Në vitin 1905, studioja fotografike “Fengtai” e Pekinit xhiroi filmin e parë kinez, “Mali Dingjunshan”, duke nisur historinë e filmit në këtë qytet të lashtë.

Në vitin 2011 lindi Festivali Ndërkombëtar i Filmit i Pekinit. Pas zhvillimit 10-vjeçar, sot Festivali i Filmit i Pekinit është bërë një veprimtari e rëndësishme ndërkombëtare kinematografike, që shfaq multikulturalizmin. Në vitin 2013, festivali krijoi çmimin “Tiantan” (Tempulli i Qiellit) për të nderuar filmat dhe aktorët e aktoret më të mira. Deri tani, më se 4 600 filma nga mbi 90 vende e rajone të botës kanë marrë pjesë në konkurrimin për çmimet “Tiantan” dhe më se 50 regjisorë të famshëm ndërkombëtarë kanë qenë anëtarë jurie.

Nëpërmjet Festivalit të Filmit të Pekinit, shumë filma të shkëlqyer kinezë janë njohur nga audienca e huaj, dhe njëkohësisht shumë filma të huaj janë takuar me shikuesin kinez. Regjisori i filmave “Mbreti luan” e “Stuart-i i vogël”, Rob Minkoff, që ka marrë pjesë për disa herë në Festivalin e Filmit të Pekinit, u shpreh: “Në këtë festival shfaqen filma të vendeve të ndryshme dhe tregohen histori me sfonde të ndryshme kulturore. Sot Festivali i Filmit i Pekinit është bërë një ‘lagje ndërkombëtare’.”

Festivali i Filmit i Pekinit ka dëshmuar fuqizimin e tregut kinematografik kinez. Tani të ardhrat vjetore nga shitja e biletave të kinemave në Kinë i kanë kaluar 64 miliardë juanët (rreth 9 miliardë dollarë), nga 13.1 miliardë juanë që ishte shifra në vitin 2011. Tematika e filmave kinezë është pasuruar pandërprerë.

Festivali i Filmit i Pekinit është edhe një platformë e shkëmbimeve mes kineastëve kinezë dhe të huaj. Nëpërmjet kësaj platforme, kompanitë e famshme kinematografike në botë “Marvel”, “Fox”, “Imax” etj. i kanë dhënë filmit kinez një përvojë të vlefshme zhvillimi.

Sivjet, për shkak të ndikimit epidemik, organizatorët do të përdorin mënyra të shumëllojshme për të shfaqur mbi 300 filma kinezë e të huaj. Krahas kinemasë, këta filma do të shfaqen edhe në internet, në televizor etj. Festivali do të zgjasë deri më 29 gusht. (Fani)