Elbasani naten

I njohur dikur me emrin “Skampis” qyteti në kërthizë të Shqipërisë, që sot njihet me emrin Elbasan, është ndër zonat më të hershme që vërtetojnë trashëgiminë dhe kulturën e lashtë të Shqipërisë. I shtrirë në krahun e djathtë të lumit Shkumbin, në lartësinë 120 m mbi nivelin e detit, Elbasani njihet si “kryeqendra e ditës së verës”, apo qyteti i luleve, ndërsa në ditët e sotme e kanë quajtur edhe si “kryeqyteti i poezisë shqipe”. Para viteve 90-të Elbasani thirrej me emrin “qyteti i metalurgëve”, për shkak të Kombinatit Metalurgjik.

Pamje nga Elbasani i vjeter

Historia

Elbasani është një vendbanim i lashtë, i ngritur në një pozicion të përshtashëm gjeografik. Si stacion i rrugës “Egnatia” përmendet në shekullin e II të erës sonë me emrin “Skampis” dhe fakti që vërteton plotësisht vendndodhjen e qytetit është guri i varrit të legjionarit Mark Sabiti, i cili ruhet në ditët tona në Muzeun Etnografik të qytetit. Duke iu referuar dokumenteve të kohës qyteti fillon rënien në shekullin e V- të erës sonë, me dyndjen e fiseve barbare. Ndërkohë në fillim të shekullit të VI, si pasojë e pushtimit të Italisë nga perandori Justinian, lëvizjet në rrugën “Egnatia” rigjallërohen . Sipas dëshmive historike, në atë kohë qyteti u evidentua si një qendër tregtare, peshkopate e ushtarake, me katedrale, kisha e bazilika të shtruara me mozaikë.

Elbasani u themelua nga Sulltan Mehmeti II dhe Ballaban Pasha në shek.XV. Mori këtë emër sepse ishte një ndër trevat e para të pushtuara nga osmanët, ELI-BASAM , që do të thotë “vura dorë”. Pas disfatës që pësoi në rrethimin e dytë të Krujës, Sulltan Mehmeti II, rindërtoi në kthim në vitin 1466 kalanë e vjetër, për ta pasur si pikë mbështetjeje të mëvonshme. Kalaja u ndërtua në vetëm 25 ditë dhe në ndërtimin e saj ndihmuan 150.000 njerëz. Qyteti i Elbasanit konsiderohet si një nga vatrat më të rëndësishme të luftës për liri dhe çlirim kombëtar. Si pika kulmore përmendim aktin e shpalljes së pavarësisë së Elbasanit, më 25 Nëntor 1912.

Festimi i Dites se Veres ne Elbasan

Tradita dhe kultura

Elbasani njihet për një kulturë dhe traditë të pasur. Nga vetë pozita gjeografike që ka, Elbasani ka qenë një qendër e shkëmbimit kulturor dhe artistik të shqiptarëve. Shumë personalitete të këtij qyteti kanë lënë gjurmë të spikatura në letërsi, mësuesi, art, shkencë dhe politikë. Përmendim këtu patriotin dhe mësuesin e shquar Dhaskal Todri, babain e gjuhës shqipe Kostandin Kristoforidhi, gjuhëtarin e shquar Aleksandër Xhuvani, veprimtarin e lëvizjes kombëtare dhe studiuesin Lef Nosi.

Elbasani ka qenë vatra ku lindën, jetuan dhe kontribuan me artin dhe aftësinë e tyre piktori dhe ikonografi i mesjetës, Onufri bashkë me djalin Nikolla dhe nipin e tij, Kostandin Shpataraku, të tre ikonografë të nivelit botëror.

Në fushën e artit dhe të muzikës në Elbasan përmendet me krenari, artisti Isuf Myzyri, ndërsa në vitet e mëvonëshme vëllezërit Zena, të cilët i kanë dhënë shpirtin këngës popullore elbasanase.

Nga burimet etnografike dhe gërmimet arkeologjike, harta kostumografike e rajonit të Elbasanit del e pasur dhe shumë e hershme. Ai numëron rreth 37 kostume popullore autentike me mbi 10 variante. Në disa zona këto kostume ruhen edhe sot.

Kalaja e Elbasanit

Elbasani ruan një traditë të organizimit të panaireve të ndryshme. I pari panair, është ai i vitit 1381, i pasuar nga të tjerë në periudha të mëvonshme.

Ndikimi i zejeve të Elbasanit shtrihej në të gjithë Shqipërinë e Mesme dhe deri në Ohër të Maqedonisë. Ndërkohë në qytet u ruajt tradita me ndërtime të tipit "elbasanas". Një ndër to është dhe Kulla e Sahatit, e cila u ngrit në vitin 1899 me një lartësi prej 30 metra.

Lëvizja arsimore e kulturore mori një zhvillim të gjithanshëm dhe u mbështet nga shtresa të ndryshme të popullsisë.

Kremtimi i ditës së verës në Elbasan është një nga traditat më të hershme të qytetit. Historianët besojnë se kjo festë është kremtuar që në antikitet.

Mjedisi brenda Kalase se Elbasanit

Turizëm

Elbasani ka resurse natyrore dhe historike për t’u vizituar nga turistët. Në agjendën turistike të qytetit përfshihet Kalaja, që është më e madhja në Shqipëri dhe me shumë objekte historike.

Në brendësi të saj veç të tjerave mund të vizitosh dhe tre godinat fetare, xhamia “Mbret”, kisha ortodokse “Shën Maria” dhe kisha katolike Unite e Shën Pjetrit, që ndodhen në një vijë të drejtë me largësi njëra nga tjetra, mes tyre dhe një hamam i grave, unik në llojin e tij në Shqipëri. Ndërkohë në qendër të qytetit gjendet Bazilika paleokristiane, e cila së bashku me Rrapin e Bezistanit tërheqin një numër të shumtë vizitorësh. Elbasani njihet dhe për vende të tjera turistike, mes tyre pika e Bushekut, trevë e dikurshme e Arianitëve dhe vendi ku Gjergj Arianiti theu disa herë ushtritë osmane. Nuk mbetet pas dhe pikat turistike në Labinot, Mirakë, Belsh, Gjinar etj, të cilat formojnë një ansambël çlodhës e argëtues për qytetarët.

Turizmi lumor është një tjetër atraksion që ka tërhequr shumë vizitorë dhe që ka njohur një zhvillim të madh vitet e fundit. Ajri i pastër dhe kthjelltësia e ujërave të lumit Shkumbin janë ndalesa e turistëve vendas dhe të huaj.

Tava e kosit e Elbasanit

Një vlerë e shtuar e vizitës në këtë qytet është dhe kuzhina e pasur. Gatimet tradicionale, por edhe ato të huazuara nga vendet fqinje janë një arsye më shumë për t’u ndalur në qytetin e festës së verës. Elbasani është një nga qytetet ku arti i amvisave është ruajtur më fanatizëm, duke krijuar një buqetë të vërtetë gatimesh të shijshme. Vizitorët shijojnë në Elbasan tavën e kosit, tavën pistil, qullin me arra, bugaçen, si dhe bollokumet e famshme, simboli i “Ditës së Verës”, që festohet më 14 mars. (Elida Lazi/ redaktor Fani)