Në orën gjashtë të mëngjesit, pa aguar mirë, në fshatin malor Ebu në kontenë Wenchuan të Kinës Jugperëndimore, Chen Qihong del nga shtëpia dhe niset për në kumbullishtën e vet në shpatin e malit, për ta spërkatur dhe për të hequr kokrrat e prishura. Ky është inspektimi i fundit para vjeljes pak ditë më vonë. Kur mendon për të vjelat, në fytyrën e 46-vjeçarit shfaqet një buzëqeshje e çiltër.

Chen Qihong në kumbullishtë

Kumbullat janë burimi kryesor i të ardhurave të familjes Chen me pesë veta, falë të cilave kjo familje ka dalë nga varfëria.

Në vitin 2014, kur dy vajzat e Chen-it ishin në shkollën fillore, të ardhurat vjetore për frymë të familjes së tij prej 2 763 juanësh (rreth 400 dollarë amerikanë) nuk arrinin nivelin kombëtar të varfërisë të atij viti.

Chen Qihong-u kujton: “Në të kaluarën mbillja misër dhe patate. Të ardhurat vjetore ishin vetëm disa qindra juanë, por tani me kumbullat marrim mbi 70 mijë në vit.”

Misri dhe patatja janë kulturat kryesore tradicionale në fshatin Ebu, por pavarësisht nga cilësia shumë e mirë, ato shiten vetëm disa dhjetëra qindarka për kilogram. Chen Qihong dëshironte ta ndryshonte një gjendje të tillë. Po pse zgjodhi kumbullën?

Kumbull e kuqe

Ndryshimi erdhi nga plani i kontesë Wenchuan për kultivimin e pemëve frutore në pjesën veriore qysh nga viti 2010. Klima relativisht e thatë atje është e përshtatshme për pemët frutore dhe u rekomandua mbjellja e kumbullës së shkrifët të kuqe dhe e asaj të gjelbër.

Zhou Guihong-u është specialiste agroteknike në Drejtorinë e Bujqësisë të kontesë Wenchuan dhe përgjigjet posaçërisht për pemët frutore:

“Zgjodhëm këto dy lloje kumbullash, sepse ato ishin të përshtatshme në shije, ngjyrë dhe përmasë. Kumbulla mund të mbillet në një zonë të gjerë dhe nuk kufizohet shumë nga kushtet. Por kumbullat nga konteja jonë janë më të shijshme në krahasim me ato nga vende të tjera, sepse në kontenë tonë lartësia dhe klima janë shumë të përshtatshme.”

Fshati malor Ebu gjendet në lartësinë 2300 metra mbi nivelin e detit, me shumë diell dhe me ndryshim të lartë temperature ndërmjet ditës dhe natës. Kushte të tilla natyrore janë shumë të mira për mbjelljen e kumbullës. Më e rëndësishmja është se i njëjti lloj kumbulle piqet në kohë të ndryshme në lartësi të ndryshme. Në fshatin Ebu koha e vjeljes së kumbullave të kuqe, lloji që piqet më vonë, është mesi i tetorit.

Kryetari i fshatit Ebu, Feng Shitang, shprehet:

“Falë pjekjes së vonshme, kumbullat tona shiten me çmim relativisht të lartë. Vitin e kaluar, çmimi i shitjes së kumbullave të fshatit tonë ishte 8 juanë për kilogram, ndërsa ai nga fshatrat në lartësi të ulët ishte vetëm 4 juanë.”

Kumbullat e kanë shndërruar disavantazhin gjeografik të fshatit Ebu me lartësi të madhe mbi nivelin e detit në epërsinë e tij. Tani çdo familje që mbjell kumbulla është e lidhur me blerës të rregullt. Gjysmë muaji para pjekjes së kumbullave, fermerët lajmërojnë tregtarët me shumicë, të cilët vijnë në kohë me kamion.

Sot, kumbullat e shkrifta të kuqe e të gjelbra nga konteja Wenchuan janë bërë të famshme në treg. Kumbulla e shkrifët, qershia e ëmbël dhe kajsia aromatike janë bërë “tre thesaret” e kontesë Wenchuan.

Fshati Ebu në kontenë Wenchuan

Plani i saktë i mbjelljes së kumbullës i tregoi Chen Qihong-ut rrugën e shkëputjes nga varfëria. Megjithatë, pas mbjelljes së fidanëve të pemëve frutore duhen 6-7 vjet për prodhim të bollshëm, prandaj shkëputja nga varfëria me kumbullën nuk është një rrugë e shkurtër dhe e lehtë dhe kërkon masa më të sakta mbështetëse nga qeveria. Në këtë drejtim, konteja Wenchuan ka zbatuar një sërë politikash mbështetëse për të inkurajuar fermerët të investojnë në frutikulturë.

Chen Qihong-u është favorizuar drejtpërdrejt nga këto politika. “Qeveria më ofroi fidanë dhe plehra kimike. Ekspertët na shpjeguan si t’i mbjellim dhe si t’i shkadhitim,” tha ai.

Shërbimet teknike janë hallka kyçe në zhvillimin e frutikulturës, e cila ka kërkesa të shumta teknike dhe mirëmbajtjeje, si p. sh. parandalimi i sëmundjeve dhe dëmtuesve, shkadhitja e pemëve, mirëmbajtja e tokës etj.

Zv.drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë të kontesë Wenchuan, Qe Zu, tha: “I kemi kushtuar rëndësi të madhe përgatitjes teknike, veçanërisht punëve në kohën e duhur. Specialistët tanë shkojnë zakonisht në ngastra për shërbime konkrete.”

Zhou Guihong, që ka punuar në Drejtorinë e Bujqësisë të kontesë Wenchuan për 28 vjet me radhë, është një specialiste e tillë. Gjatë viteve që kur Wenchuan-i promovoi mbjelljen e pemëve frutore, ajo ka vizituar çdo fshat me pemë të tilla.

“Kur fermerët hasin ndonjë problem me pemët, më telefojnë menjëherë. Nëse mund ta bëj diagnozën atypëraty, u bëj shpjegime zakonisht në telefon. Por nëse nuk mund ta zgjidh problemin në telefon, shkoj tek ata në fshat. Në fshat kam shkuar shpesh edhe për trajnim,” tha ajo.

Zhou Guihong e drejtoi Chen Qihong-un në shkadhitje

Vetëm këtë vit, Zhou e ka vizituar tre herë fshatin Ebu, ndërsa në mbarë kontenë e Wenchuan-it, ka 138 fshatra. Për shkak të vizitave të shpeshta në fshatra, Zhou Guihong qëndron shumë rrallë në zyrën e saj në drejtori. Lulet në zyrën e saj janë tharë, por pemët frutore të kultivuara nga fermerët e përgatitur nga ajo, janë bërë gjithnjë e më të forta.

Në vitin 2017, prodhimi i kumbullave të Chen Qihong-ut ishte i lartë. Atë vit, të ardhurat vjetore për frymë të familjes së tij i kaluan 6900 juanët (afro 1016 dollarë amerikanë), shifër kjo shumë më e lartë se standardi kombëtar i varfërisë i atij viti, 3 300 juanë (486 dollarë amerikan). Po atë vit, të 25 familjet e varfra të fshatit Ebu u shkëputën nga varfëria.

Tani, detyra më kryesore e kryetarit të fshatit Ebu, Feng Shitang, është garantimi i moskthimit në varfëri të këtyre familjeve. “Përpiqem që fermerët tanë të zotërojnë më mirë teknologjinë e shkadhitjes dhe të mirëmbajtjes, në mënyrë që kumbullat tona të bëhen më të shijshme e më të shkrifta,” thekson Feng-u.

Feng Shitang bëri muhabet me fermerët e fshatit Ebu

32-vjeçari Feng Shitang, i diplomuar në një shkollë të lartë të provincës Sichuan, erdhi në kontenë Wenchuan në fillim të vitit 2018 për të ndihmuar në zhdukjen e varfërisë, duke u bërë pjesë e 200 mijë të sapodiplomuarve kinezë që kanë shkuar në fshat në ndihmë të zhdukjes së varfërisë. Feng ka ftuar shumë ekspertë bujqësorë në fshatin Ebu për të drejtuar fermerët në teknikën e mbjelljes së kumbullave. Të mbështetur te teknika e përsosur, fermerët në Ebu kanë plot besim për të ardhmen e tyre drejt pasurimit.

Krahas konsolidimit të teknikës, Feng Shitang ka inkurajuar edhe fëmijët e fermerëve të shkojnë jashtë vendlindjes për studim dhe punësim. Duke pranuar këshillat e Feng-ut, dy bijat e Chen Qihong-ut ndjekin shkollat e mesme profesionale, përkatësisht në specialitetin e arsimit parashkollor dhe atë të infermierisë, të cilat kanë perspektivë të mirë punësimi.

Vitin e kaluar, të ardhurat e përgjithshme e familjes Chen arritën në 77 mijë juanë (afro 11342 dollarë amerikanë) dhe ato për frymë i kaluan 15 mijë juanët (afro 2209 dollarë amerikanë). Me kursimet e veta, Chen Qihong-u bleu një kamionçinë me 50 mijë juanë (afro 7 365 dollarë amerikanë).

Pas tërmetit të Wenchuan-it në vitin 2008, rruga e asfaltit e rindërtuar shtrihet para portës së shtëpisë të familjes Chen. Në këtë rrugë ecin jo vetëm kamionçinat, por edhe kamionët mbi dhjetë tonësh të blerësve me shumicë. Nga kjo rrugë kumbullat e freskëta të familjes Chen çohen në Shangai dhe në qytete të tjera të mëdha të provincave Zhejiang, Yunnan e madje edhe Guangdong, që janë mijëra kilometra larg fshatit Ebu.

Qytetarët shijojnë ëmbëlsinë e kumbullave të fshatit Ebu, ndërsa fermerët shijojnë ëmbëlsinë e lumturisë. (Wang Lei)