产品---[chǎn pǐn]---produkt

Të mërkurën u publikua në Pekin raporti i parë i Kinës mbi produktet publike globale, me titull “Raporti mbi ofrimin e produkteve publike globale për bashkësinë e fateve të përbashkëta të njerëzimit”. Sipas këtij dokumenti, Kina është kontribuuese e re dhe nxitëse e risive në sistemin e produkteve publike globale, si edhe pioniere në ndërtimin e kornizës së re të produkteve publike globale. Në këtë raport jepen gjithashtu disa sugjerime se si Kina mund të marrë pjesë më mirë dhe të drejtojë në furnizimin dhe qeverisjen e produkteve publike globale, për të nxitur zhvillimin global me cilësi më të lartë.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Nga nisma “Një brez, një rrugë” deri në vaksinat kundër pandemisë së COVID-19, Kina ka ofruar produkte të larmishme publike globale. “Raporti mbi ofrimin e produkteve publike globale”, i përgatitur nga Shkolla e Zhvillimit Ndërkombëtar dhe e Bujqësisë Globale pranë Universitetit Bujqësor të Kinës, vë në dukje se vitet e fundit Kina e ka përshtatur rolin e vet në qeverisjen e produkteve publike globale, nga marrëse në krijuese dhe furnizuese e tyre. Po ashtu, sipas dokumentit, në bazë të historisë së vet, Kina është fokusuar te zbulimi i rrugëve dhe mekanizmave të rinj për lloje të ndryshme produktesh publike globale, duke përfshirë ekonominë, sigurinë, qeverisjen dhe idetë. Profesoresha e Shkollës së Shkencave Humane dhe Zhvillimore të Universitetit Bujqësor të Kinës Xu Xiuli theksoi:

“Nga ana e ndihmës ndërkombëtare, Kina jo vetëm ofron ndihma, por edhe thekson zhvillimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Falë ndihmës mund të nxiten fondet zhvillimore dhe furnizimi i produkteve publike globale. Nga ana e mënyrës, në të kaluarën kishte kryesisht bashkëpunim dypalësh, ndërsa tani ka më shumë bashkëpunim shumëpalësh dhe trepalësh, sidomos bashkëpunim shumëpalësh me organizata ndërkombëtare që përqendrohen rreth OKB-së. Nga nisma ‘Një brez, një rrugë’ deri në Nismën e Zhvillimit Global, Kina ka qenë ofruese e produkteve publike globale.”

Në këtë raport paraqiten edhe praktika historike, baza moderne dhe mënyrat e mekanizmat e Kinës në ofrimin e produkteve publike globale. Sipas tij, Kina është kontribuuese e re dhe nxitëse e risive në sistemin e produkteve publike globale, dhe njëkohësisht pioniere në ndërtimin e kornizës së re të produkteve publike globale. Sipas profesoreshës Xu, Kina i kushton rëndësi të madhe ndërtimit dhe konsultimeve të përbashkëta me palët partnere gjatë procesit të ofrimit të produkteve publike globale:

“Për shembull, Qendra Demonstruese e Teknologjisë Bujqësore është një njësi që integron ndërtimin e infrastrukturës, transferimin e teknologjisë, trajnimin e burimeve njerëzore, zgjerimin e zinxhirit të vlerës etj. Nga përvoja e vet e zhvillimit Kina e di që zgjerimi nuk mund të bëhet vetëm me një mjet, por duhet të integrohen të gjitha çështjet për të gjetur rrugë më të përshtatshme. Gjatë këtij procesi u kushtojmë rëndësi konsultimeve dhe ndërtimit të përbashkët. Duhet ta diskutojmë dhe ta hartojmë së bashku skenarin.”

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Që Kina të ofrojë më mirë produkte publike globale dhe të nxitë ndërtimin e sistemit të produkteve publike globale, në këtë raport jepen katër sugjerime. Ato përfshijnë forcimin e pozicionimit strategjik të Kinës, inovacionin e udhëzimeve teorike, kultivimin e sistemit të vlerësimit dhe ndërtimin e një sistemi të komunikimit ndërkombëtar për ofrimin e produkteve publike globale. (Li Huailiang/Artan)