霸权主义---[bà quán zhǔ yì]---hegjemonizëm

Asambleja Kombëtare Popullore (AKP) e Kinës miratoi të enjten "Ligjin kundër sanksioneve të huaja". Ky ligj plotëson paketën e mjeteve të Kinës kundër sanksioneve, ndërhyrjeve dhe të ashtuquajturit "juridiksion me krah të gjatë", do të ruajë në mënyrë më të fuqishme sovranitetin, sigurinë dhe interesat e zhvillimit të Kinës dhe do të mbrojë barazinë e drejtësinë ndërkombëtare.

“T'ia kthesh dikujt sipas mënyrës së tij.” Kjo shprehje e lashtë kineze mund të përdoret si shpjegim i saktë për këtë ligj të sapomiratuar. Kohët e fundit, disa vende perëndimore, duke u orvatur t'i kundërvihen Kinës, kanë shfrytëzuar çështjet e Xinjiang-ut dhe Hong-Kongut, duke ushtruar sanksione sipas ligjit të tyre vendas ndaj organizatave shtetërore kineze dhe punonjësve të tyre. Kjo është një ndërhyrje brutale në punët e brendshme të Kinës dhe shkelje e së drejtës ndërkombëtare dhe e parimeve bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe i ka dhënë goditje të rëndë sistemit ndërkombëtar me OKB-në si thelb.

Sanksioneve të njëanshme nga disa vende perëndimore, Kina u është kundërpërgjigjur me mjete ligjore, çka është e domosdoshme dhe në kohë. Kjo ka mbrojtur jo vetëm dinjitetin dhe interesat themelorë kombëtarë, por edhe parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme dhe të barazisë sovrane, duke shprehur kundërshtim ndaj hegjemonizmit dhe politikës së forcës. Nga ana e së drejtës ndërkombëtare, publikimi nga Kina i "Ligjit kundër sanksioneve të huaja" është i ligjshëm dhe ka natyrë të ndryshme nga veprimet hegjemoniste të ShBA-së dhe një numri të vogël vendesh të tjera.

Nga emri i këtij ligji, mund të shohim që ky është një veprim i qartë kundërpërgjigjeje. Kina nuk krijon e para probleme, por u thotë “jo” veprimeve provokuese. Gazeta ruse “Nezavisimaja” komenton që ky ligj do të hedhë një bazë ligjore për kundërpërgjigjen e Kinës ndaj presioneve nga ShBA-ja dhe aleatët e saj.

Në fakt, publikimi i këtij ligji bazohet jo vetëm në përvojën e Kinës kundër sanksioneve, por edhe në atë të vendeve të tjera. Për shembull, BE-ja miratoi në vitin 1996 "Ligjin e bllokimit". Sipas këtij ligji, nëse sanksionet e ShBA-së ndaj vendeve të tjera prekin kompanitë e BE-së, këto të fundit nuk ka nevojë të zbatojnë sanksionet dhe mund të bëjnë apel për dëmshpërblim. Në qershor 2018, Rusia miratoi një ligj të ngjashëm kundër sanksioneve, me synim që të mbrojë interesat kombëtare dhe të qytetarëve të vet nga veprimet dëmtuese të ShBA-së.

Kundërpërgjigjja e drejtë nga Kina në fakt u drejtohet subjekteve dhe individëve që ndërhyjnë brutalisht në punët e brendshme të Kinës dhe përbaltin e shtypin Kinën dhe nuk do të ndikojë në subjektet e ligjshme të tregut dhe qytetarët e thjeshtë. Vullneti i Kinës për reformë dhe hapje dhe për krijimin e një mjedisi të orientuar nga tregu e të ndërkombëtarizuar nuk do të ndryshojë.

Publikimi i ligjit kundër sanksioneve të huaja edhe një herë ka lëshuar sinjalin e qartë për botën: Kina kundërshton në mënyrë të vendosur unilaterizmin e politikën e forcës dhe mbron sistemin ndërkombëtar me OKB-në në thelb dhe rendin ndërkombëtar me ligjin ndërkombëtar si bazë. Kina do të bëjë atë që ka thënë.

(Jiang Lei)