollën në këngë gjatë ceremonisë së tij të varrimit.

Lefter Çipa, princi i polifonisë dhe poezisë, nga Piluri shkon drejt Qiellit, shoqëruar sipas amanetit të tij, me Flamur Kombëtar, me duartrokitje, me këngë polifonike dhe me këngën "Bilbili i vëndeve të mia / More Naim Shqipëria".

Lefter Çipa ka botuar një numër të shumtë artikujsh për autorë dhe përfaqësues të shquar të letërsisë kombëtare shqiptare. Ka një arkiv të pasur me dokumente që flasin për fondin autentik të vlerave polifonike shqiptare në Bregdetin e Himarës dhe zonat e tjera arbërore. Shumica e personaliteteve më të shquara të kulturës, mendimit dhe kërkimit shkencor kanë përcjellë vlerësime dhe publikime të rralla vlerësuese për veprën, kontributin dhe vlerat shumëplanëshe të këtij autori dhe organizatori të shquar të veprimtarive polifonike dhe folklorike shqiptare në gjithë hapësirën.

Lefter Çipa është burimi ku ushqehen shumica e këngëtarëve dhe kompozitorëve të sotëm modernë shqiptarë dhe ku shumica e këngëtarëve kanë preferuar që në repertorin e tyre të kenë të kryerenditur poezitë dhe lirikat befasuese të këtij autori.

Ky mbrojtës i pashoq i traditës sonë të rrallë dhe patrioti i madh i Shqiptarisë, është simbol i gjallë i atdhedashurisë, burim frymëzimi e krenarie për ne, një model i pavdekshëm për brezat e rinj.

Eshtë nderuar me çmime dhe dekorata, ndër të cilat me më të lartën "Nderi i Kombit".

Neritana Kraja