Intervistë me prof.dr Mimoza Kore, pedagoge në Departamentin e Gjuhës Shqipe, në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës

Prof.dr. Mimoza Kore

CMG: Së fundmi në Tiranë u zhvillua veprimtaria “Fondi i përkthimit letrar nga gjuha shqipe në gjuhën e huaj” dhe anasjelltas. i shpallur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, për të promovuar gjuhën dhe kulturën shqipe në kulturat e tjera. Ju ishin kryetare e jurisë e kësaj veprimtarie, për të cilën duam të mësojmë më shumë.

Prof.dr.Mimoza Kore: Ju falenderoj që më dhatë mundësinë të shprehem për këtë aktivitet të bukur të Ministrisë së Kulturës nëpërmjet QKLL-së. Unë jam në profesion gjuhëtare, por i gjithë materiali dhe të gjitha shtëpitë botuese që u paraqitën me librat e tyre, veçanërisht të gjinisë së romanit, ju nënshtruan një vlerësimi paraprak nga specialistë të fushës, domethënë përkthyes të gjuhëve të ndryshme. Juria vlerësoi dhe shpalli 6 fitues të përkthimit të librit shqip në gjuhë të huaj dhe anasjelltas. Gjithsej ishin 33 pjesmarrës dhe ky ishte një sukses i librit shqip. Ajo që më entuziasmon më shumë, ndonëse në numër më të pakët ishte numri i librave shqip në gjuhë të huaj. Përkthyesit bëjnë një punë të jashtëzakonëshme për të lëvruar gjuhën shqipe.

Departamenti i Gjuhës shqipe i Fakultetit Histori Filologji

CMG: Le të ndalemi tek shqipja e sotme. Shqipja po rrezikohet nga fjalët e huaja, që përdoren rëndom në medie, por dhe nga të rinjtë e sotëm, që kanë kryer studimet jashtë vendit. Gjithashtu dhe emigracioni i pas viteve 90-të ndikoi te shqiptarët, që për më shumë se 30 vite nuk e kanë më shqipen gjuhë të parë, por përdorin gjuhët e vendeve ku kanë emigruar e më pas janë fëmijët e tyre, që ndoshta nuk e dinë fare shqipen. Me cilat rreziqe përballet sot shqipja?

Prof.dr. Mimoza Kore: Ky është një shqetësim për të cilin gjuhëtarët u kanë rënë këmbanave me kohë, sepse hapja ndaj botës bëri që të ndeshemi me gjuhë dhe kultura të tjera. Dëshira e shqiptarit dhe e kujtdo që shkon në dheun e huaj është të integrohet mirë në shoqërinë ku shkon dhe arma e parë, të cilën duhet ta ketë me vete dhe ta mbajë fort është gjuha e huaj që duhet të mësojë në vendin ku shkon. Mos harrojmë që emigrantët e parë shqiptarë ikën me mungesa të gjuhëve të huaja dhe dëshira e tyre për të mësuar u transmetua dhe te fëmijët e tyre. Gjuhët e huaja janë pasuri dhe një kulturë e veçantë për çdo njeri, por gjuhëtarët e kanë vërejtur me kohë që nuk mund ta mësosh mirë gjuhën e huaj nëse nuk di mirë gjuhën amtare. Shikoja në fillim titrat nëpër televizione, gazetarët që përdornin në mënyrë të jashtëzakonëshme fjalët e huaja vend e pa vend, madje u bë si modë edhe te deputetët e politikanët, duke menduar se e bënte më të kulturuar përdorimi i një fjale të huaj. Për mua dhe për të gjithë ne dihet që është i cungët në kulturën e vet amtare, ai që përdor fjalën e huaj. Tashmë realiteti është më ndryshe dhe një përkujdesje më të madhe shikoj në gazeta, televizione në mënyrën se si flasin gazetarët, por edhe prindërit janë ndërgjegjësuar. Globalizmi është një shtjellë e fuqishme, ku përfshihen dhe më të rrezikuara janë gjuhët e popujve të vegjël.Por globalizmi ka diçka që nga njera anë të gjithë popujt dhe vendet kërkojnë të integrohen, siç po bëjmë ne përpjekje për tu integruar në Bashkimin Evropian, por nga ana tjetër popujt dhe çdo vend kërkojnë të ruajnë traditën, gjuhën, kulturën, që të mos zhduken brenda këtij globalizmi. Padyshim që gjuha jonë është gjuha e një popullit të vogël dhe është e rrezikuar, sepse jemi dhe me emigracion dhe rrezikon veçanërisht gjuha e të rinjve që ka ndikime të mëdha nga fjalët e huaja. Ky nuk është një problem vetëm i shqipes, por dhe i gjuhëve më të mëdha se shqipja, ku të rinjtë po përdorin në masë anglishten, që duhet ta mësojnë, por gjuha amtare të lidh me vendin, me të shkuarën, me kulturën tënde, origjinën.

CMG: Në cilësinë e anëtares së përvitshme të Seminarit për gjuhën dhe kulturën shqiptare, të Prishtinës, çfarë keni për të thënë për interesin e të huajve për gjuhën shqipe?

Prof.dr. Mimoza Kore: Tashmë ka dekada që Seminari për gjuhën dhe kulturën shqiptare, që mbahet në Prishtinë është bërë një shkollë jo vetëm për studimet letrare, por veçanrisht dhe për ato gjuhësore. Tani që jemi në kushtet e pandemisë ne nuk do ta lemë pa zhvilluar Seminarin e Prishtinës. Them ne sepse emrin e ka Seminari i Prishtinës, por gjithmonë ka qenë ngritur mbi bazën e marrëveshjeve dhe të bashkëpunimit të ngushtë të Departametit të Gjuhës dhe Letërsisë në Universitetin e Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës. Sivjet me gjithë kushtet e vështira të pandemisë, Seminari do të mbahej në shtator, por u shty për datën 29-30 tetor. Përsëri interesimi është i madh, si dhe ka prurje, tema dhe kumtesa që janë dërguar për Seminarin. Vështirësia është por shumë kanë shprehur dëshirën për të marë pjesë në Seminar, ku një sesion i veçantë i kushtohet dhe studiuesve të huaj.

Prof.dr. Mimoza Kore

CMG: Ju jeni autore e librave “Parafjalët në Mesharin e Gjon Buzukut”, “Ushtrime për shqipen standarde”, “Gjirokastra, vështrim historik, gjuhësor dhe etonologjik”, “Shqipja,al” (Metodë e mësimit të gjuhës shqipe për të huaj). Gjithashtu jeni autore e mbi 50 kumtesave dhe artikujve shkencorë në konferenca brenda dhe jashtë vendit. Po punoni aktualisht për ndonjë studim të ri?

Prof.dr. Mimoza Kore: Fusha ime e studimit është gjuhësia historike. Tashmë jam duke punuar për një libër për studentët në këtë fushë. Në përgjithësi sot debati bëhet më shumë për shqipen standarde, por probleme që për popujt e tjerë nuk diskutohen më, nuk e di pse nga disa diletantë të studimeve gjuhësore, ose që nuk kanë lidhje fare me gjuhësinë vënë në diskutim arritjet e albanologjisë, diskutojnë tezën zyrtare që ne nuk vijmë nga ilirët, por vijmë nga pellazgët, apo sumerët dhe këto janë teori të çuditëshme. Në këtë fushë ka sot diskutime të reja. Kanë qenë të parët albanologët gjermanë, që hodhën idenë e prejardhjes së shqipes nga ilirishtja. Kjo pjesë është e kaluar dhe ne themi të ngrihemi mbi supet e profesor Eqerem Çabejit, profesor Shaban Demirajt dhe të profesor Mahir Domit dhe të hedhim sytë më tej, ashtu siç bën shkenca botërore.

CMG: Keni ndonjë informacion për të rinjtë kinezë, studentë të gjuhës shqipe në Universitetin e Tiranës?

Prof.dr. Mimoza Kore: Në shtator vijnë shumë studentë rusë dhe nga vendet e tjera që studjojnë shqipen për një muaj, sepse ata kanë qendrat e tyre albanologjike dhe vijnë të përgatitur. Ndërsa studentët kinezë bëjnë gjithë vitin mësim dhe janë të vetmit që bëjnë një vit studim për gjuhën shqipe në Universitetin tonë. Me sa di ata vazhdojnë studimet për gjuhën shqipe dhe në Universitetin e Pekinit. Janë studentë shumë të mirë, që meqënëse kanë emra të vështirë mbajnë emra shqiptarë.

CMG: Kjo është një traditë shumë e bukur, jo vetëm e studentëve kinezë, por dhe e punonjësve të medies në seksionin e gjuhës shqipe. Edhe për ne është diçka e bukur që emrat shqiptarë ata i përdorin me krenari.

Prof.dr. Mimoza Kore: Po, studentët e njohin kulturën shqiptare, filmat shqiptarë dhe vijnë të përgatitur me kulturë dhe dashuri për Shqipërinë. Sivjet për shkak të pandemisë nuk kanë ardhur, por dhe vjet mësimi online me studentët kinezë vazhdoi rregullisht.


Intervistoi Eda Merepeza/ Redaktoroi Wang Lei