Pingyao në provincën Shanxi të Kinës Veriore është një qytet i lashtë me histori mbi 2700-vjeçare. Në këtë qytet kanë mbetur shumë ndërtesa të lashta, të cilat ruajnë në përgjithësi pamjen e para qindra vjetëve. Nga këto ndërtesa mund të njihet mirë arti i lashtë arkitekturor i Shanxi-së. Në vitin 1997, qyteti i lashtë Pingyao u pranua në listën e trashëgimive kulturore botërore të UNESKO-s.

Në Pingyao mund të shohësh shumë produkte zejtarie tradicionale, ndër të cilat edhe stolitë e argjendta të Shanxi-së. Në një ndërtesë me histori mbi 300-vjeçare, trashëgimtari i stolive të argjendta tradicionale të Shanxi-së Liu Xingdong ka hapur një punishte. Kur gazetari e vizitoi, Liu Xingdong-u po bënte një gjerdan argjendi. Mbi këtë gjerdan nusesh Liu Xingdong-u gdhendi me dorë hieroglifin kinez "xi", që ka kuptimin “lumturi”, dhe figura lulesh e zogjsh.

Stolitë e argjendta të Shanxi-së janë të njohura për stilin e hapur. Me ndryshimin e kohës, prodhimi i mekanizuar i stolive ka zëvendësuar gradualisht bërjen me dorë, por nga ana e hollësisë, stolitë e bëra nga makineritë nuk mund të krahasohen me ato të bëra me dorë. Liu Xingdong-u është marrë me prodhimin e stolive të argjendta për mbi 30 vjet. Sipas tij, prodhimi me dorë është i pazëvendësueshëm në prodhimin e stolive të argjendta të Shanxi-së.

Babai i Liu Xingdong-ut ishte një zejtar i shquar i stolive të argjendta. Pas mësimit të mjeshtërisë, në moshën 25-vjeçare, Liu Xingdong-u hapi në qytetin e lashtë punishten e vet të parë të stolive të argjendta. Në fillim, biznesi i tij nuk shkonte mirë. Në atë kohë Liu Xingdong-u shkonte shpesh në tregjet e produkteve të zejtarisë të mbarë vendit për të shitur krijimet e tij.

Deri në vitin 2000, në tërë qytetin e lashtë Pingyao kishin mbetur vetëm tre punishte të stolive të argjendta, por Liu Xingdong-u nuk ka hequr dorë asnjëherë nga kjo mjeshtëri tradicionale. Këmbëngulja e tij u shpërblye dhe, në vitin 2015, Liu Xingdong-u u zgjodh trashëgimtar i trashëgimisë kulturore jomateriale. Liu Xingdong-u tha:

“Mjeshtëria e gdhendjes së stolive të argjendit është e lashtë dhe përbën një kulturë të shkëlqyer tradicionale. Dua të shfaq historinë e Shanxi-së nëpërmjet stolive të argjendta. Tani biznesi im është përmirësuar shumë, shumë klientë vijnë posaçërisht në punishten time për të blerë stoli. Ata ndoshta nuk e dinë teknikën, por e dinë se çfarë është e bukura.” (Fani)