Një nga mënyrat më të mira për të njohur tiparet dhe karakteristikat e një vendi, është eksplorimi i tregjeve apo pazareve. Kur jemi diku turist, është e pamundur t'i shpëtojmë tundimit për të vizituar tregjet dhe për të bërë shopping.

Qytetet kryesore të Shqipërisë, pothuajse të gjithë kanë pasur pazaret e tyre, të cilët ishin edhe stacionet kryesore ku pulsonte jeta. Pazari i Gjirokastrës, Shkodrës, Delvinës, Korçës, Elbasanit, Tiranës, etj, janë pjesë e këtij mozaiku.

Në ditët e sotme vetëm pak prej tyre kanë mundur t’i rezistojnë kohës. Ne sot do të flasim për 3 pazare të famshme të Shqipërisë, që vijnë nga historia dhe kanë histori për të treguar. Pazari i Krujës, i Gjirokastrës dhe Pazari i Ri i Tiranës.

Pazari i Krujës

Pazari i Krujës

Pazari i Krujës

Pazari i Krujës, që përbëhet nga një rrugë e ngushtë dyqanesh pjesërisht e mbuluar, e cila të çon drejt Kalasë, të lë një përshtypje se është aq i vjetër, saqë duket sikur nuk ka pasur asnjë ndryshim, që nga koha e Skëndërbeut. Pazari i Krujës është një nga zonat më të vjetra të historisë shqiptare. Nga vendasit njihet ndryshe me emrin Pazari i Derexhikut.

Në dyqane dikur punoheshin dhe tregtoheshin zeje të ndryshme si pajisje prej bakri, qëndistari, armë, etj.

Sot është një zonë shumë e frekuentuar nga turistët. Në çdo stinë të vitit ai vizitohet nga turistë vendas dhe të huaj, të cilët janë mjaft kureshtarë jo vetëm për ta parë, por edhe për t'u rikthyer atje.

Aktualisht në dyqanet e këtij pazari, turistët mund të gjejnë antikuare, apo suvenire të punuara kohët e fundit, ndërsa artizanët e traditës vazhdojnë punimet e qelesheve, filigramës, alabastrës, apo ato të drurit.

Vizitorët mund të ulen edhe në kafenetë e vogla e të pinë kafe turke, të provojnë kabuninë, një ëmbëlsirë tipike e zonës, apo të bisedojnë me artizanët të cilët janë të gatshëm të japin detaje për produktet e tyre.

E gjithë hapësira është atraksion i veçantë që përmbush më së miri statusin e një zonë jo vetëm tregtare por edhe muzeale.

Atmosfera ballkanase është mjaft prezente, çfarë e bën Pazarin e Krujës, një vend autentik dhe të dashur. Eshtë një strukturë që dëshmon lashtësinë, kulturën dhe traditat e vjetra shqiptare, si pak vende të tjera në Shqipëri.

Pazari është rikostruktuar në vitin 2015, ai është sa i bukur estetikisht, po aq dhe i pastër, i rregullt për të pritur vizitorët e tij.

Pazari i Gjirokastrës

Pazari i Gjirokastrës

Pazari i Gjirokastrës

Shihemi në pazar! E pimë kafen në pazar! Ku është pazari?! Pazari i Gjirokastrës është më shumë se një labirint ndërtesash të bukura.

Çfarë e bën të veçantë pazarin? Sigurisht njerëzit: një shkrirje tregimesh, aftësish, familjesh, ngjyrash, ushqimesh të shijshme e produktesh kreative për t’u shijuar gjatë vizitës në Gjirokastër.

Nëse doni të kuptoni si është jeta në Gjirokastër, mos e humbisni mundësinë për t'u takuar me artizanët e pazarit dhe për të parë çfarë bëjnë! Mësoni rreth zanateve të lashta dhe teknikave që ata përdorin për të bërë prodhimet tradicionale.

Pazari është një nga 8 lagjet më të vjetra të Gjirokastrës, që shtrihet poshtë mureve të Kalasë. Pazari në formën që ka sot është ndërtuar rreth 500 vjet më parë. Fillesat i ka brenda mureve të kalasë, që e identifikonin qytetin e Gjirokastrës.

Qafa e Pazarit të Gjirokastrës, përbën qendrën e këtij qytetit të vjetër. Në fakt nuk ka mbetur shumë nga ajo periudhë. Banorët thonë se një zjarr shkatërrues preku pazarin e vjetër në shekullin e XIX. Pas kësaj pazari u rindërtua tërësisht. Ja përse ndërtesat e pazarit kanë të njëjtën arkitekturë, disa janë 2 – 3 katëshe, por identike nga struktura dhe të gjitha në një linjë.

Kati i parë është vendi ku artizanët punonin gjatë gjithë ditës, ndërsa kati i dytë u përdor për qëllime të ndryshme nga secili prej artizanëve. Disa dyqane kanë derë të pasme, që përdorej vetëm nga pronari. Rruga e shtruar me kalldrëm dhe një trotuar i ngushtë për njerëzit, u ndërtua në të njëjtën periudhë, çka e bën këtë Pazar të veçantë nga gjithë të ngjashmit e kohës.

Të gjitha rrugët që lidhin lagjet e vjetra dhe të reja të qytetit, takohen në sheshin e vogël, tek Qafa e Pazarit. Kjo pikë strategjike është qendra e pazarit dhe qytetit historik. Aty merr frymë pas pjerrësisë që e ndesh në të gjitha drejtimet, në ngjitje e në zbritje.

Në të dy krahët e 5 rrugëve që shpëndahen nga Qafa e Pazarit janë të vendosura rreth 100 dyqane. Tregtarë, zejtarë, artizanë, bare, restorante, bujtina përbëjnë një pasuri më vete. Ata ruajnë tiparin kryesor të këtij ansambli dhe faktojnë qëllimin e krijimit, ushtrimin e mjeshtërive të kohës, shkëmbimin e mallrave dhe rrjedhimisht shkëmbimin e kulturave, traditave e zakoneve mes zonave në jug të Shqipërisë.

Pazari, tashmë është një nga atraksionet turistike dhe qendër e bizneseve turistike, nga më uniket në rajon, është vendi i artizanëve, i dyqaneve, bujtinave dhe restoranteve.

Gjithsesi aty ende punojnë artizanë si në kohën e dikurshme, duke u përpjekur t’ia kalojnë mjeshtrinë e tyre brezave të rinj. Askush nuk mund të largohet pa blerë një suvenir nga artizanët e Gjirokastrës.

Për vlerat që ka pazari është shpallur Monument i Trashëgimisë Botërore dhe mbrohet nga UNESCO.

Pazari i Ri i Tiranës

Pazari i Ri i Tiranës

Frymëzuar nga modele të suksesshme europiane, siç janë Tregu i Barcelonës, Merkato e Parisit, etj, të cilat shërbejnë jo vetëm si vend tregëtie, por edhe si atraksione turistike, Pazari i ri i Tiranës, që ndodhet vetëm 8 minuta larg qendrës së qytetit, është shndërruar më një nga atraksionet e reja, që tërheq shumë turistë e vizitorë.

Një nga mënyrat më të mira për të njohur tiparet dhe karakteristikat e një vendi, është eksplorimi i tregjeve. Duke bërë një eksplorim të tillë tek Pazari i Ri, patjetër që mund të provoni një kafe, verë apo birrë, në ambiente lokalesh të modernizuara në shërbim, por që ruajnë linjat historike të arkitekturës së zonës.

Pazari ndodhet në një nga lagjet më të vjetra të Tiranës dhe është ndërtuar në vitin 1931.

Me prishjen e Pazarit të Vjetër në vitin 1959, Pazari i ri mbeti për shumë kohë vendi i vetëm në Tiranë ku tregtohej mishi, peshku, frutat dhe perimet. Pas viteve '90, pazari e ruajti funksionin e tij, ndonëse u degradua.

Falë rikonstruksionit të vitit 2017, pazari i ri është sot xhavahiri i Tiranës. Ai përbëhet nga markata e mishit dhe peshkut, e cila ruan elementet e godinës së viteve ’30, markata e gjelbërt, mbulesa e qelqtë e së cilës i ngjason relievit të maleve që rrethojnë Tiranën, si edhe sheshin rekreativ, ku zhvillohen aktivitetet kulturore e panairet.

Më shumë se 300 fermerë nga zonat përreth vijnë për të shitur produktet e tyre të freskëta. Tregtarët e pazarit mund t'ju ndihmojnë të gjeni mishin, peshkun, si edhe erëzat më të mira e ata janë, gjithashtu, burimi më i mirë i historisë së Pazarit!

Pazari i Ri

Pazari i Ri

Më e veçanta e Pazarit është se kjo lagje e qytetit të vjetër është një pikë funksionale edhe argëtuese si për vendasit ashtu edhe për turistët. Në fakt, është një nga ato vendet e rrallë të cilët me të vërtetë pasqyrojnë karakterin e qytetit.

E gjithë atmosfera mund të përkufizohet si një rrëmujë e organizuar dhe e lezetshme, një përzierje e të vjetrës me të renë që i jep një energji të veçantë vizitorit. Në një shëtitje rreth zonës, duken dyqane të vegjël me objekte artizanale, vende interesante, veçanërisht për koleksionistët e objekteve ose librave historikë.

Bare, lokale e restorante të panumërta shërbejnë birrë të freskët dhe kuzhinë lokale, nga niveli më i lartë tek ai i përditëshmi. Mund të zgjidhni qofte zgare, apo të uleni në njërin prej shumë restoranteve në shesh. Në çdo rast, çdo mbrëmje këtu duket si fundjavë! Gjatë ditës bëhet pazari ndërsa në mbrëmje, të gjithë mblidhen me miqtë e tyre në një nga lokalet e shumtë të kësaj zone.

Tashmë Pazari i Ri, përveçse i mirëorganizuar dhe me kushte bashkëkohore, është shtuar dhe si atraksion i qytetit për shkak të fasadave unike që kanë ruajtur stilin arkitekturor italian, dekorimet me motive shqiptare, po ashtu dhe vendosja e disa shesheve për të pushuar, e bëjnë këtë pikë mjaft tërheqëse.

Neritana Kraja