Me përmirësimin e gjendjes së epidemisë së COVID-19 në vend, sektori ushqimor kinez po rimëkëmbet shpejt. Në krahinat e ndryshme kineze janë rihapur restorantet dhe rrugët e tregtimit të ushqimeve në qytete të ndryshme pritën përsëri klientë të panumërt.

Në fund të majit u hap në qytetin Shangai Festivali i Ushqimeve Globale për vitin 2020, ku u ftuan të merrnin pjesë më se 2000 restorante nga 42 vende për të promovuar ushqimet e shijshme të vendeve të huaja, duke nxitur së bashku rimëkëmbjen e sektorit ushqimor.

Kryekuzhinieri i një restoranti të kuzhinës japoneze në Shangai, Yuji Suzuki, që mori pjesë në panair, u shpreh se që nga maji, klientët në restorantin e tij janë shtuar dukshëm dhe vëllimi i qarkullimit është shtuar rreth 20% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas statistikave, në Shangai ka rreth 12 mijë restorante të kuzhinave të huaja. "Qytetarët e Shangait janë shumë dashamirës ndaj ushqimeve të huaja. Në Shangai mund të gjesh restorant peruan, izraelit, ukrainas, çek, madje edhe restorant nga Emiratet e Bashkuara Arabe," tha drejtori i Qendrës së Informacionit të Biznesit të Shangait Yuan Lijun.

Krahas kësaj, shumë restorante të kuzhinës kineze në Shangai kanë provuar shkrirjen e kuzhinës kineze me kuzhinën e huaj. Për shembull, restoranti "Xinya" përgatit oriz me mish derri të stilit iberik nga Spanja, restoranti i lashtë "Shendacheng" përgatit shaomai (një lloj ravioli) me të verdhë veze dhe djathë etj. Vitet e fundit, me popullarizimin e produkteve perëndimore të brumit etj. në Kinë, djathi dhe gjalpi janë bërë më të parapëlqyer nga konsumatorët kinezë dhe këta përbërës ushqimorë perëndimorë po përdoren më gjerësisht në ushqimet kineze.

Vera e kuqe është një "yll" tjetër në Festivalin e Ushqimeve Globale të Shangait. Vitet e fundit, konsumi i verës së kuqe në Kinë ka ardhur duke u shtuar. Në fillim, konsumatorët kinezë pinin kryesisht verën franceze, ndërsa sot edhe vera e kuqe italiane, spanjolle, australiane, argjentinase, kiliane etj. parapëlqehet shumë nga kinezët. Me krijimin e më shumë zonave të tregtisë së lirë në Kinë, vera e kuqe e vendeve të ndryshme mund të hyjë në tregun kinez më shpejt dhe me çmim më të ulët. (Fani)