Në Shkodër, ka shumë gjëra për tu parë e shijuar. Por edhe këngë të bukura për tu dëgjuar. Sot me tre prej tyre, do zbulojmë pjesë të mrekullueshme të historisë dhe riteve të këtij qyteti magjik, që nuk lë indiferent askënd.

Nëse je vizitor në Shkodër, për të njohur dhe zbuluar qytetin, është më se e nevojshme një ndalesë në tre destinacione: të vizitoni Kalanë e Shkodrës, të vizitoni Muzeun e qytetit që ndodhet në shtëpinë e Oso Kukës dhe të vizitoni lagjet karakteristike të qytetit ku do të deheni nga shpërthimi i aroma të luleve. Të tre këto destinacione, kanë këngët e tyre dhe çdo këngë ka historinë e saj.

Oborr me Luleborë

Oborr me Luleborë

“Luleborë”

Sapo shkel në Shkodër, oborret karakteristike të shtëpive shkodrane të urojnë mirëseardhjen mes luleve shumëngjyrëshe dhe aromave të tyre. Qyteti i artit, kulturës dhe traditës njihet ndryshe edhe si “Shkodra e luleve”.

Oborret shkodrane janë të njohura për lulet shumëngjyrëshe e plot aromë si karafilat, trëndafilat, lule bora, jasemini, maragjyli, lule krapi, etj, që i kanë dhënë këtij qyteti jo vetëm emrin, por edhe bukurinë e hijeshinë.

Jo më kot ky qytet numëron rreth 150 këngë popullore që kanë tekste që i kushtohen luleve.

Kënga dhe lulet janë tipar dallues i Shkodrës, dhe një pjesë e historisë, traditës dhe shpirtit shkodran mund të dëshmohet fare mirë prej tyre.

Kënga “Luleborë” ka marrë statusin e këngës përfaqësuese të qytetit. Lulebora në fakt është një lule me origjinë nga Japonia, që gjendet e kultivuar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, por askund si në Shkodër, lulja nuk ka një këngë të saj. Kjo këngë në fakt është një personifikim i luleborës me portretin e një vajze të bukur shkodrane. Një këngë dashurie dhe adhurimi për dashuritë e mundura dhe të pamundura të qytetit, që lindin mes aromash dhe atmosferës idile të qytetit.

Kënga “Luleborë” lindi si një dashuri e pastër rinore, kur kompozitori i shquar Simon Gjoni, atëherë një mësues i ri, dashuronte një vajzë gjimnaziste. Ishte viti 1946. Kjo vajzë e bukur në një ditë me borë, kur luante me shokët në oborrin e shkollës, i ngjante këtij artisti të madh, që më vonë do të bëhej bashkëshorti, si një lule topçe, e bardhë si bora, ashtu si lulebora në oborret shkodrane.

Poeti Zef Pali bëri tekstin, kompozitori Simon Gjoni muzikën dhe që atëherë kënga “Luleborë” u bë hit i muzikës lirike shqiptare.

Kënga Luleborë, është kënga unike e trashëgimisë kulturore të qytetit, që e prezanton Shkodrën kudo, që këndohet nga çdo qytetar, që nuk mungon në asnjë festë apo gëzim familjar apo zyrtar të qytetit, që këndohet nën buzë në shenjë adhurimi, por edhe me zë të fortë, si konfirmim i dashurisë dhe ndjenjave të pastra.

Kalaja e Shkodrës

Kalaja e Shkodrës

“Kënga e Kalasë së Shkodrës”

Një prej krenarive të trashëguara të Shkodrës është Kalaja shumë shekullore e Rozafës.

Kalaja e Shkodrës është një prej kalave më të mëdha të Ballkanit dhe i prin hyrjes jugore të qytetit të Shkodrës mbi lumenjtë Kir, Drini e Buna.

Legjenda e ndërtimit të saj është thurur në gojëdhëna, tekste historike e vargje këngësh. Legjenda e Rozafës, gruas që u flijua për të mbajtur muret e kalasë, është pjesë e tavolinave shkodrane edhe nëpërmjet jareve karakteristike të qytetit.

Kalaja e Rozafës Shkodër

Kalaja e Rozafës Shkodër

“Kënga e Rozafës” e cila, ashtu si legjenda, tregon për tre vëllezër, që punonin gjithë ditës për të ngritur muret e kalasë por që i rrezoheshin natën, vjen e interpretuar nga Bik Ndoja, një prej zërave më brilant dhe të njohur të muzikës qytetare shkodrane.

Kënga është e ndërtuar mbi tonalitet dramatik, siç është dramatike legjenda e mureve që rrëzoheshin. Siç është dramatike edhe ardhja e plakut që “po kalon aty pari’, siç tregohet në këngë.

Melodia e këngës së Rozafës, është sigurisht më përfaqësuesja dhe identifikuesja e historisë dhe trashëgimisë shkodrane.

Shtëpia e Oso Kukës (muzeu) në brendësi

Shtëpia e Oso Kukës (muzeu) në brendësi

“Kënga e Oso Kukës”

Kënga e Oso Kukës, është një ndër këngët që bën krenar çdo shkodran e patriot. Bazohet në një histori të vërtetë trimërie, që identifikon luftën e këtij qyteti për të mos rënë në dorë të malazezëve dhe për të ruajtur kufinjtë e saj.

Siç thonë kronikat e kohës, në maj të viti 1862 forcat malazeze nisën sulmet në malësinë e Shkodrës, por u thyen nga malësorët e Hotit dhe të Grudës. Një muaj më vonë, forca të shumta malazeze, sulmuan ishullin e Vraninës. Për të mbrojtur pikën kufitare të Vraninës, që është në anën veriore të liqenit të Shkodrës, dolën vullnetarë nga rinia shkodrane. Ndër to, ishte edhe i riu nga qyteti i Shkodrës, Oso Kuka.

Detyra e grupit me 24 veta që drejtohej nga Oso Kuka, ishte të mbronin kullën e Vraninës, që ishte edhe posta kufitare. U zhvilluan luftime të shumta, mes grupit të djemve të komanduar nga Oso Kuka dhe malazezëve. Ai me shokët e tij rezistoi gjatë, mirëpo sulmuesit malazezë ishin të shumtë dhe të vendosur për ta marrë me çdo kusht Vraninën. Oso Kukës po i vriteshin bashkëlufëtarët një nga një dhe ndihmat nga Shkodra po vononin. Në momentet e fundit, kur malazezët menduan se kulla do të dorëzohej, se ishin vrarë pothuajse të gjithë mbrojtësit, Oso Kuka me dy -tre shokë të mbetur gjallë, me trupin gjithë plagë, vendosën të mos binin në dorë të armikut. Oso Kuka me trimat e tij, mblodhën gjithë barutin dhe kur malazezët u afruan në kullë duke menduar se e pushtuan atë, ai u vuri flakën barutit. Kulla u hodh në erë bashkë me pushtuesit dhe mbrojtësit.

Zenel Maha ishte një krijues këngësh i njohur në Shkodër, bashkëkohës me Oso Kukën dhe ngjarjen që po tregojmë. Atë ditë ndjente dhimbje në shpirt. Atë mëngjës Shkodra ishte zgjuar me peshën e rëndë të humbjes së bijve të saj.

Shtëpia e Oso Kukes - sot Muzeu i Shkodrës

Shtëpia e Oso Kukes - sot Muzeu i Shkodrës

Vraniçarët kishin sjellë në Shkodër, ashtu gojë më gojë edhe fjalët e fundit të Oso Kuës, para vdekjes, kur ishin vrarë 24 shokët: “S’kam ç’baj tjetër, Shkodra jeme/ Për ty po djeg vedin teme/ Edhe 100 jetë të kisha/ për Shqipninë flakë do t’i digjsha”.

Kalonin ditë e muaj. Ngjarja nuk harrohej. Zenelit bëri këngën, dhe ia dha një grupi që merrej drejtpërdrejtë me aheng, e që kishte bërë emër. E mësuan menjëherë dhe për herë të parë e kënduan në një kafe, në Pazarin e Shkodrës. Njerëzit që e dëgjonin këngen ndaleshin në rrugë, po përtërihej epopeja e Oso Kukës.

Kënga ka 22 strofa mbas më shumë se 130 vjet nga krijimi i saj, disa strofa vazhdojnë të këndohen.

Është kënga që identifikon Shkodrën, historinë e saj, përpjekjet e mundimshme për të ruajtur kufinjtë e saj, që gjithmonë kanë qenë prehë lakmie e malazezëve dhe shpritit të saj përtëritës.

Shtëpia e Oso Kukës, ndodhet në qendër të qytetit dhe është shndërruar në Muze. Një vizitë aty është gjithmonë e adhurueshme, pasi do të mësoni jo vetëm historinë e heroit tonë, por edhe të qytetit magjik, që krenohet me historinë, herozimat, kulturën, muzikën dhe ndjenjat e pastra.

Neritana Kraja