会晤---[huì wù]---takim

Foto nga “Xinhua”: Zhvillohen në Zyrih bisedimet midis Yang Jiechi-së dhe Jake Sullivan-it

Kina dhe ShBA-ja kanë përfunduar të mërkurën raundin e tyre të fundit të bisedimeve të rëndësishme në Zyrih të Zvicrës.

Politikani dhe diplomati i lartë kinez Yang Jiechi dhe këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan mbuluan një sërë çështjesh me përparësi në marrëdhëniet midis dy fuqive globale, përfshirë Detin e Kinës Jugore dhe Tajvanin.

Një deklaratë e Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze e quajti takimin "një shkëmbim gjithëpërfshirës, të sinqertë dhe të thelluar të pikëpamjeve mbi marrëdhëniet Kinë-SHBA dhe çështjet ndërkombëtare dhe rajonale me interes të përbashkët".

Sipas deklaratës, takimi ishte konstruktiv dhe në dobi të rritjes së mirëkuptimit të ndërsjellë. Të dy palët ranë dakord të ndërmarrin veprime për të zbatuar frymën e telefonatës së 10 shtatorit midis dy krerëve të shteteve, për të forcuar komunikimin strategjik, për të menaxhuar siç duhet dallimet, për të shmangur konfliktet e konfrontimet, për të kërkuar përfitime të ndërsjella dhe për të punuar së bashku për të promovuar kthimin e marrëdhënieve Kinë-ShBA në rrugën e duhur të zhvillimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm.

Yang Jiechi vuri në dukje se trajtimi siç duhet marrëdhënieve kino-amerikane është një çështje me interes themelor për të dy vendet e popujt dhe për të ardhmen e botës.

Nëse Kina dhe Shtetet e Bashkuara bashkëpunojnë, të dy vendet dhe bota do të përfitojnë, por nëse Kina dhe Shtetet e Bashkuara përballen me njëra -tjetrën, si të dy vendet, ashtu edhe tërë bota, do të pësojnë dëme serioze.

Pamje jashtë vendit të zhvillimit të bisedimeve(CGTN)

Pamje jashtë vendit të zhvillimit të bisedimeve(CGTN)

Pala amerikane duhet të ketë një kuptim të thellë të natyrës me dobi të ndërsjellë të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe një kuptim të saktë të politikave të brendshme e të jashtme dhe synimeve strategjike të Kinës. Pekini e kundërshton përcaktimin e marrëdhënieve Kinë-ShBA në kuadrin e "konkurrencës".

Yang Jiechi tha se Kina u kushton rëndësi deklaratave të fundit pozitive të presidentit Biden lidhur me marrëdhëniet kino-amerikane dhe vëren se pala amerikane ka shprehur synimin e saj për të mos frenuar zhvillimin e Kinës dhe për të mos u përfshirë në një "Luftë të Ftohtë të re". Pala kineze shpreson që pala amerikane të ndjekë një politikë racionale dhe pragmatike ndaj Kinës dhe të bashkohet me Kinën në respektimin e interesave kryesore dhe shqetësimeve kryesore të njëri–tjetrit, duke ndjekur rrugën e respektit reciprok, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta midis Kinës dhe ShBA-së.

Yang Jiechi shtjelloi pozicionin e prerë të Kinës në çështjet që lidhen me Tajvanin, Hong-Kongun, Xinjiang-un, Tibetin, Detin e Kinës Jugore dhe të drejtat e njeriut, dhe i kërkoi palës amerikane të respektojë sovranitetin, sigurinë dhe interesat e zhvillimit të Kinës dhe të ndalojë përdorimin e çështjeve të mësipërme për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës.

Pala amerikane shprehu respektimin e saj ndaj politikës së “Një Kine”, thuhet në deklaratën e MPJ-së. Të dy palët shkëmbyen gjithashtu mendime mbi ndryshimet klimatike dhe çështjet rajonale me shqetësim të përbashkët dhe ranë dakord të ruajnë dialogun e komunikimin e rregullt për çështje të rëndësishme.

Pamje jashtë vendit të zhvillimit të bisedimeve(CGTN)

Pamje jashtë vendit të zhvillimit të bisedimeve(CGTN)

Sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë të publikuar pas takimit, Sullivan e bëri të qartë gjatë bisedës së tij me Yang Jiechi se ShBA-ja "do të vazhdojë të investojë në forcën e vet kombëtare dhe do të punojë ngushtë me aleatët dhe partnerët e vet". Ndërkohë, ShBA-ja gjithashtu "do të vazhdojë të angazhohet me Kinën në një nivel të lartë për të siguruar një konkurrencë të përgjegjshme".

Në bisedën e tyre telefonike më 10 shtator, presidenti kinez Xi Jinping vuri në dukje se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve kanë hasur në vështirësi serioze për shkak të politikës amerikane ndaj Kinës.

Ai tha se Pekini dhe Uashingtoni duhet të tregojnë vizion të gjerë dhe të marrin përgjegjësi të mëdha. Të dy vendet duhet të shikojnë përpara dhe të ecin përpara, të tregojnë guxim strategjik e vendosmëri politike dhe t’i sjellin marrëdhëniet Kinë-ShBA në rrugën e duhur të zhvillimit të qëndrueshëm sa më shpejt të jetë e mundur, për të mirën e popujve në të dy vendet dhe në mbarë botën.

Presidenti amerikan Joe Biden tha në këtë telefonatë se të dy fuqitë nuk kanë interes të lejojnë që konkurrenca të kalojë në konflikt dhe se ShBA-ja është e gatshme të ketë më shumë shkëmbime të sinqerta dhe diskutime konstruktive me Kinën për të identifikuar fushat kryesore dhe me përparësi ku bashkëpunimi është i mundur, për të shmangur keqkomunikimin, llogaritjen e gabuar dhe konfliktin e padëshiruar e për rikthimin e marrëdhënieve ShBA-Kinë në rrugën e duhur. Biden vuri në dukje në bisedën e tij telefonike me Xi se pala amerikane nuk ka ndërmend të përpiqet të ndryshojë politikën e "Një Kine". Ai shtoi tha se pala amerikane pret të ketë më shumë diskutime dhe bashkëpunim me Kinën për të arritur pozicione më të përbashkëta mbi ndryshimet klimatike dhe çështje të tjera të rëndësishme.