峰会---[fēng huì]---Samit

Të premten u mbyll në Uashington samiti i posaçëm ShBA-ASEAN, që ishte shtyrë më parë.

Ky samit është konsideruar nga ShBA-ja si një pjesë e rëndësishme në strategjinë e saj të Indo-Paqësorit, por që nga objektivi e deri në kohën e zhvillimit dhe rezultatin përfundimtar, ai ka shkaktuar shumë debate. Në deklaratën e përbashkët që u publikua pas samitit, nuk ka përmbajtje të mjaftueshme konkrete. Analistët vënë në dukje që ky është një rezultat i pashmangshëm, sepse ShBA-ja nuk ka vepruar sipas atyre që ka thënë dhe po deklaron zgjerimin e rrethit të miqve në Azi, duke u orvatur që të ushtrojë trysni mbi Kinën, thuhet në një koment të CMG-së.

Foto:VCG

Foto:VCG

Në fund të marsit, ShBA-ja shpalli njëanshmërisht kohën e zhvillimit të samitit. Gjatë samitit, presidenti Biden nuk zhvilloi asnjë takim dypalësh, me pretendimin se ishte “shumë i zënë”. Shumë detaje tregojnë që ShBA-ja nuk ka sinqeritet të mjaftueshëm për këtë samit të zhvilluar me rastin e 45-vjetorit të vendosjes së partneritetit mes ShBA-së dhe ASEAN-it.

Mediat kanë vënë në dukje që këtë herë ShBA-ja premtoi investime prej 150 milionë dollarësh amerikanë për ASEAN-in. Por kjo organizatë ka 10 vende anëtare, çka do të thotë që vleta mesatare e investimeve për secilin nga këto vende është vërtet e vogël. Ndërkohë, nga ana tjetër, disa ditë më parë, Dhoma e Përfaqësuesve e ShBA-së miratoi projektin e ndihmës për Ukrainën me një vlerë më shumë se 40 miliardë dollarë amerikanë.

Edhe për këtë investim jo të madh, ShBA-ja ka përcaktuar që 60 milionë dollarë do të përdoren në çështjet detare, me synim “ që të shtohet aftësia mbrojtëse detare e vendeve partnere”. Lidhur me këtë, shumë analistë janë të mendimit që Uashingtoni ka si synim të vërtetë të krijojë probleme në Detin e Kinës Jugore. Në fakt, ish-ambasadori i Singaporit në ShBA, Tommy Koh, ka thënë në Klubin Amerikan në Singapor: “Ju po afroheni me Azinë Juglindore, duke kushtuar vëmendje vetëm për një çështje, pra për sigurinë. Por aziatikët jetojnë me tregti.”

Këmbëngulja në pavarësi dhe vendimmarrje të pavarur është qëndrimi i vendosur i ASEAN-it. Për qëllimin e ShBA-së që shtyn vendet e ASEAN-it të mbajnë anë në çështjet ndërkombëtare, ASEAN-i është i qartë. Presidenti i sapozgjedhur i Filipineve Ferdinand Marcos u shpreh qartë që vendi i tij nuk do të bëjë aleancë me ndonjë superfuqi dhe do të zbatojë politika të pavarura diplomatike.

Vlen të përmendet që në deklaratën e përbashkët thuhet se në samitin e 10-të ASEAN-ShBA që do të zhvillohet në nëntor të këtij viti, marrëdhëniet dypalëshe do të ngrihen në partneritetin e gjithanshëm strategjik. Por mediat tajlandeze citojnë një burim, sipas të cilit ASEAN-i mori vendim që të shtyhet kjo “ngritje marrëdhëniesh” në nëntor. Analistët janë të mendimit që kjo tregon qëndrimin e kujdesshëm të ASEAN-it për fjalët dhe veprimet konkrete të ShBA-së.

Pas këtij samiti, presidenti Biden do të vizitojë Korenë e Jugut e Japoninë dhe do të marrë pjesë në dialogun katërpalësh të sigurisë (QUAD) në Tokio. Kjo do të jetë vizita e parë e Biden-it në Azi që prej marrjes së postit të presidentit. Veprimet miqësore për paqen dhe zhvillimin e Azisë vendet aziatike i mirëpresin, por nuk do të pranojnë asnjë veprim që synon të dëmtojë paqen, stabilitetin, unitetin e bashkëpunimin rajonal, thuhet në koment.