24 shkurti i këtij viti është Viti i Ri Tibetian, që është festa më e rëndësishme e tibetianëve, si Festa e Pranverës e kombësisë hane. Krahas Tibetit, edhe Bhutani e Mongolia, nën ndikimin e thellë të kulturës tibetiane, e kremtojnë këtë festë.

Sipas zakonit, me rastin e Vitit të Ri, tibetianët e stolisin shtëpinë, dëbojnë demonët, hanë darkën e ribashkimit familjar, shprehin urime për festën etj. Sivjet, për shkak të epidemisë të koronavirusit të tipit të ri, tibetianët e ndryshuan mënyrën e festimit të Vitit të Ri të tyre dhe përdorën telefonin ose "Wechat"-in për të shprehur urime.

Në një bllok banesash me oborr në lagjen "Banak Shol" të qytetit Lhasa jetojnë 28 tibetianë. Me rastin e Vitit të Ri Tibetian, banorët krijuan një grup në "Wechat" për t'i shprehur urime njëri-tjetrit. Banori Chly tha:

"Në të kaluarën, me rastin e Vitit të Ri, ne të gjithë e kishim zakon të takoheshim në oborr duke ngrënë së bashku chema (një lloj ushqimi që simbolizon fatmirësinë), dhe atmosfera ishte shumë e ngrohtë. Këtë vit ne zgjodhëm të qëndrojmë në shtëpi dhe ta festojmë Vitin e Ri në qetësi. Kjo nuk ka rëndësi, sepse shëndeti është më i rëndësishëm se gjithçka. Pas përfundimit të epidemisë, ne mund të takohemi përsëri."

Për të parandaluar e kontrolluar epideminë e koronavirusit të tipit të ri, lagjet e qytetit Lhasa kanë forcuar administrimin e dalje-hyrjes së banorëve, duke u ofruar atyre shërbime lidhur me nevojat e jetës së përditshme. Afër shtëpisë së Chly-s ka një dyqan perimesh. Sivjet, krahas perimeve, në këtë dyqan shiten edhe ushqime tradicionale tibetiane që hahen me rastin e Vitit të Ri. Tani në tërë qytetin Lhasa ka 63 dyqane të tilla dhe çdo dyqan ofron edhe shërbimin e dërgimit të mallrave në shtëpitë e qytetarëve. Krahas kësaj, Bashkia e Lhasës ka dërguar makina mallrash në çdo lagje për të plotësuar nevojat e jetës së qytetarëve.

Në Rajonin Autonom të Tibetit është raportuar deri tani vetëm një rast i koronavirusit të tipit të ri. Pacienti tashmë është shëruar dhe ka dalë nga spitali. Deri tani në Tibet nuk ka pasur asnjë rast të ri të dyshimtë ose të konfirmuar të sëmundjes për 25 ditë radhazi. Shumë tibetianë u shprehën se shëndeti është dhurata më e mirë për Vitin e Ri Tibetian. (Fani)