Sapo kemi hyrë në vitin e ri 2021 dhe akoma nuk e dimë sesa vezulluese do të jenë dritat e skenave. Ende nuk e dimë, nëse gjatë këtij viti të ri, duartrokitjet e publikut do të dëgjohen nëpër skena. As nuk dimë nëse do të kemi një ecuri normale të jetës, sikundër të gjithë dëshirojmë dhe shpresojmë.

Një fakt dimë, që viti 2020, të cilin e lamë pas, përveçse do të mbahet mend për pandeminë që pushtoi botën, do të kujtohet edhe si viti që u vuri drynin shumë teatrove dhe kinemave, pavarësisht përpjekjeve për tí mbajtur gjallë ato.

Po ashtu gjatë këtij viti, shumë personalitete të kulturës dhe artit u ndanë nga jeta, disa prej të cilëve edhe për shkak të virusit, dhe jo të gjithëve, për shkak të rrethana, mbase nuk iu dha respekti dhe nderimi që meritonin.

Në këtë rubrikë do të gjeni një vështrim pas mbi disa nga figurat më me ndikim dhe trashëgiminë, si homazh për jetën dhe karrierën e tyre!

Fehmi Oshafi - regjizor

Më 15 janar, “Qendra Kombëtare e Kinematografisë” njoftoi përmes një postimi në Facebook lajmin se regjisori i njohur Fehmi Oshafi ndërroi jetë në moshën 86-vjeçare.

Oshafi, lindi në shtator të 1934-ës në Tiranë dhe i dedikoi gjithë jetën kinemasë. Suksesi i parë i tij ishte spektakli “Estrada në Ekran”, që i hapi rrugën drejt botës së kinemasë. Pas emrit të regjisorit qëndrojnë filma, si: “Shoku ynë Tili”, “Kapedani”, “Zëvendësi i Grave” apo “Ëndërr për një karrige”.

Xhevdet Ferri - aktor

Xhevdet Ferri, një nga aktorët më të talentuar të kinematografisë shqiptare, ndërroi jetë në moshën 59-vjeçare, më 16 janar, për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Mjeshtri i Madh i filmit ishte një nga ikonat e kinematografisë shqiptare në vitet ’80-’90 me dhjetra role protagoniste. Si disa nga filmat më të njohur përmendim “Gjurmë në kaltërsi”, “Hije që mbetën pas”, “Era e ngrohtë e thellësive”, “Dhe vjen një ditë”, “Përrallë nga e kaluara” etj. Ai nuk qëndroi larg kinemasë edhe në vitet 2000 me interpretime në filma si, “Saimir” (2004), “Gjoleka, djali i Abazit” (2006), “Gjallë” (2009) apo në “Kërkim të kujt” (2009).

Nexhmije Pagarusha - këngëtare

Më 7 shkurt, Nexhmije Pagarusha, legjenda e muzikës shqiptare, Bilbili i Kosovës, u nda nga jeta në moshën 86-vjeçare. Ajo vuante nga një sëmundje e rëndë.

Nexhmije Pagarusha u lind më 7 maj të vitit 1933, në Pagarushë, një fshat në afërsi të Malishevës, Kosovë. Karrierën muzikore që përshkon 40 vite ajo e nisi në vitin 1948 në Radio Prishtina. Ajo interpretoi këngë si “Baresha,” “E dehun jam,” “Shota” etj. që konsiderohen kryevepra të muzikës shqiptare; interpretoi vepra të përkthyera në shqip të Bethovenit, Puçinit, Verdit, në një koncert të parë të llojit të tij që për fat të keq nuk u regjistrua.

Pagarusha i dha fund karrierës në vitin 1984 pas një koncerti në Sarajevë. Në vitin 2000, pas 16 vitesh larg skenës, u kthye me këngën “Për ty,” në një emision të Ardit Gjebreas. Në vitin 2012, ajo mori titullin “Ndëri i Kombit” nga Presidenti Bujar Nishani. Ndërsa në vitin 2018, mori “Medaljen e Mirënjohjes” nga Presidenti Trump.

Gëzim Kruja - aktor

Më 5 prill, aktori i humorit, një nga ikonat e komedisë shkodrane, Gëzim Kruja u nda nga jeta në moshën 80-vjeçare.

Gëzim Kruja e nisi karrierën që në moshën 13-vjeçare, fillimisht si amator e më vonë u aktivizua me estradën profesioniste të Shkodrës. Studimet e larta i mbaroi në Institutin e Lartë Pedagogjik, në degën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi në Shkodër. Në vitin 2004 u vlerësua me çmimin “Krenaria e Qytetit”, një vit më vonë mori titullin “Naim Frashëri i Artë” dhe në vitin 2010 u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”.

Rikard Ljarja - aktor

Më 20 prill, Rikard Ljarja, një nga ikonat më të shquara të kinematografisë shqiptare ndërroi jetë në moshën 77-vjeçare si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.

Ljarja, i lindur në Shkodër, e nisi karrierën në kinematografi që pas përfundimit të gjimnazit duke ndjekur fillimisht studimet në Shkollën e Lartë të Aktrimit “Aleksandër Moisiu”. Pas studimeve, punoi si aktor në teatrin “Migjeni” në Shkodër dhe më pas si aktor, regjisor dhe skenarist në disa nga filmat më të njohur të kohës. Disa nga filmat ku spikati me talentin e tij janë “Rrugë të bardha”, “Radiostacioni”, “Rrugicat që kërkonin diell”, “Shpërthimi”, “Ilegalët”, “Kur zbardhi një ditë” etj.

Maks Velo – piktor

Më 7 maj, u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare piktori, arkitekti, shkrimtari dhe studiuesi Maks Velo.

I specializuar në arkitekturë, në 1960-ën, Velo mori pjesë në projektin e parë që u bë në Tiranë. Gjatë viteve 1978-1979 ai u arrestua nga regjimi i asaj kohe dhe u dënua me 10 vite burg, vite të cilat e frymëzuan për një pjesë të mirë të krijmtarisë së tij të mëvonshme.

Maks Velo është gjithashtu autor i një sërë botimesh si: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Betonizimi i demokracisë”, “Hetimi”, “Spaçi”, “Jeta ime në figura”, “Klubi Karavasta” “Përkthyesi”, “Jetë paralele”, etj.

Moikom Zeqo – kritik arti

Më 15 qershor, Moikom Zeqo, studiuesi dhe shkrimtari i njohur, u nda nga jeta në moshën 71-vjeçare. Shkrimtari, i lindur në Durrës la pas plot 62 vepra me poezi, me studime arkeologjike, si dhe skenare filmash kinematografikë e televizivë me karakter kulturor dhe arkeologjik.

Moikom Zeqo është gjithashtu autor i tre ekspozitave në pikturë. Veprat dhe karriera e tij e gjatë artistike dhe intelektuale janë vlerësuar nga personalitete të kulturës shqiptare dhe asaj të huaj. “Mjeshtri i Madh” do të mbahet mend gjatë si pioner i post-modernizimit në letrat shqipe.

Besim Zekthi - koreograf

Më 28 qershor, mjeshtri i valles popullore shqiptare, Besim Zekthi, u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare. Ai humbi betejën pas një sëmundjeje të rëndë në banesën e tij në Tiranë.

Zekthi, një nga emrat më të shquar të valles popullore, spikati që prej fillimit për talentin e tij dhe shprehjen e traditës së folklorit shqiptar përmes lëvizjeve të trupit. Solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, shkëlqeu veçanërisht në vallet e njohura “Vallja e shqipeve” dhe “Festë ka sot Shqipëria” dhe ishte ndër protagonistët kryesorë që i dha Gjerdanin e Artë vendit tonë në festivalin e Dijon-it në Francën e viteve 1970.

Avni Mula - konpozitor

Më 29 tetor, kompozitori i shquar shqiptar ndërroi jetë në moshën 92-vjeçare. Avni Mula ishte këngëtar dhe kompozitor i suksesshëm, autor i këngëve të njohura si “Valsi i lumturisë”, “Vajza me kaçurrela”, “Shqipëri, o vendi im” etj.

Studimet e larta muzikore i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës (1952-1957), ku u diplomua si këngëtar lirik. Karrierën artistike e nisi menjëherë mbas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike. Veçohen realizimet e figurës së Figaros te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Onjeginit tek “Eugjen Onjegin” të Çajkovskit dhe Gjetës tek “Mrika” e Prenk Jakovës.

Koço Devole - aktor

Më 8 nëntor, aktori dhe regjisori Koço Devole u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare, pas infektimit me Covid i cili i ndërlikoi gjendjen shëndetësore pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.

Devole, i lindur në Kuçovë më 28 nëntor 1945, ishte një nga figurat më të njohura të humorit shqiptar në vitet ’80 dhe ’90. Ndër rolet e tij më të njohura përmendim ato në telekomeditë “Të gjallë apo të vdekur”, “Çanta me nje milion”, “Oreksi i madh”, “Mos shko o trim”, “Revolja e heroit”, “Pushime në Romë” etj. Në karrierën e tij, aktori u vlerësua edhe për karikaturat e njohura (revista Hosteni).

Që prej vitit 2009, Devole ishte pjesë e “Fiks Fare”, ku spikati me rubrikat e drejtuara prej tij.

Lumturi Blloshmi - piktore

Më 27 nëntor, Lumturi Blloshmi, piktorja e njohur shqiptare ndërroi jetë si pasojë e Covid-19.

Ajo krahasohej shpesh me Frida Kahlo-n për shkak të krijmtarisë së saj. Blloshmi ishte ndër artistet e para që lëvroi performancën dhe instalacionin në vendin tonë. E lindur në Tiranë në 1944-ën, ajo u diplomua për pikturë në vitin 1968, për të hapur në 1988 ekspozitën e parë personale në Berat. Po në atë vit, mori pjesë në Bienalen e Ankarasë. Midis viteve 1992- 2010 Blloshmi mori pjesë në ekspozita të ndryshme në grup si në Selanik, Madrid, Lion, Budapest, Stamboll, Paris, Zyrih, Gjenevë, Modena, Hagë, New York etj. Ishte fituese e konkursit ndërkombëtar “Onufri ’94”. Puna e saj në artin pamor nisi në vitet 1973-1974, periudhë e cila kujtohet si shumë delikate për artin shqiptar.