15 gushti sipas kalendarit bujqësor kinez është Festa e Mesvjeshtës, një festë tradicionale e Kinës. Në kalendarin bujqësor kinez, gushti është muaji i dytë i vjeshtës, d.m.th. i mesit prej tre muajve të vjeshtës, ndërsa data 15 është mesi i këtij muaji, prandaj 15 gushti quhet “mesvjeshtë”.

Kur bie fjala për Festën e Mesvjeshtës, gjëja e parë që të shkon në mend është“keku i hënës”.

Mbushjet e kekut tradicional të Hënës janë zakonisht me pesë lloje bërthamash (Wu Ren), ose me brumë fasulesh të kuqe a hidesh.

Por vitet e fundit janë përhapur kekët në forma të reja. Edhe “Starbucks” e “Haagen-Dazs” prodhojnë kekët e tyre të posaçëm.

Kremtimi i Festës së Mesvjeshtës e ka zanafillën në dinastinë Tang (618-907), ndërsa filloi të përhapej qysh nga dinastia Song (960-1279). Vetëm në dinastinë Ming (1368-1644), ngrënia e “kekut të hënës” u bë zakoni i Festës së Mesvjeshtës.

Në dinastinë Ming, një tjetër ushqim bashkë me “kekun e hënës” që konsiderohej si i domosdoshëm për Festën e Mesvjeshtës, është shalqiri. Shalqiri e ka origjinën nga Afrika dhe erdhi në Kinë në shekullin e 10-të, prandaj në gjuhën kineze ai quhet xigua, që do të thotë“pjepër perëndimor”.

Në kohën e lashtë, shalqiri gjatë Festës së Mesvjeshtës duhej të pritej në formën lotusi. Thuhet se në shumë konte të provincës Shaanxi të Kinës Qendrore, ruhet tradita e ngrënies së shalqirit në formë lotusi. Nuk është e vështirë të kuptohet se shalqiri, ashtu si “keku i hënës”, është i rrumbullakët dhe simbolizon bashkimin.

Tjetër ushqim i parapëlqyer me rastin e Festës së Mesvjeshtës janë gaforret e liqenit. Gaforret gjenden gjerësisht në liqenet nga Jugu deri në Veriun e Kinës. Ndër to, gaforret nga liqenet Yangcheng dhe Dongting janë më të mirat.

Historia e ngrënies së gaforreve buron nga dinastia Song. Ka ndonjë simbol gaforrja? Njerëzit e lashtë na kanë thënë qartë se “jo”! E vetmja arsye është se në mesin e vjeshtës gaforret janë më të shijshme.

Krahas admirimit të Hënës, tjetër aktivitet me rastin e Festës së Mesvjeshtës është admirimi i luleve të shkurres së njohur si ulliri i ëmbël ose ulliri i çajit (osmanthus).

Duke çelur një nga dhjetë lulet më të famshme tradicionale kineze, ulliri i ëmbël mbillej gjerësisht në shekullin e 8-të para erës sonë. Periudha e çeljes së luleve së tij është pikërisht në mes të gushtit. Sipas gojëdhënës, ulliri i ëmbël e ka origjinën nga Hëna. Një shkurre e tij me gjatësi prej 1 mijë metrash thuhet se është mëma e të gjithë ullinjve të ëmbël në Tokë.

Sipas gojëdhënës, në dinastinë Han (202 para erës sonë – 220 pas erës sonë), një burrë i quajtur Wu Gang u dënua ta priste atë ulli të ëmbël në Hënë. Por me t’u prerë, ulliri u shërua menjëherë dhe nuk mund të rrëzohej përdhe kurrë. Wu Gang-u priste nga një ulli të ëmbël çdo ditë dhe pushonte vetëm në Festën e Mesvjeshtës, duke shijuar rakinë e luleve të ullirit të ëmbël.

Kështu rakia e luleve të ullirit të ëmbël u bë pije e domosdoshme e kinezëve të lashtë në Festën e Mesvjeshtës.