Pushimet janë gjithmonë, një moment shkëputje për shumë njerëz nga ritmi i ditëve të zakonshme, të nevojshme për të gjetur energji dhe mendime të reja. Turizmi i bardhë ose “pushimet e bardha” janë ato të cilat po shndërrohen në zbulime vendesh të reja, aty ku dimri takon me bardhësinë e tij vende dhe njerëz te ndryshem.

Prej shumë kohësh edhe kjo stinë është e khtyer në një traditë pushimesh sigurisht në përshtatje me buxhetet. Por ajo që po vihet re gjithmonë e më shumë është se çdo vit në Shqipëri pushimet dimërore po marrin përmasa në rritje.

Vite më parë nuk mund të flitej për turizëm të bardhë. Por sot është një trend i momentit, pasi janë zbuluar vendet ideale për të mirëpritur turistë në ditët e ftohta të dimrit.

Dimri është një mundësi po aq bindëse për të kaluar bukur dhe ndryshe përmes udhëtimesh apo sporteve dimërore. Në shumicën e rasteve pyetja me e zakonshme që njerëzit shtrojnë është se cilat janë disa nga destinacionet perfekte për të provuar një aventurë dimërore, cilat janë çmimet dhe alternativat që ato ofrojnë.

Puka

Puka, një qytet i këndshëm rrethuar me pyje, është plotësisht e arritshme në dimër, për të kaluar aty një fundjavë në shoqërinë e familjes apo miqve, duke gjetur mikpritje në hotele apo edhe në shtëpitë pritëse të zonës.

Puka ofron në dimër një peizazh të harmonishëm alpin, ku reflektimi i dritave mbi liqen, sjell një pamje mbresëlënëse.

Ndërsa jeni në Pukë, do të mahniteni nga malet me lugina të thella, livadhe që ndërpriten nga lumenj e përrenj të shumtë, kroje me ujë të kulluar ushqyer nga dëbora e shumtë, që shpesh zbardh deri në verë.

Po ta shohësh nga lart qyteti shtrihet në një pllajë të vogël, një majë e prerë 838 metër mbi nivelin e detit dhe ajo çka e bën të veçantë Pukën është masivi i pishave, 400 hektarë, që i vjen përreth dhe tre majat: e Krabit, Tërbunit dhe Munellës që e rrethojnë nga të gjitha anët, çfarë e bëjnë qytetin e Pukës një destinacion perfekt për alpinizëm, për turizmin e natyrës dhe të aventurës.

Vizita mund të nisë nga vetë qyteti. Me një popullsi prej 6000 banorësh, Puka shquhet për ajrin e pastër dhe qetësinë. Vendi i parë për tu eksploruar është liqeni (qyteti ka dy të tillë), i sistemuar me vende pushimi mes bredhave të lartë, prej nga mund të ngjitesh në Kodrën e Hanit për të eksploruar pistën natyrore të skive apo livadhet. Më tej mund të bëheni pjesë e eksplorimit të shpellave, pasi Puka njihet për 85 shpellat e famshme të saj, për mund të ecni në shtigje e lugina, për ta përmbyllur me hanet tipike të vendit dhe ushqimet karakteristike të zonës, përbëjnë një ofertë të mirë turistike.

Mikpritja, karakteristikë e qytetit, dhe ushqimi i mirë (flija, tava e dheut, mishi në prush, qumështi, bulmeti, mjalti kurativ, vezët e freskëta, kërpudhat e egra, frutat e thata dhe reçelrat), qetësia magjike dhe ajri i pastër, luginat e gjelbërimi që shkon deri ku të rrok syri e bëjnë Pukën një destinacion pothuaj të pabesueshëm për bukurinë e saj dhe kaq lehtësisht i arritshëm dhe me surpriza të bukura.

Dajti

Nëse jeni për një pasdite të shkurtër apo një fundjavë komode, Dajti është destinacioni më i afërt me kryeqytetin. Me një shëtitje me teleferik, një lojë në dëborë, një shëtitje me kuaj apo edhe thjesht ecje përgjatë shtigjeve të Dajtit, do ta bëjnë ditën tuaj më të bukur e më të shëndetshme.

Teleferiku që të shpie në Dajt është më i gjati në Ballkan me 2 stacione, një në fillim, i vendosur në periferi të Tiranës, dhe një në mbërritje, në majë të malit të Dajtit. Teleferiku ka tridhjetë kabina, secila me një kapacitet prej tetë personash.

Parku Kombëtar i Dajtit gjendet në pjesën lindore të kryeqytetit dhe mbulon një siperfaqe prej 3.300 hektarë.

Ka aktivitete të shumta që mund të bëhen në Parkun e Dajtit. Ju mund të vizitoni parkun, të bëni një udhëtim me kalë, të praktikoni qitje, ose të argëtoheni në Parkun e ri Dajti Adventure Park, i rrethuar nga natyra dhe i përshtatshëm për të gjithë familjen.

Gjatë periudhës së janarit bora zbardh majën e malit dhe e bën ndër vendet më të frekuentuara, jo vetëm për banorët e Tiranës, por edhe për turistët e shumtë. Kushtet e hoteleve dhe komplekseve turistike janë moderne dhe shumë të rehatshme, të pajisura me shërbime të shumta. Kuzhina është tradicionale shqiptare, me produktet e mishit të gatuara në shumë mënyra dhe perime të freskëta të stinës,verëra shqiptare, si dhe peshk të freskët nga basenet e komplekseve.

Valbona

Të bësh një udhëtim në dimër, në Luginën e Valbonës, duhet të përgatitesh jo vetëm materialisht për çfarë do të marrësh me vete, por në radhë të parë shpirtërisht, për të përballuar dhe shijuar nga ana emocionale, bukuritë befasuese të këtij parku kombëtar verior të Shqipërisë, i cili tashmë është shumë i vizituar jo vetëm nga të huajt por edhe nga mjaft shqiptarë, të ngopur me detin e të etur për aventurë.

Për të shkuar në Valbonë duhet të udhëtosh 7 orë nga Tirana. Pjesa kryesore e udhëtimit, është segmenti Tiranë-Bajram Curri, që përfshin edhe udhëtimin me traget nëpër liqenin e Komanit. Pamjet fantastike të shpateve malore që bien thikë mbi ujin e liqenit të Komanit, janë të paharrueshme. Përrenjtë dhe luginat e vogla qe lidhin liqenin me pellgun e Drinit krijojnë fjorde të vegjël që futen në brendësi të masiveve malore. Gjatë udhëtimit me traget shikon dhe dy digat gjigande të hidrocentraleve në kaskadën e Drinit. Udhëtimi me traget zgjat dy orë e gjysëm. Nga Bajram Curri në drejtim të Valbonës, shkohet me mjete të tipit 4 x 4 por edhe me furgonë te linjes.

Lugina e Valbonës ka një sipërfaqe prej 8 000 hektarësh dhe konsiderohet si mrekullia e Alpeve shqiptare.

Në Valbonë ka disa bujtina për tu akomoduar. Për të patur një ide të përgjithshme mbi koston e akomodimit, një natë në një shtëpi pritëse kushton afërsisht 30 euro, me të gjitha vaktet e përfshira.

Ka klimë malore, por me diell gjatë verës. Temperaturat nuk janë kurrë tepër të larta për shkak të pozicionit të zonës në lartësi. Në dimër ka mjaft dëborë që shtresëzon deri në një metër e në periudha të caktuara, edhe më shumë.

Rreshjet vjetore janë të bollshme, pjesa kryesore e tyre bie në vjeshtë dhe në dimër. Është për t’u theksuar fakti që infrastruktura e vështirë nuk ju lejon të udhëtoni vetëm, e aq më tepër që rrugët në dimër bllokohen nga dëbora. Por duke kontaktuar guidat vendase, nëse jeni të vendosur që ta vizitoni në dimër.

Si aktivitete kryesore përgjithësisht dominojnë shëtitjet në natyrë por mund të ushtrohen edhe lloje të ndryshme sportesh, ngjitje në shpatet e maleve. Mund të ushtrohet edhe sporti i gjuetisë por vetëm gjatë sezonit dhe duke marrë informacionin paraprak se për cilat kafshë të parkut është e ndaluar gjuetia.

Valbona është një nga zonat më të bukura të Shqipërisë dhe segmente e rrëmbyera të lumit me të njëtin emër, mund të jenë një sfidë për të apasionuarit e sporteve ekstreme.

Neritana Kraja/ redaktorja Wang Lei