Sot do të tregojmë se si po krijohen paketa të reja impresionuese për trurizmin, nisur nga eksplorimi i një lloj tjetër turizmi, që lidhet me jetën në fshat dhe produktet bio me të cilat kemi të drejtë të krenohemi.

Në mjaft zona të Shqipërisë, fermerët po i kthehen traditës së prodhimeve bujqësore, si mundësi për të zhvilluar agroturizmin.

Sot do të ndalojmë në tre destinacione, që i kemi konsideruar si destinacionet e vjeljes:

Shega në Shkodër, ulliri në Berat, mandarina në Konispol.

Festa e Mandarinës në Konsipol, Sarandë

Festa e Mandarinave, është festa që feston vjeljen e parë të prodhimit, të këtij fruti kaq të dashur të Rivierës Shqiptare.

Për t'i dhënë më shumë vlerë punës së tyre, por edhe për të reklamuar zonën, prej vitesh banorët e Konispolit e kanë kthyer qytezën e vogël në destinacionin turistik të madarinës.

Kjo do të thotë se turistë nga i gjithë vendi, drejtohen për atje dhe marrin pjesë në aktivitete speciale kushtuar kësaj dite.

Bëhet fjalë për paketa turistike dy ose tre ditore, ku janë të përfshira fjetja, vaktet kryesore dhe gara për vjeljen e mandarinës.

Dita e garës është ndoshta më festivja, pasi pjesmarrësit vihen në garë për të mbledhur sa më shumë dhe sa më shpejt në kohë, sasinë më të madhe të koshave me mandarinë.

Ky lloj turizmi rural, çdo vit e më shumë tërheq njerëzit, të cilët duan t'i shpëtojnë rutinës së qyteteve të mëdha dhe të provojnë për vete ose fëmijët e tyre eksperienca të reja.

Eshtë i preferuar kryesisht nga familjet të cilat duan tu mësojnë fëmijëve një realitet të ri, atë të fshatit dhe të punës.

E gjitha kjo eksperiencë e bukur ndodh vetëm 20 minuta larg Sarandës, njërës nga qendrat turistike verore më të famshme të Shqipërisë. Skaji më jugor i vendit tonë ndër vite ka krijuar ritualet dhe traditat e tij bazuar në produktet që kultivojnë. Agroturizmi duket se është modeli që po nxit ekonominë rurale.

Nëse pyet banorët e Konispolit, mandarinën e konsiderojnë si floririn e zonës. Zona për shkak të klimës ka krijuar kushtet e përshtatshme për pasurinë e tyre natyrore. Në lashtësi këto lloj festimesh shpesh thuhej se falënderonin zotat dhe nxisnin pjellorinë e tokës.

E tashmë për hir tradite që vazhdon dhe feston këto kultivime, kjo festë është dhe një mjet i mirë marketimi, që reklamon prodhimin e bollshëm dhe bio, si dhe afron turistë në një traditë dhe eksperiencë të re. Ky aktivitet ndërthuret me shumë aktivitetë për fëmijë (gara, kërcime), panaire me produktet lokale, vizita në plantacione dhe fabrika të përpunimit, shijim i ushqimeve tradicionale etj.

Festa e Shegës, Ana e Malit, Shkodër

Vit për Vit në Anën e Malit në Shkodër zhvillohet në vjeshtë “Festa e Shegës”, një veprimtari që synon promovimin e produkteve dhe traditës së një prej zonave ndërkufitare të Bashkisë Shkodër.

Por që njëkohësisht ka ngjallur interesin e banorëve të Shkodrës, të Shqipërisë, si dhe mysafirëve nga trevat shqipfolëse të Malit të Zi, me të cilët ndajmë të njëtin motiv për ta kultivuar dhe festuar : Shegën.

Anamalasit shegën e quajnë fruti i jetës. E gjithë zona e prodhon shegën, dhe duke kaluar edhe pak në Mal të Zi, i gjithë rajoni është një nga trevat unike në prodhimin e saj.

Shega është pjesë e jetës së anamalasve dhe nuk ka shtëpi që nuk ka nga 5-6 deri në 100 pemë shegë.

Eshtë një nga zonat ku bëhet kultivimi më i madh i shegës, është klima dhe njerëzit që e dashurojnë shegën.

Festa e Shegës bëhet në vjeshtë, kur pema jep prodhimin e saj dhe në panairin e zonës, reklamohet gjithcka që ka lidhje me shegën: fruti në varietete të ndryshmë, lëngu i shegës, ëmbëlsira të prodhuara me shegë, por edhe produkte të tjera të zonës, e cila dallohet për cilësinë e jashtëzakonshme në kultivimin e zarzavateve dhe produkteve të gjelbra.

Kjo festë unike, plot ngjyra ka ngjallur interes dhe dëshirë tek banorët për ta bërë zonën e tyre sa më turistike.

Tre vite më parë këtu u promovua edhe ferma e parë agroturistike me emrin Shega, si pjesë e projektit të agrotrurizmit në Shqipëri. Në pak vite, ky destinacion është kthyer në pikë stacionimi për turistët europianë, që përdorin pikën e kalimit të Muriqanit, për të hyrë në Shqipëri.

Kjo është ferma e parë agroturistike e zonës dhe më e njohura, por të tjera janë ngritur me shpejtësi pas saj.

Ato ofrojnë paketa të vogla një, dy deri tre ditore, ku mund të jetosh si në fermë: Të mbledhësh shegë, t'i shtrydhësh ato, të nxjerrësh majlt nga hojet, të përgatisësh tavën tradicionale të krapit me të zonjën e shtëpisë, apo të marrësh pjesë në përgatitjen e ëmbëlsirave tradicionale.

Ana e Malit është një nënndarje e Bashkisë së Shkodrës me një popullsi prej pak më shumë se 3.500 personash.

Fermerët e kësaj zone i janë kthyer viteve të fundit traditës, si një mundësi për të konkurruar në treg, me produkte të veçanta duke fuqizuar edhe ekonomitë e familjeve të tyre.

Banorët e kësaj zone e kanë shndërruar shegën jo vetëm në përfitim ekonomik, por edhe turistik e shpirtëror.

Ulliri në Berat

Jo më kot në Berat ndodhet pema më e vjetër e ullirit në Ballkan. Ulliri në Berat ka moshë 2 mijë vjeçare.

Ulliri shihet si një simbol i traditës dhe një dëshmitar i epokave të shkuara. Ai është një bartës i kohëve të harruara dhe trashëgimisë.

Beratasit i kanë kodrat e tyre të mbushura me ullinj. Ullinjtë për ta janë burim jetese dhe turizmi.

Banorët e kësaj zone nuk mund ta kuptojnë jetën e tyre pa ullirin dhe pa vajin e bekuar të ullirit. Dikur ai prodhohej primitivisht, ose siç thotë populli: vaji i këmbës.

Gratë e zonës duke futur kokrrat e ullirit në një copë napë, brenda ujit të nxehtë, në një govate druri e shtypnin atë me këmbë duke nxjerrë sipër ujit të ngrohtë pikën e bekuar të vajit, aq shumë të kërkuar për cilësinë dhe vlerat e tij kurative.

Në të dhënat zyrtare rezulton se rajoni që prodhon më shumë ullinj është Berati me 37 mijë e 340 ton. Jo më kot në këtë zonë ndodhen edhe disa prej fabrikave më të mëdha të prodhimit të vajit, të cilat ofrojnë edhe paketë turistike impresionuese për vizitorët.

Ose mund të shkoni në një nga pikat e shumta të agroturizmit të zonës, ku mund të flini dhe të hani bio, produkte të zonës me vaj ulliri safi dhe pastaj ato do ju shoqërojnë drejt tyreve për degustimin e vajit dhe ullirit.

Prandaj, nëse fundjava është me diell dhe pëlqeni ullirin, atëherë mund të niseni për në Berat dhe të bëhëni pjesë e tureve një ose dy ditore.

Janë paketa kryesisht degustimi, ku eksperienca juaj nis me vjeljen e ullirit, e vijon me procesin e seleksionimit, duke ndjekur të gjitha hallkat deri në nxjerrjen e vajit.

Eshtë fantastike eksperienca e shijimit të vajit të fresët.

Ekspertët do ju ndihmojnë të kuptoni veçoritë e vajit dhe si të dalloni një vaj të mirë.

Mund ta shoqëroni me bukë të freskët, djathë vendi, ullinj dhe pse jo një gotë verë, për të cilën zona gjithashtu është shumë e njohur.

Vjeshta në Shqipëri ofron shumë, por ne sot u ndalën në destinacionet e vjeljes, të cilat organizojnë aktivitete të veçanta dhe ofrojnë një lloj turizmi që gjithnjë e më shumë po preferohet nga njerëzit.

Neritana Kraja