机遇---[jī yù]---Mundësi

Ekspozita e 1-rë Ndërkombëtare e Mallrave të Konsumit e Kinës u hap në mbrëmjen e së enjtes në qytetin Haikou të provincës ishullore kineze Hainan. Afro 1500 ndërmarrje nga brenda e jashtë Kinës marrin pjesë në këtë veprimtari, duke kërkuar mundësi më të mëdha në tregun kinez. Shumë të intervistuar të huaj në ceremoninë e hapjes i thanë Grupit Mediatik të Kinës se janë të gatshëm të thellojnë bashkëpunimin me Kinën.

Në videofjalimin e rastit, kryeministri tajlandez Prayut Chan-o-cha u shpreh se politika e ndërtimit të portit të tregtisë së lirë të Hainan-it dhe nisma "Një brez, një rrugë" janë në përputhje me interesat e të dy vendeve dhe do të nxisin më tej rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik dypalësh.

"Mësova me gëzim të jashtëzakonshëm se Drejtoria e Tregtisë Ndërkombëtare e Tajlandës planifikon të nënshkruajë një memorandum mirëkuptimi me Drejtorinë e Tregtisë të Hainanit për të forcuar bashkëpunimin tregtar, sidomos midis ndërmarrjeve të vogla e të mesme dhe në shitjet ndërkufitare online. Shpresoj shumë se ky memorandum mirëkuptimi do të zgjerojë më tej fushat e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar mes nesh e Hainan-it", tha kreu i qeverisë tajlandeze.

Zvicra, si vendi i ftuar i nderit i ekspozitës së kësaj radhe, do të ekspozojë produkte dhe shërbime të më shumë se 20 ndërmarrjeve në pavijonin e vet kombëtar. Në ceremoninë e hapjes, ambasadori zvicerian në Kinë Bernardino Regazzoni lexoi mesazhin e urimit të presidentit të Zvicrës Guy Parmelin, ku ai shprehet se ndihet i nderuar për ftesën e palës kineze dhe uron për pasurimin e përmbajtjes së marrëdhënieve midis dy vendeve.

"Kjo ftesë pasqyron marrëdhëniet e cilësisë së lartë midis dy vendeve tona të bazuara mbi besimin. Marrëdhëniet tona janë forcuar pandërprerë nëpërmjet dialogut e bashkëpunimit. Ndërkohë, po shtojmë edhe njohjen e njëri-tjetrit në fusha të ndryshme," thuhet në letrën e kreut të shtetit të Zvicrës.

Ekspozita e 1-rë Ndërkombëtare e Mallrave të Konsumit e Kinës zë një sipërfaqe prej 80 mijë metrash katrorë, 60 mijë prej të cilave u janë lënë pjesëmarrësve të huaj. Ekspozita ndahet në pesë pjesë, që përkatësisht janë produktet e modës, bizhuteritë, produktet cilësore ushqimore e të shëndetit, produktet turistike dhe shërbimet e konsumit. Vendet me më shumë marka pjesëmarrëse në ekspozitë janë Koreja e Jugut me 124, Franca me 99, Japonia me 89, ShBA-ja me 68 dhe Italia me 56 marka.

Drejtori i Departamentit të Konsumit të Ministrisë së Tregtisë të Kinës Zhu Xiaoliang bëri të ditur për median:

"Organizimi i Ekspozitës së Mallrave të Konsumit synon rezultate konkrete, duke ndjekur parimet e profesionalizmit, të ndërkombëtarizmit dhe të informatizimit. Shpresojmë se kjo ekspozitë do të bëhet një platformë e rëndësishme globale e demonstrimit të mallrave cilësore të konsumit, duke u krijuar mundësi produkteve të huaja të hyjnë në tregun kinez dhe duke hapur kanale për shitjen e produkteve kineze e të huaja në përmasë botërore".

Siç mësohet, gjatë Ekspozitës do të zhvillohen 81 aktivitete debutimi të markave ndërkombëtare, ku do të promovohen mbi 100 produkte të reja të përdorimit të përditshëm, si veshje, çanta, kozmetikë, ushqime, pije alkoolike, si dhe bizhuteri etj. (Foto: VCG)(Zhang Yan/Artan)