Turizmi i aventures

Turizmi i aventures

Lugina e valbones

Gjithnjë e më tepër, një Shqipëri tjetër, që ofron arratisje nga e zakonshmja e që përmblidhet me termin “Turizmi i Aventurës”, është përfshirë në eksperiencat turistike të të rinjve kryesisht, si dhe e njerëzve që e duan aventurën.

Zonat e paprekura dhe ekzotike, traditat e ruajtura, pavarësisht botës që ndryshon me shpejtësi dhe adrenalina që ndez ky lloj turizmi, është kthyer në trendin më të pëlqyer të kohëve të fundit.

Sot do të ndalojmë në tre destinacione, që pavarësisht koordinatave gjeografike, ekstremisht larg njëra tjetrës, i lidh dëshira për të zbuluar vende të guximshme.

kanionet e osumit

kanionet e osumit

Kanionet e Osumit

Nëse dikur ishin kryesisht të huajt ata që kanë tentuar adrenalinën në kanionet e Skraparit, vitet e fundit kanë qenë vetë shqiptarët që kanë larguar frikën për t’u përmballur me emocionin e drejtpërdrejtë.

Dy deri tre milionë vjet më parë, erozioni i ujit nisi të krijojë një nga mrekullitë natyrore më të njohura të Shqipërisë: Kanionet e Osumit, në Skrapar. Në një gjatësi prej rreth 14 km, sot ato mund të përshkohen lehtësisht përmes raftingut, që të jep mundësinë të vozisësh varkat prej gome nën hijen e shkëmbinjve të lartë e imponues. Eksperienca e rafting dhe madhështia e këtij vendi ka bërë që të gëzojë statusin e “Kolorados së Shqipërisë”.

Në një gjerësi që shkon nga 4 deri në 35 metra, vozitja mespërmes tyre zgjat 2 – 4 orë në varësi të prurjeve të lumit. Bimët që veshin shpatet dhe 8 ujëvarat e mrekullueshme që bien prej tyre, e bëjnë udhëtimin vërtet të magjishëm.

Itinerari që fillon në Hambull dhe vazhdon deri në Çorovodë, është i mbushur me ndalesa që bëhen jo vetëm për të t’u shplodhur, por edhe për të shijuar natyrën e jashtëzakonshme.

Ujëvara më e njohur që përbën dhe ndalesën e detyrueshme për të gjithë ata që vijnë këtu është Ujëvara e të Dashuruarve, që është kthyer prej kohësh në një nga kartolinat më të njohura të Kanionit.

Teksa plot legjenda pasurojnë të gjithë zonën, mendohet se ka plot shpella apo zgavra të ngjashme ende të paeksploruara nëpër shkëmbinj. Udhëtimi është shumë i këshillueshëm të bëhet me grupe shoqërore dhe familjare, në mënyrë që eksperienca mbresëlënëse të ndahet me njerëzit e zemrës.

Rafting në Osum nis në shkurt dhe vazhdon deri në fund të qershorit. Vështirësia e lumit gjatë këtyre muajve konsiderohet e nivelit II-III dhe nuk paraqet rreziqe, pasi të gjitha udhëtimet kryhen nën shoqërimin e guidës profesionale, të specializuar.

Me anije ne Karaburun

Me anije ne Karaburun

Gadishulli i Karaburunit

Gadishulli i Karaburunit është kthyer në një nga destinacionet më të kërkuara të bregdetit shqiptar, për faktin se është thuajse tërësisht i paprekur.

Gadishulli është i vetmi park detar në Shqipëri, dhe plazhet që mund të vizitoni këtu janë të panumërta. Ai shtrihet përballë gjirit të Vlorës, si një gisht që tregon peisazhin mbresëlënës të rrethuar nga uji. Gadishulli konsiderohet rezervat natyror dhe njihet për gjiret e vogla detare me bukuri e natyrë të egër.

Në gadishull mund të shkohet në dy mënyra. Rruga detare, përmes anijeve që kanë filluar të bëjnë një linjë të tillë, duke u nisur nga Vlora, është mënyra më e mirë dhe e shpejtë. Ndërsa udhëtimi tokësor fillon nga Orikumi dhe përshkon mespërmes bazën e Pashalimanit. Por kjo mënyrë nuk është aspak e sigurtë, sepse zona ushtarake mund të jetë e mbyllur dhe nuk ju lejohet të udhëtoni.

Karaburuni ka qënë një zonë e ndaluar për shumë kohë për shkak se shtrihej në një perimetër të sigurisë së lartë ushtarake. Prej disa vitesh kanë nisur turet ditore.

Vazhdimisht Kepi i Gjuhëzës popullohet nga turistë që kërkojnë aventura në ujëra dhe brigje të virgjëra. Është thuajse ideale të kridhesh në ujëra të freskët ngjyrë smeraldi apo të marrësh ngjyrë, shtrirë mbi rënën e imët dhe të bardhë. Gjiri i Brisanit është gjithashtu një vend që ja vlen të vizitohet.

Relievi i gadishullit është i thyer, me gjire të shumta e plazhe të virgjëra, por ajo çfarë e bën edhe më mbresëlënës është ballkoni i Karaburunit, që shtrihet mbi kreshtat e tij.

Shpellat janë karakteristikë e gadishullit, një prej tyre dhe më e famshmja është shpella e Haxhi Alisë. Ajo njihet në legjendat e banorëve të Vlorës, për lidhjet me botën e largët të piratëve të detit.

Brenda shpellës fle një liqen modest rrethuar nga parete shkëmbore të dekoruara nga stalaktitet.

Jo më pak e famshme është shpella e Gramës, që fshihet brenda krahëve të gjirit me të njëjtin emër.

Ky xhep natyror përdorej nga anijet për t'u mbrojtur nga stuhitë, mbishkrimet e shumta që datojnë kohë të ndryshme mendohet se janë gdhendur nga marinarët apo piratët, që kalonin orët duke pritur qetësimin e detit.

Guximi për t'u zhytur në brendësinë e ketyre shpellave, për pak orë do ju krijonë ndjesinë surreale, se edhe ju jeni pjesë e botës së piratëve.

Lugina e valbones

Lugina e valbones

Lugina e Valbonës

Lugina e Valbonës në rrethin e Tropojës është kryevepër e natyrës, e cila nuk është kursyer aspak me bukuritë që i ka falur kësaj zone.

Në Luginën e Valbonës mund të shkohet me traget, nga Komani, duke ndjekur rrugën: Tiranë-Koman (2 orë me traget) e pastaj Fierzë–Bajram Curri–Valbonë.

Ose me makinë, në drejtim të Kosovës, duke ndjekur rrugën: Tiranë–Kukës–Prizren–Gjakovë–Bajram Curri–Valbonë. Udhëtimi zgjat rreth 5 orë.

Kohët e fundit, jo pak turistë provojnë sportet dimërore dhe përjetojnë nga afër magjinë e Valbonës nën borë! Ture të posaçme organizohen gjatë gjithë vitit, dhe një pjesë e tyre e lidhin këtë destinacion me Thethin.

Falë shtrirjes në qendër të Alpeve, këtu gjenden disa prej majave më impresionuese të Alpeve Shqiptare, si ajo e Jezercës (2694 m) apo e Kollatës (2556 m).

Ju duhet vetëm guximi për t'i ngjitur këto maja!

Lugina përshkohet nga Lumi i kristaltë i Valbonës, i cili, me një gjatësi prej rreth 50 km, gjarpëron nëpër ngushtica përrallore, i rrethuar nga ngjyrat e bukura të pyjeve të ahut, dushkut e pishave.

Në burim të lumit, do të gjeni edhe Ujëvarën e Valbonës, që nuk mund të lihet pa u parë. Duke ndjekur rrugën Bajram Curri-fshati Shoshan, do të ndesheni me Kanionin madhështor të Shoshanit, i cili fsheh një ujëvarë brenda tij.

Mos lini pa parë edhe Vrellën e Shoshanit, Liqenin e Xhemës pranë Majës së Kollatës, shpellën e Haxhisë, apo edhe atë të Dragobisë, ku u vra patrioti Bajram Curri. Këto destinacione vërtet kërkojnë kohë, guxim dhe vemendje, por shpërblimi është i madh!

Lugina e Valbonës është e mbushur me lumenj, ujëvara spektakolare e pyje të pafundëm nën hijen e majave të larta që shfaqen ngado.

Vizitorin e pret një mikpritje me zemër, sipas traditave shekullore malësore, e gatime me produkte bio të zones, që përgatiten plot shije.

Kur të jetë momenti për çlodhje, falë bujtinave të ndërtuara e menaxhuara nga vet banorët duke respektuar traditat e zonës, do të ndiheni si pjesë e familjes. Flija e pjekur në saç dhe mishi i shijshëm i kecit, trofta e freskët apo turshitë dhe djathi i shtëpisë, do e heqim lodhjen dhe do ju ftojnë të vijoni turin tuaj në Valbonë, përsëri.

Neritana Kraja