竞争力---[jìng zhēng lì]---Konkurrueshmëri

Në “Raportin mbi konkurrueshmërinë botërore për vitin 2022” të publikuar ditët e fundit nga Instituti Ndërkombëtar për Zhvillimin e Menaxhimit i Zvicrës, del se renditja globale e Hong-Kongut u ngrit nga vendi i 7-të vitin e kaluar në vendin e 5-të sivjet. Gjatë 25 vjetëve pas kthimit në atdhe në vitin 1997, me mbështetjen e mbarë vendit, fuqia ekonomike e Hong-Kongut është rritur në mënyrë të qëndrueshme dhe Hong-Kongu është bërë, së bashku me Guangdong-un e Makaon, një nga rajonet më të hapura dhe me gjallërinë më të madhe ekonomike në Kinë.

Kryetari i Shoqatës së Promovimit të Rrugës së Re të Mëndafshit të Italisë Francesco Maringio tha:

“Sipas ‘Raportit mbi lirinë ekonomike botërore për vitin 2021’ nga Instituti 'Fraser' i Kanadasë, Hong-Kongu vazhdon të zërë vendin e parë për sa i përket lirisë tregtare ndërkombëtare dhe mbikëqyrjes. Hong-Kongu është renditur për 25 vjet me radhë si rajoni me shkallën më të lartë të lirisë ekonomike në botë.”

Ish-drejtori i Departamentit për Çështjet Europiane e Ndërkombëtare të landit gjerman të Hesenit, dr. Michael Borchmann, u shpreh:

“Kur përmendet Hong-Kongu, më shkojnë në mendje shumë gjëra. Për shembull, Hong-Kongu është jo vetëm ura që lidh pjesën e brendshme të Kinës me vendet e tjera të botës, por edhe një qendër globale financiare dhe e transportit detar.”

Në renditjen e Treguesit për Qendrat Financiare Globale të publikuar në mars të këtij viti, Hong-Kongu vazhdoi të zërë vendin e tretë në botë dhe vendin e parë në Azi, duke dëshmuar përsëri pozicionin e vet udhëheqës në financat globale.

Përgjegjësja e makrostrategjisë për Kinën në Departamentin e Kërkimit Global të Bankës “Standard Chartered”, zonja Becky Liu, tha:

“Ndër të gjitha qendrat e RMB-së jashtë pjesës kontinentale, vetëm Hong-Kongu emeton bono thesari në mënyrë të rregullt. Kjo masë e ka nxitur dhe përkrahur shumë Hong-Kongun të jetë qendër e RMB-së jashtë pjesës kontinentale dhe qendër financiare ndërkombëtare.”

Foto nga VCG

Presidenti i Autoritetit Monetar të Hong-Kongut Eddie Yu theksoi nga ana e tij:

“Gjatë 25 vjetëve pas kthimit në atdhe, tregu financiar i Hong-Kongut është zgjeruar shumë. Ne kemi epërsinë e veçantë të lidhjes së atdheut me botën dhe jemi një urë ndërmjet tregut ndërkombëtar e tregut të pjesës së brendshme.”

Sipas të dhënave, nga viti 1997 deri në vitin e kaluar, numri i kompanive të listuara në Bursën e Hong-Kongut u rrit nga 619 në mbi 2 500 , ndërsa vëllimi mesatar ditor i tregtimit në këtë bursë u shtua nga 15 miliardë në 166.7 miliardë dollarë hongkongas.

Kryetari i Shoqatës së Promovimit të Rrugës së Re të Mëndafshit të Italisë Francesco Maringio shprehet:

“Pasuritë e Hong-Kongut kanë ndikuar aktivisht në jetesën e qytetarëve. Që nga viti 1997 deri sot, të ardhurat mesatare për frymë të hongkongasve janë shtuar dy herë, ndërsa PBB-ja u rrit në 2.86 trilionë dollarë hongkongas në vitin 2021, nga 1.37 trilionë dollarë që ishte në vitin 1997.”

Në shkurt të vitit 2019, u publikua “Programi i Zhvillimit të Zonës së Madhe të Gjirit Guangdong - Hong-Kong - Makao”, duke shënuar ndërtimin e gjithanshëm të Zonës së Madhe të Gjirit. Ky program krijon mundësi të reja për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të Hong-Kongut.

Kryeekzekutivi i 6-t i Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut Lee Ka Chiu John tha:

“Ne jemi përfshirë në mënyrë të gjithanshme në strategjinë e zhvillimit të vendit, prandaj kemi përkrahjen dhe mundësitë që na ofron vendi, si edhe kemi lidhje me bashkësinë ndërkombëtare. Kjo është epërsia që i jep Hong-Kongut politika ‘Një vend, dy sisteme’. Kam besim të plotë për të ardhmen e Hong-Kongut.”

Ndërsa z. Maringio vuri në dukje gjithashtu:

“Sot Hong-Kongu është një pjesë e rëndësishme në ndërtimin e Zonës së Madhe të Gjirit. Deri në vitin 2035, Zona e Madhe e Gjirit do të kthehet në një zonë ndërkombëtare të klasit të parë. Në vitin 2018 unë e vizitova këtë zonë dhe pashë me sytë e mi krijimin e kompanive tekniko-shkencore, modelin e funksionimit si inkubator e përshpejtues dhe aftësitë sipërmarrëse plot gjallëri.” (Fani/Artan)