Më 11 maj, presidenti kinez Xi Jinping vizitoi shpellat "Yungang" në qytetin Datong të provincës Shanxi në Kinën Veriore, për të inspektuar punën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Ai u shpreh se shpellat "Yungang" shfaqin karakteristikat e kulturës kineze dhe historinë e shkëmbimeve kulturore midis Kinës e vendeve të huaja, dhe janë një thesar i qytetërimit njerëzor.

Shpellat "Yungang" gjenden në rrëzën jugore të malit Wuzhou, 16 kilometra larg qytetit Datong. Shpellat u ndërtuan sipas formës së malit dhe shtrihen për rreth 1 kilometër. Tani kanë mbetur 45 shpella kryesore me mbi 51 mijë statuja guri të Budës. Shpellat "Yungang" janë ndër grupet më të mëdha të shpellave të lashta në Kinë, dhe bashkë me shpellat "Mogao", shpellat "Longmen" e shpellat "Maijishan", janë të njohura si katër thesaret kryesore të artit kinez të shpellave.

Ndërtimi i shpellave "Yungang" ka lidhje të drejtpërdrejtë me lulëzimin e budizmit në dinastinë Wei Veriore (386-534). Dinastia Wei Veriore u krijua nga kombësia xianbei. Në korrik të vitit 398, perandori Daowu e zhvendosi kryeqytetin në Pingcheng (qyteti Datong i sotëm). Dinastia Wei Veriore ishte periudha e lulëzimit të budizmit, që u përcaktua dikur edhe si fe shtetërore. Në vitin 460, perandori Wencheng dha urdhër për ndërtimin e shpellave "Yungang" dhe pas më shumë se 60 vjetëve punë ndërtimi e në saje të përpjekjeve të mbi 1000 punëtorëve, përfundoi më në fund ky thesar i kulturës budiste.

Shpellat "Yungang" kanë regjistruar gjallërisht ndërthurjen e artit budist të Indisë e të Azisë Qendrore në artin budist të Kinës, duke pasqyruar laicizimin e statujave të Budës në Kinë. Stilet e shumëllojshme artistike budiste janë shkrirë në këto shpella.

Më 14 dhjetor të vitit 2001, shpellat "Yungang" u pranuan në listën e trashëgimive botërore të UNESCO-s. Njëkohësisht, si pikë turistike e kategorisë 5A, ato tërheqin çdo vit shumë turistë vendas e të huaj për t'i vizituar. (Fani/Artan Goga)